Maqedonia e Veriut voton për pushtetin e ri lokal

Shkup, 17 tetor 2021 – Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të dielën u janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjet e kryetarëve të 80 komunave dhe të këshillave komunalë, si dhe Shkupin me dhjetë komuna, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, (KSHZ) të drejtë vote kanë 1,824.864 qytetarë. Ata votojnë për herë të parë në mënyrë elektronike, përmes sistemit të identifikimit ërmes gjurmëve të gishtave, i njohur si “fingerprint”.

Për kryetarë të komunave garojnë 299 kandidatë,ndwrsa pwr 577 këshilltarë tw komunave garojnw 10,600 kandidatë.

Në këto zgjedhje garon për herë të parë një numër i madh i kandidatëve të pavarur për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë komunalë. Në KSHZ janë regjistruar 24 kandidatë të pavarur për kryetarë komunash.

Gara kryesore në këto zgjedhje pritet të zhvillohet mes dy blloqeve më të mëdha politike; LSDM-së dhe BDI-së, të cilat janë në pushtet, dhe VMRO-DPMNE-së dhe Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, të cilat janë në opozitë.

Beteja mes partive maqedonase është përqendruar në qytetet e mëdha të vendit, si: Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Velesi e Shtipi.

Partitë shqiptare do ta zhvillojnë garën mes tyre për qytetet me shumicë shqiptare, si: Tetova, Gostivari, Çairi (Shkup), Kërçova, Struga e Dibra, si edhe për disa komuna rurale.

Shumica e komunave në Maqedoninë e Veriut aktualisht udhëhiqen nga LSDM-ja e kryeministrit Zoran Zaev, ndërsa komunat me shumicës shqiptare udhëhiqen nga BDI.

Zgjedhjet sotme lokale po vëzhgohen nga 1,100 vëzhgues vendorë dhe 217 vëzhgues nga të OSBE-ODIHR-it. Ato po vëzhgohen edhe  nga vëzhguesit e shumë ambasadave të huaja.

Për mbarëvajtjen e procesit të votimit në të gjitha vendvotimet, 3.480 sosh, po përkujdesen pjesëtarët e forcave policore.

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut zhvillohen në dy raunde. Nëse asnjëri nga kandidatët nuk i fiton mbi 50 për qind të votave në raundin e parë,  më 31 tetor do të votohet për njërin nga dy kandidatët me numrin më të madh të votave në raundin e parë.

(r.m.)