Marrëveshja e Serbisë me Putinin për gazin i shkakton kokëdhembje të re Evropës

This image has an empty alt attribute; its file name is Luke-McGee-CNN.jpg

Luke McGee, CNN

 

Të dielën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq njoftoi se vendi i tij ka rënë dakord për një marrëveshje të re trivjeçare për furnizimin me gaz me kompaninë shtetërore ruse të energjisë, “Gazprom”, shkruan CNN, në një analizë të publikuar të mërkurën.

Lajmi erdhi në një kohë të vështirë dhe Vuçiqi me këtë veprim i shkaktoi “kokëdhimbje” të re aleancës Perëndimore anti-Putin, veçanërisht Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër të kontinentit, krerët e shteteve të BE-së nisën negociatat rraskapitëse për paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Moskës. Marrëveshja përfundimtare, e shpallur të hënën në orët e vona përfshin ndalimin e pjesshëm të importeve të naftës ruse në bllok.

Por, Brukseli u detyrua të bënte përjashtim importin e naftës në Hungari, në Sllovaki dhe në Republikën Çeke nëpërmjet një tubacioni, në mënyrë që të ruhej uniteti brenda bllokut. Nga disa anëtarë të BE-së ky veprim u pa si një lëshim i madh.

Serbia, ndonëse nuk është anëtare e BE-së, është pjesë e planit të zgjerimit të BE-së që përfshin edhe disa nga shtetet fqinje të saj. BE-ja është e vendosur të zgjerohet në Lindje dhe Ballkanin Perëndimor e sheh si çelës për sigurinë evropiane – aq më tepër në dritën e invazionit rus në Ukrainë.

Nga të gjitha shtetet ballkanike, Serbia shihet vendimtare për shumë arsye.

Madhësia, popullsia dhe pozita e saj gjeografike e bëjnë atë aktore kryesore në gjeopolitikën e rajonit. Në qoftë se doni të bëni një bisedë për të ardhmen e Bosnjës apo të Kosovës, në dhomë do t’ju duhet edhe qeveria serbe.

Serbia është e madhe dhe e rëndësishme në rajon prandaj është vendimtare për projektin e zgjerimit të BE-së, e cila synon të forcojë dhe zgjerojë vlerat, stabilitetin dhe sigurinë evropiane. Ajo është gjithashtu aq e madhe dhe e rëndësishëm sa mund të bëjë marrëveshje me Rusinë, me Kinën dhe me BE-në, me të gjitha në të njëjtën kohë – sido që e konsideron të arsyeshme – dhe të jetë ende bebëza e syrit të Brukselit.

Megjithatë, është e mundur që kjo të ndryshojë.

Serbia i ka mbështetur disa rezoluta të OKB-së që e dënojnë pushtimin e Ukrainës, por ajo nuk e ka sanksionuar Moskën ose nuk është rreshtuar në krah me Brukselin përsa u përket sanksioneve ndaj Moskës, gjë që pritej nga shtetet kandidate. Disa zyrtarë dhe analistë të BE-së druajnë se marrëveshja e re për gazin rus mund të jetë një hap shumë i madh larg disa vendeve anëtare të BE-së.

“Nëse përfundon, marrëveshja do të shkatërronte shpresat e atyre që e panë një mundësi për të reduktuar ndikimin rus në rajon”, tha Filip Ejdus, profesor i asociuar i sigurisë ndërkombëtare në Universitetin e Beogradit.

Ejdus beson se Vuçiqi ndoshta e dëshiron pjesën e tij të tortes dhe ka shijojë atë. Ai parashikon që Presidenti serb “me siguri do të japë premtime se Serbia mbetet në rrugën drejt BE-së  ose pret ndonjë ofertë më të mirë nga kancelari gjerman, Olaf Scholz”.

Por Ejdus paralajmëroi se “kumari mund të dështojë këtë here”, pasi aktualisht BE-ja ka prioritete të tjera politike. Ai tha se besimi mes dy palëve mund të thyhet përgjithmonë.

Mbetet të shihet nëse kjo do të thotë se bisedimet për anëtarësim do të ngecin apo se BE-ja do të ketë një qasje tjetër. Megjithatë, nuk mund të mohohet se marrëveshja për gazin ishte një pilulë shumë e hidhur për zyrtarët diplomatët në Bruksel.

