Shkup, 22 shkurt 2022 – Autoritetet në Maqedoninë e Veriut, dënuan vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për njohjen e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore, si shtete të pavarura.
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, shkroi në rrjetin Twitter se “akti i këtillë paraqet sulm të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Ukrainës dhe shkelje të marrëveshjeve të Minskut si dhe të vendimeve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 2015”.
“Së bashku me aleatët e NATO-s bëjmë thirrje për zgjidhjen e konfliktit përmes rrugëve diplomatike”, shkroi kryeministri Kovaçevski.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, u shpreh ngjashëm duke thënë se akti i tillë paraqet shkelje të rëndë të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Ukrainës.
Ministri Osmani ka biseduar në telefon me Sekretaren e Përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Helga Schmid, së cilës i ka shprehur gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut si vend i Trojkës së OSBE-së për të ndihmuar shtensionimin e gjendjes përmes përpjekjeve diplomatike.
☎️ call w/@OSCE SG @HelgaSchmid_SG. Discussed the current situation in and around #Ukraine and the importance of adhering to the International law and inviolability of states. As part of the #OSCETroika 🇲🇰 stands ready to contribute for the de-escalation and diplomatic efforts pic.twitter.com/d5MBnWZvRb
— Bujar Osmani (@Bujar_O) February 22, 2022
Vlerësohet se disa dhjetëra shtetas të Maqedonisë së Veriut ndodhen me punë në Ukrainë dhe autoritetet në Shkup u kanë bërë thirrje që të kthehen në shtëpi.
(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)