Mark Rutte: Do të bashkëpunojmë me këdo që fiton në SHBA, qëllimi ynë është ta mbajmë NATO-n të bashkuar

Bruksel, 4 nëntor 2024 – “NATO do të punojë me këdo që fiton zgjedhjet në SHBA dhe do të bëjë gjithçka për të qëndruar e bashkuar”, deklroi sot Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Euroatlantike, Mark Rutte.

“Ne do të bashkëpunojmë me Kamala Harris, do të bashkëpunojmë me Donald Trump dhe do të sigurojmë që Aleanca të mbetet e bashkuar”, tha Rutte, në konferencën e përbashkët për medie me kancelarin gjerman Olaf Scholz, në Berlin.

 “Nuk kam asnjë dyshim, sepse kjo është në interesin tonë dhe në interesin e SHBA-së”, theksoi kreu i NATO-s.

Sipas tij, SHBA-ja do të mbetet e përkushtuar ndaj NATO-s.

“Ata e dinë se nëse Putini ka sukses në Ukrainë, atëherë një Rusi e guximshme do të jetë në krahun tonë lindor, kërcënim i drejtpërdrejtë për territorin e NATO-s”, theksoi ai.

Më 1 tetor, kur e mori detyrën e sekretarit të NATO-s, Rutte tha se nuk ishte i shqetësuar për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

“Unë i njoh shumë mirë të dy kandidatët dhe kam punuar katër vjet me Donald Trumpin”, tha Mark Rutte, i cili ishte kryeministër i Holandës për 14 vjet.

(r.m.)