“Marrëveshja që u nënshkrua sot është baza e marrëdhënies së dy shteteve gjermane. Ajo është themeli mbi të cilin do të ndërtohen marrëdhëniet për të mirën e njerëzve”.
Me këto fjalë sekretari i atëhershëm i Shtetit në Kancelarinë Federale, Egon Bahr, shpalli nënshkrimin e marrëveshjes gjermano-gjermane.
Për politikanin socialdemokrat, 21 dhjetori 1972 ishte një datë historike. Ai dhe homologu i tij gjermano-lindor Michael Kohl nënshkruan marrëveshjen bazë gjermano-gjermane.
“Marrëveshja ndërmjet Republikës Federale Gjermane dhe RDGJ-së është një pikë kthese për të dy shtetet gjermane – veçanërisht për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, tha në atë kohë Michael Kohl para shtypit ndërkombëtar.
“Ajo mund të sigurojë që të dy shtetet,pa paragjykuar rendet e kundërta politike në të ardhmen të bashkëjetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë”, tha ai.
Çfarë përmbante marrëveshja gjermano-gjermane e vitit 1972?
Marrëveshja gjermano-gjerman ishte një prembulë me dhjetë nene dhe shoqërohej nga një sërë dokumentesh kontrakteuese.
- Në nenin 1, dakordohej zhvillimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta .
- Në nenin 2, të dy shtetet angazhohen të respektojnë parimet e Kombeve të Bashkuara.
- Në nenin 3, palët marrin përsipër të mos përdorin dhunë në rast mosmarrëveshjesh dhe të respektojnë kufijtë e njëri-tjetrit. Megjithatë, “paprekshmëria e kufijve” nuk përjashton ndryshimin e kufijve me marrëveshje të ndërsjellë.
- Neni 4 përcakton se asnjë nga dy shtetet nuk mund të përfaqësojë tjetrin ndërkombëtarisht.
- Në nenin 5 të dy shtetet premtojnë se do të marrin pjesë në procesin e sigurisë dhe bashkëpunimit në Evropë dhe do të mbështesin përpjekjet për çarmatim.
- Në nenin 6 të dy shtetet bien dakord që të drejtat sovrane të tyre t’i ushtrojnë etëm brenda territorit aktual të respektojnë autonominë dhe pavarësinë e njëri-tjetrit në çështjet e brendshme dhe të jashtme.
- Neni 7 premton marrëveshje bashkëpunimi në një sërë fushash (duke përfshirë ekonominë, shkencën, postën dhe telekomunikacionin, kulturën dhe sportin).
- Në nenin 8 rregullohet shkëmbimi i Përfaqësuesve të Përhershëm.
- Neni 9 thotë se kontrata nuk prek kontratat e mëparshme.
- Neni 10 rregullon ratifikimin dhe hyrjen në fuqi.
Si u prit marrëveshja gjermano-gjermane e vitit 1972 nga palët nënshkruese?
Me këtë dokument RDGJ njohu për herë të parë të drejtat e Katër Fuqive, si dhe e qeverinë e Republikës Federale perëndimore si përfaqësuese legjitime të Berlinit Perëndimor. Ndërsa RFGJ lejoi anëtarësimin e RDGJ-së në OKB:
“Marrëveshja me RFGJ-në përmban njohjen e paprekshmërisë të kufijve dhe njohjen e Republikës Demokratike Gjermane sipas ligjit ndërkombëtar, si një shtet sovran dhe të pavarur”, tha Erich Honecker, kreu i Partrisë sunduese socialiste, para Kuvendit Popullor të RDGJ-së.
Deri në vitin 1969, Gjermania vepronte sipas të ashtuquajturës doktrinës Hallstein: Qeveria Federale në Bonn e shihte veten si përfaqësuesen e vetme për të gjithë gjermanët. Kur shtetet e tjera e njohën RDGJ, kjo në Bonn u pa si një akt jomiqësor. Si rezultat, RFGJ asokohe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavinë dhe me Kubën.
Kjo kthesë e njohjes së papritur faktike e RDGJ-së nga qeveria social-liberale e Willy Brandtit u shoqërua me konflikte të ashpra në politikën e brendshme. Në maj të atij viti Brandt e kishte kaluar me sukses një mocion votëbesimi për këtë çështje, më pas Bavaria e paditi marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese, por padia u hodh poshtë në mesin e vitit 1973. Gjykata kushtetuese nuk pa shkelje të kushtetutës në të. Marrëveshja hyri në fuqi në shtator 1973.
Çfarë solli marrëveshja gjermano-gjermane në të vërtetë?
Negociatori i atëhershëm gjermano-perëndimor, Egon Bahr, mbas nënshkrimit në dokumente kishte shkruar: “Deri tani nuk kishim marrëdhënie, tani do të kemi marrëdhënie të këqija – ky është progres”.
Faktikisht marrëdhëniet mes dy vendeve nuk u bënë miqësore. Por, marrëveshja afroi njerëzit nga dy anët e kufirit: falë bashkëpunimit kulturor, sportiv e në fusha të tjera, Dhe ky ishte qëllilm i kancelarit të atëhershëm Willy Brandt.
