Shkup, 17 mars 2025 – Në Maqedoninë e Veriut është shpallur zi kombëtare një javore për viktimat e tragjedisë që ndodhi në orët e hershme të së dielës, në Koçani
Të paktën 59 njerëz u vranë dhe 155 të tjerë u lënduan si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti në klubin e natës “Pulse”.
Autoritetet njoftuan se deri më tani janë identifikuar 35 viktima, 31 prej tyre nga Koçani dhe 4 nga Shtipi. Po ashtu, njoftuan se deri tani është kryer autopsia e 15 viktimave.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në një konferencë për shtyp, njoftoi se pacientët e lënduar nga zjarri në Koçan janë në gjendje të përgjithshme stabile, por 20 prej tyre mbeten në gjendje kritike. Aktualisht, 84 pacientë janë duke u mjekuar në vend, ndërsa 51 të tjerë janë dërguar jashtë vendit.
Ministri i Brendshëm, Pançe Toskovski, njoftoi se tre nga të vdekurit dhe më shumë se 20 prej të lënduarve janë nën moshën 18-vjeçare.
Autoritetet maqedonase kanë premtuar hetim të shpejtë dhe të plotë. Sipas tyre, hetuesit po sigurojnë dokumentacionin për klubin e djegur dhe për personat e dyshuar të lidhur me shpërthimin e zjarrit.
Rreth 500 njerëz kanë qenë në klubin e natës “Pulse” në Kocani ku po performonte bendi AND. Sipas hetimeve të para, zjarri ka shpërthyer në orët e hershme të të dielës nga shkëndijat e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi nga bendi muzikor. Flakët e zjarrit e kanë përfshirë fillimisht çatinë e klubit.
Në pamjet e regjistruara në vendin e ngjarjes shihet se çatia e klubit është djegur dhe është shembur në disa vende, gjë që ka shkaktuar përhapjen e zjarrit në enterierin e dominuar nga druri.
Hetimet e para kanë zbuluar gjithashtu se klubi operonte në mënyrë të paligjshme, nuk kishte dokumente të vlefshme për punë, nuk kishte leje për përdorimin e piroteknikës dhe nuk kishte nënshkruar kontratë me grupin muzikor që performonte natën kritike.
Ndër shkeljet e konstatuara është edhe lejimi i të miturve në klubin e natës.
Kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski, tha se pesë prokurorë janë angazhuar për ta hetuar ngjarjen.
“Për momentin, janë lëshuar urdhra për mbledhjen e provave dhe po merren në pyetje persona”, tha aii.
Kocevsk njoftoi se deri më tash janë arrestuar anëtarë të grupit muzikor, djali i pronarit të klubit dhe zyrtarë qeveritarë.
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski paralajmëroi arrestime të reja të personave lidhur me zjarrin, midis të cilëve ka edhe punonjës të Ministrisë së Brendshme.
Ai tha se deri tani janë identifikuar 23 të dyshuar lidhur me shpërthimin e zjarrit në Koçani, 11 prej të cilëve janë arrestuar tashmë dhe ndodhen në paraburgim.
(r.m.)