Maqedonci e Jashari vëzhgojnë nga afër operimin e dronëve “Bayraktar” në Aeroportin e Gjakovës

Prishtinë, 31 maj 2024 – Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, e kanë vizituar të premten njësinë e Sistemeve Ajrore pa Pilot (SAPP) të FSK-së në Aeroportin e Gjakovës.

Maqedonci, në një njoftim në Facebook, ka treguar se ai dhe gjenerali Jashari, bashkë me bashkëpunëtorët e tyre, kanë ndjekur nga afër procesin e operacionalizimit të kapaciteteteve të dronëve “Bayraktar TB-2”.

“Për t’i vëzhguar nga afër operimet me dronët ‘Bayraktar’ të kryera nga oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkë me Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, e vizituam njësinë SAPP në Aeroportin e Gjakovës. Aty u njohëm me opercionalizimet e kapaciteteteve të fluturakeve ‘Bayraktar TB-2’, të demonstruara nga oficerët e njësisë Sisteme Ajrore Pa Pilot (SAPP)”, ka shkruar Maqedonci.

Au ka thënë se, me dronët “Bayraktar” në inventarin e sistemeve të armatimit, Kosova është më e fortë dhe ndihet më e sigurtë përballë kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale dhe eventuale.

“Me oficerët dhe ushtarakët e mirëtrajnuar dhe të përkushtuar të ushtrisë tonë dhe me dronët Bayraktar në inventarin e sistemeve tona të armatimit, Kosova është më e fortë dhe ndjehet më e sigurtë përballë kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale dhe eventuale. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje ta pajisim ushtrinë tonë me sisteme armatimi moderne dhe të sofistikuara, në shërbim të mbrojtjes dhe të sigurisë së Kosovës dhe për ta ruajtur paqen në vend dhe rajon”, ka theksuar ministri Maqedonci.

(r.m.)