“Marrëveshja bazë e ndryshoi RDGJ-në”, tha sot për Agjencinë Gjermane të Lajmeve, dpa, politikani i së majtës gjermane, Gregor Gysi, një dëshmitar i kohës, asokohe avokat në RDGJ.
Papritur, në vend nisën të vinin jo vetëm diplomatët e Gjermanisë Perëndimore, por edhe gazetarët. Kronikat nga RDGJ transmetoheshin në Lindje përmes televizionit perëndimor.
21 dhjetori 1972 nuk hyri në histori si ditë feste. Megjithatë, nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë solli një zhvillim të ri në historinë gjermane të pasluftës. E askush nuk e merrte me mend se as dy dekada më pas RDGJ-së do të shpërbëhej si pasojë e shembjes së Murit të Berlinit, në vitin 1989.
Marrëveshja gjermano-gjermane si model për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë?
Marrëveshja e atëhershme mes dy shteteve gjermane po shërben tani si model për një marrëveshje të mundshme mes Serbisë dhe Kosovës. Propozimi zyrtar i BE-së bazohet në planin franko-gjerman, i cili quhet kështu meqë variantin e tij të parë e prezantuan këshilltari i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, Jens Plötner, dhe këshilltari i presidentit francez, Emmanuel Macron, Emmanuel Bonne, në shtator, në një udhëtim të përbashkët në Prishtinë dhe në Beograd.
Deri tani plani evropian po mbahet ende konfidencial. Megjithatë, media evropiane dhe lokale ka publikuar disa variante të këtij plani dhe ngjashmëria me planin gjermano-gjerman është evidente.
Edhe aty flitet për raporte të mira fqinjësore dhe me të drejta të barabarta, thuhet se palët duhet të respektojnë të drejtat sovrane, të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, sikurse në marrëveshjen gjermano-gjermane, flitet për zgjidhje të mosmarrëveshjeve “me mjete paqësore dhe pa kanosje për përdorim dhune”. Edhe aty thuhet që “palët të mos e përfaqësojnë njëra-tjetrën ose të mos veprojnë në emër të njëra-tjetrës në sferën ndërkombëtare”, për këmbim përfaqësish, etj.
Engjellushe Morina nga Këshilli Evropian për Çështje të Jashtme, ECFR, i tha DW se ky është një plan shumë i rëndësishëm dhe duhet të merret seriozisht nga të dyja palët.
“Ka elemente që çojnë deri te një marrëveshje finale. Fakti që kërkohet njohje reciproke e dokumenteve, respektim i juridiksionit, respektim i simboleve shtetërore, kërkohet trajtim në nivel të barabartë e shumë elemente të tjera, do të thotë se Serbia e njeh si realitet pavarësinë e Kosovës”, tha ajo.
“Ndryshe nga Plani gjermano-gjerman, plani franko gjerman ka një përparësi sepse aty flitet në mënyrë eksplicite për anëtarësim të të dy vendeve në BE dhe ky është një motiv i mirë për bashkëpunim mes dy palëve”, tha Morina.
“Serbisë kësisoj i çelet rruga për të përmbyllur kapitullin e 35 të negociatave me BE, ku kërkohen marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, ndërsa për Kosovën, kjo nënkupton një kornizë për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë, çka hap rrugë që kërkesa e saj për kandidate të BE-së të marrë një përgjigje pozitive”, i tha Morina DW.
Marrëveshje festive apo diplomaci vizitore?
Takimet e deritanishme mes Kurtit dhe Vuciqit, të ndërmjetësuara si nga Lajçak, në Bruksel, ashtu edhe nga kancelari Scholz, në Berlin, apo nga presidenti Macron, në Paris, nuk kanë sjellë ndonjë afrim mes Kosovës dhe Serbisë në këtë çështje. Përkundrazi, konfliktet kanë ardhur duke u thelluar, si në retorikë ashtu edhe në veprime.
“Në këto kushte, lind pyetja se a është e mundur të arrihet një kompromis, kur lidershipet e dy vendeve janë kaq të armiqësuare me njëri-tjetrin”, shtron pyetjen Beqë Cufaj, ish – ambasador i Kosovës në Berlin.
Cufaj kujton arritjen e marrëveshjes gjermano-gjermane në vitin 1972, në nivel sekretarësh shteti, e jo liderësh, shtrëngime duarsh e zhurmë të madhe. Një gjë të tillë ai e përfytyron edhe për marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës, nëse kjo do të arrihet.
“Nuk besoj se do të jetë një takim i përbashkët i krerëve të shteteve, me shtrëngim duarsh në mënyrë festive, por do të ketë një ‘diplomaci shuttle’”, tha Cufaj.
“Në këta muaj do të ketë shumë udhëtime diplomatësh të rangut të lartë nga Uashingtoni, Brukseli, Parisi dhe Berlinim për të bindur palët të nënshkruajnë marrëveshjen që, në fund të fundit, do të jetë në të mirë të njerëzve”, tha ai për DW.
(DW)