Shkup, 28 mars 2022 – Maqedonia e Veriut ka shpallur ‘persona non grata’ pesë diplomatë rusë. Ministria e Jashtme njoftoi se i ka dorëzuar një notë ambasadorit rus në Shkup, Sergej Bazdnikin duke e njoftuar me vendimin.
Ministria thekson në një komunikatë se punonjësit e ambasadës ruse kishin kryer aktivitete që bien ndeshë me Konventën e Vjenës dhe se ata do të duhet të largohen nga territori i Maqedonisë së Veriut brenda një afati pesëditor. Por nuk jepen hollësi të tjera lidhur me veprimtarinë e pesë diplomatëve rusë.
Në Nenin 9 të Konventës thuhet: “Shteti që jep akreditimin, në çdo kohë mund ta dëbojë shefin e misionit apo cilindo qoftë anëtar të personelit diplomatik edhe pa patur nevojë për arsyetimin e këtij vendimi”.
Maqedonia e Veriut pati dëbuar një diplomat rus në maj të vitit të kaluar për veprimtari në kundërshtim me Konventën e Vjenës dhe një tjetër më pas për t’u solidarizuar me politikat e Bashkimit Evropian. Edhe Moska i qe përgjigjur Shkupit me masa reciproke.
Ndërkohë, kryeministrat e katër vendeve ballkanike, anëtare të Aleancës së NATO-s diskutuan të hënën në Sofje të Bullgarisë mbi rreziqet e mundshme dhe kërcënimet për shtrirjen e ndikimit në rajon dhe më të gjerë nga agresioni rus në Ukrainë si dhe për mënyrat e bashkëpunimit për të penguar rrezikun në këtë pjesë të Evropës.
Krerët e qeverive të Bullgarisë, Rumanisë, Maqedonisë së Verut dhe Malit të Zi e dënuan sulmin rus ndaj Ukrainës dhe shprehën solidaritet me popullin ukrainas. Ata theksuan çështjet e sigurisë dhe të mangësive në fushën e energjetikës dhe prodhimit të ushqimit, që vijnë si rezultat i ndërhyrjes ruse në Ukrainë.
“Siç e dimë, rajoni ynë varet nga burimet energjetike ruse dhe biseduam se si mund të ndryshojmë rrjedhën e gazjellësit; që të marrim gazin e lëngshëm natyror nga Greqia dhe Turqia dhe ta sjellim atë në Ballkan nëpërmjet tubacioneve ekzistuese”, tha Kryeministri bullgar, Kiril Petkov.
Kryeministri maqedonas nënvizoi nevojën për të qenë vigjilentë në kundërsthimin e dezinformatave dhe gënjeshtrave siç tha ai, që vijnë nga Rusia e që paraqesin kërcënim për proceset demokratike në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Zoti Kovaçevski tha se vendi i tij do të vazhdojë të ndjekë politikat e sigurisë së Bashkimit Evropian dhe të NATO-s lidhur me sanksionet kundër Federatës Ruse, teksa i mëshoi çështjes së zvarritjes së proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor, në veçanti Maqedonisë së Veriut drejt BE-së:
“Mospranimi se zgjerimi në thelb është politikë e sigurisë, krijon hapsirë shtesë për paqëndrueshmëri në rajon, ndërsa mungesa e të ardhmes së besueshme evropiane dhe euro-atlantike në Ballkanin Perëndimor ka tendenca të shumta negative për ndikim qëllimkeq të palëve të treta dhe kjo nxit dyshime dhe ulë besueshmërinë e qytetarëve për Bashkimin Evropian”, tha Kovaçevski.
Kryeministri rumun Nikollae Çuka tha se “vendosëm të qëndrojmë fuqishëm në orientimet tona strategjike drejt vlerave euro-atlantike për të fuqizuar mbrojtjen në krahun lindor të NATO-s; Se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ndikon rëndë në gjendjen e sigurisë në rajonin e Detit të Zi dhe atë të Evropës Jugilndore.
“Nuk kemi asnjë dyshim se Rusia tani paraqet kërcënimin më të madh për sigurinë tonë të përbashkët. Kemi nevojë për më tepër mbrojtje dhe qëndrueshmëri”, u shpreh kryeministri rumun, duke theksuar se “ndikimi keqdashës rus duhet përballur me rritjen e qëndrueshërisë, me zvogëlimin e varësisë nga energjia ruse, me luftimin e propagandës së rremë ruse, me më shumë mbrojtje kibernetike dhe me rritjen e tregëstisë ndërmjet nesh”.
Zoti Çuka nënvizoi rrezikun e madh ndaj Moldavisë në këtë fazë në aspektin e trysnisë nga refugjatët ukrainas.
Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiç theksoi rëndësinë për strehimin e refugjatëve ukrainas. Ai tha se vendi i tij kishte pranuar rreth 200 mijë refugjatë gjatë luftërave të Jugosllavisë.
Ndërkohë, kryeministrat iu shmangën pyetjes së gazetarëve nëse Serbia, e cila nuk ka pranuar t’i vërë sanksione Rusisë, mund të paraqesë rrezik ndaj sigurisë dhe qëndrueshmërisë së Ballkanit Perëdnimor.
Katër kryeministrat kanë folur edhe për bashkërendimin në fushën e furnizimeve me grurë dhe drithëra dhe për zhvillimin e Korridorit 8, nga Varna e Bullgarisë drejt Shkupit e në Durrës, për të vazhduar më tej në Podgoricë. Edhe për korridorin 10 po ashtu, sepse “këto korridore janë të rëndësishme edhe për mobilizimin ushtarak”, tha kryeministri bullgar.
(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)