Maqedoni: Regjistrim të popullatës, por pa mërgimtarët shqiptarë

Regjistrim të popullsisë nuk pati vitin e kaluar. Nuk pati as sivjet dhe me gjasë nuk do të ketë as në mot. Shtrohet pyetja kush frikësohet nga regjistrimi i popullsisë në Maqedoni dhe kur do të dihet pasqyra reale dhe e saktë etniko-demografike e vendit. A do të mbetet edhe më tej Maqedonia një shtet i cili e ‘fsheh’ përqindjen reale të shqiptarëve dhe rënien e natalitetit tek maqedonasit

 

Nga Zejnulla Veseli

SHKUP, 19 qershor – Derisa dy partneret qeveritare VMRO- DPMNE dhe BDI ende nuk prononcohen publikisht se kur do të mbahet regjistrimi i ri i popullatës në Maqedoni, akademiku Abdylmenaf Bexheti deklaron se regjistrimi i para dy viteve ka dështuar për shkak të tendencave për tu ulur përqindjen e popullsisë shqiptare në Maqedoni. Me që atë kohë ishte e pamundur që këto tendenca të kontrolloheshin nga shqiptarët, pasi asnjë përfaqësues shqiptarë nuk kishte qasje në sistemin elektronik të përpunimit të dhënave, Buxheti jep dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Komisionit për realizimin e regjistrimit.
“Nëse regjistrimi do të ishte real dhe jo i manipuluar ashtu siç dhe kërkonim ne anëtarët e shqiptarë të komisionit për realizimin e regjistrimit atëherë duhej që përqindja e shqiptarëve në Qytetin e Shkupit të jetë rreth 24%, bazuar në shifrat e Entit Shtetëror të Statistikave për trendin e natalitetit dhe mortalitetit në komunat shqiptare. Por realiteti ishte ndryshe pra përveç tendencës për rrëzimin e cenzusit në Shkup, qëllimi kryesor ishte të ulej edhe numri i përgjithshëm i shqiptarëve në Maqedoni”, thotë Bexheti
Sikur të realizoj deri në fund procesi regjistrimit të popullatës siç e kishin parashikuar pala maqedone me rregulloren dhe mënyrën se si ata dëshironin atëherë sipas Bexhetit do të cenohej edhe popullsia në shkallë të vendit, edhe atë mbi bazën e një përcaktimi që të mos përfshihet një grup popullsie që është signifikant në rastin e Maqedonisë.
“Flasim për 150 mijë deri 200 mijë njerëz të palës shqiptare, që me statistika jetojnë dhe bashkëveprojnë këtu në Maqedoni, kurse punojnë në botën e jashtme. Kjo kategori e njerëzve, që në shkallë të shtetit nuk janë të pastra këto statistika, por te pala shqiptare janë 150-160 mijë banorë. Dhe imagjinoni nëse ky numër nuk pranohej të jetë pjesë e popullsisë së përgjithshme ku do të matet pariteti sa është bashkësia etnike shqiptare në nivel republike”, thotë akademiku Bexheti
Ndërkaq sa i përket çështjes se kur Maqedonia do të realizon procesin e ri te regjistrimit pasi që ai i dy viteve më parë për shkak të problemeve u ndërpre në gjysmë, kur anëtarët e Komisionit Shtetëror të Regjistrimit dhanë dorëheqje si rezultat i mosmarrëveshjeve për metodologjinë e numërimit të banorëve dhe mërgimtarëve shqiptarë, akademiku Bexheti nuk shprehet optimisti se procesi i regjistrimit të popullatës mund të ndodhë në një të ardhme shumë të afërt.
“Duke e njohur mirë procesin dhe ndjeshmërinë e regjistrimit të popullsisë në Maqedoni për nga aspekti politik nuk besoj se Maqedoni është e gatshme të realizon këtë proces të komplikuar për një kohë të shpejt. Të gjitha ata që mendojnë se regjistrimi është operacion tekniko-statistikor vetëm se tregojnë qartë se nuk kanë njohuri elementare për sistemin juridiko politik të Maqedonisë”, thotë Bexheti
Në qeveri informojnë shkurt se akoma nuk ka ndonjë pajtim midis dy partnerëve të koalicionit nëse qytetarët se kur do të organizohet procesi i ri regjistrimit të popullatës në Maqedoni.
“Po shqyrtohen mundësitë dhe praktikat më të mira nga vendet evropiane për mënyrën e regjistrimit. Regjistrimi nuk duhet të shikohet vetëm nga një dimension etnik, sepse ajo përcakton drejtimet e ardhshme strategjike të zhvillimit të vendit në drejtim të investimeve, zhvillimit rajonal, arsim, shëndetësi, infrastrukturë”, thotë Aleksandar Gjorgjiev, zëdhënës i qeverisë së Maqedonisë.
Edhe zëvendës kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi theksoi se me gjasë, as këtë vit nuk do të ketë numërim të banorëve dhe se nuk do të lëshojnë pe derisa nuk arrihet marrëveshja që edhe mërgimtarët shqiptarë të jenë pjesë e regjistrimit.
“Nuk besojmë se do të ketë regjistrim edhe këtë vit, pasi nuk ka ndonjë lëvizje sa i përket mosmarrëveshjeve me VMRO-në. Së pari duhet të analizohet gjendja dhe se institucionet duhet të sjellin vendim se janë krijuar kushtet për realizimin e regjistrimit. Njëherit duhet të bëhen të gjitha përgatitjet dhe të shihet se Enti shtetëror i statistikave teknikisht është i gatshëm të fillon këtë proces. Për realizimin e procesit të ri të numërimit të banorëve si duket do të duhet të kalojë edhe shumë kohë”, thotë Xhaferi.