“Ne jemi të shqetësuar”, i tha CNN-it një zyrtar i lartë i BE-së. “Përafrimi me vendet jashtë BE-së është më i rëndësishëm se kurrë për vendet brenda BE-së që përpiqen të qëndojnë në linjë”, tha ai, duke iu referuar veçanërisht Hungarisë, shtetit anëtar të BE-së që kundërshton një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë.

Steven Blockmans, drejtor i hulumtimeve në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane, i tha CNN-it se që nga fillimi i luftës, “BE-ja ka ushtruar presion ndaj vendeve të treta, përfshirë Kinën, që të kenë një qasje të ngjashme ndaj sanksioneve. Nëse edhe shtetet që përpiqen t’i bashkohen BE-së anashkalojnë sanksionet, u jep shpresë palëve brenda bllokut që t’i bëjnë ballë presionit të Brukselit për të mbështetur një qëndrim të fortë të përbashkët ndaj Rusisë”.

Dhe vështirësitë që Serbia po ia shkakton Brukselit nuk përfundojnë me sanksione.

“E gjithë kjo situatë është një kokëdhembje e madhe për ne, sepse lidhet me bisedën nëse Ukraina duhet të anëtarësohet apo jo në BE”, tha një diplomat i lartë evropian. Ukraina aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE në fillim të marsit, një proces që mund të zgjasë me vite, edhe kur anëtarët e bllokut e mbështesin plotësisht anëtarësimin e vendeve të reja.

Zyrtarë dhe diplomatë të shumtë i shpjeguan CNN-it përse ky debat është kaq i ndërlikuar për BE-në dhe debatin e brendshëm të saj për të ardhmen e bllokut.

Disa shtete anëtare duan ta përshpejtojnë procesin e anëtarësimit të Ukrainës dhe mendojnë se mungesa e harmonizimit të politikës së Serbisë me atë të BE-së ndaj Rusisë bën që vendet që duan të rreshtohen sa më shpejt që të jetë e mundur të marrin trajtim preferencial.

Të tjerët nuk duan që Ukraina apo vendet e Ballkanit Perëndimor t’u bashkohen fare, nga frika se kjo do të ndryshonte ekuilibrin e BE-së, duke u dhënë shteteve të Evropës Lindore më shumë pushtet në bllokun që historikisht ka qenë i dominuar nga vendet e Evropës Perëndimore, si Gjermania dhe Franca.

Më në fund, disa shtete anëtare e kanë njëfarë shkalle të euroskepticizmit dhe e kanë mirëpritur qëndrimin e shteteve më pak miqësore ndaj thirrjeve të disa vendeve që blloku të integrohet më ngushtë politikisht, sidomos të Francës.

Në njëfarë mase, vendet e lidhura tradicionalisht me SHBA-në e kanë shfrytëzuar rastin për të forcuar sigurinë perëndimore. Finlanda dhe Suedia duket se janë të përgatitura t’i bashkohen NATO-s, ndërsa të tjerët, veçanërisht Gjermania, janë obliguar për rritje të mëdha të shpenzimeve për mbrojtje.

Mbretëria e Bashkuar, e cila nuk është më pjesë e BE-së, ka bashkëpunuar mirë me aleatët e saj evropianë dhe ka treguar se – pavarësisht Brexit-it – edhe më tutje mund të ketë rol udhëheqës në frontin e bashkuar evropian.

Nga ana tjetër, kaosi dhe pasiguria u krijojnë mundësi edhe njerëzve që janë në pozitë si ajo e Vuçiqit. Ai është i dobishëm për Brukselin dhe për Moskën dhe ashiqare e ndjen se mund të vazhdojë të luajë me të dyja skuadrat sado që të vlejnë.

BE-ja është përballur me shumë vështirësi orej se ka nisur lufta në Ukrainë dhe ruajtja e unitetit të 27 shteteve anëtare nuk ka qenë detyrë e lehtë. Por fakti që marrëveshja e gazit me Serbinë ndodhi pikërisht në javën kur liderët e BE-së u takuan për arritur një ujdi pr ndalimin e energjisë ruse (që përfundoi me një gënjeshtër) dëshmon se deri në ç’masë disa gjëra i kanë dalë nga duart e centralizuara të Brukselit.

Me kalimin e kohës, kjo mund të bëhet një çështje shumë e ndërlikuar për të ardhmen e projektit evropian.

(CNN)