Vjenë, 12janar 2023 – Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani e prezentoi sot në Vjenë programin e punës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, drejtimin e së cilës e mori nga 1 janari. Zoti Osmani theksoi prioritetet e organizatës, duke nënvizuar Ukrainën në krye të listës, ndërsa tha se agresioni rus, shkatërrimet dhe vdekjet e civilëve duhet të ndalen.
Kryesuesi i ri i OSBE-së, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani shpalosi sot në Vjenë programin e organizatës për vitin në vijim, duke theksuar prioritetet para Këshillit të Përhershëm të kësaj organizate.
Maqedonia e Veriut e mori kryesimin në fillim të janarit për ta çuar deri në fund të mandatit njëvjeçar. OSBE-ja numëron 57 vende anëtare nga Evropa, Amerika e Veriut dhe Azia.
Zoti Osmani foli për një axhendë ambicioze të presidencës maqedonase në rrethana komplekse për shumë pjesë të globit, ndërsa tha nga ana tjetër, se uniteti rreth parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së paraqet burim shprese dhe inkurajimi.
Ai tha se Ukraina mbetet çështja më me prioritet për OSBE-në:
“Agresioni duhet të ndalet. Vdekja e civilëve dhe shkatërrimi janë të papranueshme; Është e dhimbshme të shikosh vuajtjet e njerëzve. Pasojat dhe çmimi i kësaj lufte, janë të papërballueshme dhe të padurueshme për rajonin e OSBE-së dhe përtej”, tha zoti Osmani.
Ai nënvizoi rrezikun e krizave të tjera, duke thënë se paqëndrushmëria rajonale dhe mundësia për një konflikt të ri duhet të kenë vëmendjen e vazhdueshme të OSBE-së.
Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut tha se duhet të ruhet funksionimi thelbësor dhe veprimet e organizatës për t’u siguruar se ajo do të mbështesë rajonet e rrezikuara dhe të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur sfidave. Në Vjenë, ministri Osmani pati edhe takime dypalëshe me homologë të tij prej disa vendeve evropiane.
Maqedonia e Veriut do të ketë drejtimin e OSBE-së deri më 31 dhjetor. Autoritetet në Shkup shpresojnë se kryesimi i kësaj organizate të madhe ndërkombëtare do të ketë ndikim pozitiv për vetë pozitën e vendit në shumë fusha, përfshirë zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë e përgjithshme.
(Zëri i Amerikës)