SHQIPTARËT JANË MË SHUMË SE SHQIPËRIA
Nga Visar Zhiti
Shqiptarët e fortë, ata të mirët, bujarët, me një madhështi të brendshme, por që u shfaqet, mjafton një dramë, një pabesi e tjetrit, një mort, një dasmë, sidomos një valëvitje flamuri mbi një pirg a llogore, janë më të fortë se Shqipëria vetë dhe atë mirësi prej tyre e ka vendi, bujarinë proverbiale dhe atë madhështi tradicionale, e adhuruar nga të huajt, udhëtarë, pelegrinë, pushtues, poetë… Bajroni tha se shqiptarët kanë virtyte, por ah, t’i kishin më të arrira.
Shqiptarët janë më shumë se Shqipëria dhe duket se u ka munguar vetëm arritja… – kam menduar shpesh, natyrisht që kemi Shqipëri, aq sa është, gjusmë, kemi dhe Republikë të pavarur të Kosovës, por më trishton pa masë bjerrja, ajo shprishje që i erdhi racës shqiptare nga vetvetja ose pothuajse…
Dekadat e diktaturës komuniste dhe për pasojë dhe postdiktatura sollën më dëm në prishjen e racës se shekujt e pushtimit, e kam fjalën për virtytet njerëzore, aq sa më duket se pushtet ka patur më shumë e keqja.
QË MENDOVA ASHTU?
…shkak ishte dhe Mustafa Merlika – Kruja, ka datëndjen sot, në mes të marsit të trimërisë siç e quan kënga e popullit, teksa prilli i dashurisë duket se veç vonon. Ai është personalitet me rëndësi i librit shqip, është historian, kur s’kishte dhe aq të tillë, gjuhëtar në nivel shkencëtari, kur s’kishte dhe aq të tillë, përkthyes, të mbijetesës, mjeshtëror në të shkruar, pra dhe stilist, zgjodhi emrin letrar Shpend Bardhi, i qartë në mendime, i guximshëm, di të shquajë vlerat e kundërshtarit dhe meritat e armikut.
Po ai dinte historinë e kombit të tij ashtu si të familjes së tij, bëri Shqipëri bashkë me ata që e bënë, është një nga burrat e Pavarësisë së nëntorit 1912, ndërsa kur bëhej “Pavarësia e Dytë, Kongresi i Lushnjës në janar të 1920, nuk ishte në sallën historike, por maleve, organizonte qendresën antiserbe në Dibër dhe Lumë, do të ishte për një “Shqipëri romane” – nëse mund ta themi kështu gjatë Luftës II Botërore dhe në vitin 1941, nën pushtimin fashist, në sopatat e Liktorit, ai do të ishte kryeministër – kolaboracionist si arritje e nacionalizmit, sa ç’mund të arrihej në pushtim.
Dhe pikërisht për këtë fitimtarët e mbas Luftë II Botërore, adhurues më shumë te prangave se të librit, do ta përndiqnin, duke dashur vrasjen e tij, duke e mbuluar me harrim emrin dhe veprën madhore.
Po ai tashmë është vetë pjesë e historisë.
* * *
Dua ta kujtoj sërish. Në librin tim, “Kartela të Realizmit të dënuar” është dhe
KARTELA
Mustafa Merlika-Kruja,
(1887 – 1958)
…Do të ikte.
Kryeministër i Shqipërisë, i diplomuar për shkencat politike jashtë vendit, bashkëpunëtor i Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në Shpalljen e Pavarësisë, që pëveç punëve si patriot dhe historian, shquhet dhe si gjuhëtar i klasit të parë dhe la në dorëshkrim një Fjalor prej 2.400 faqesh, me 30.000 fjalë shqip.
Kjo lëndë madhore mbeti në kthetrat e fitimtarëve dhe ata e dinë ç’bënë me të, si e shqyen, e përvetësuan, e dogjën.
Libra të tjerë të Mustafa Merlika-Krujës janë: “Anthologji Historike”, “Letërkëmbim 1947-1958”, “Kujtime vogjlije e rinije”, “Aleksandr’ i Madh” dhe “Vëzhgime Iliro-shqiptare”, punime shkencore origjinale, si dhe përkthime prej tij të veprave themelore që lidhen me ilirët dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët, një ndihmesë e vyer dhe me rëndësi.
PO Ç’KA THËNË BABAI I GAZETARISË MODERNE ITALIANE, INDRO MONTANELI
Gazetari i famshëm italian Indro Montaneli, autori i një libri trallisës për Shqipërinë, ja ç’do të shkruante për qeverinë e Mustafa Krujës në “Corriere della sera”: “Ministrat shqiptarë… të gjithë vishen thjesht, janë pak të ashpër, por të përgatitur mirë teorikisht. E kaluara e tyre është njëlloj: kanë vuajtur për vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: njësía territoriale e Shqipërisë, autonomia e brendshme, mbrojtja e racës dhe e pasurisë kulturore, bashkëpunimi me Italinë mbi bazën e të drejtave dhe të detyrimeve të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë”.
Dhe për vetë kryeministrin: “Suksesi e nderimet nuk kanë mundur ta shndërrojnë natyrën dhe sjelljen e jashtme të këtij burri… (që) nuk i jep rëndësi vetes me poza e me fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë me maturi e… thotë të vërtetën… Jeta e tij ngjan me atë të Mazzini-t e programi i tij është ky: dua një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë.”
Kryeministri Kruja dhe qeveria e tij do të ishin dhe mbrojtës të pashoq të hebrenjve, që përndiqeshin kudo. Jo vetëm që nuk do t’i dorëzonin te pushtuesi nazi-fashist, por do të vinin të tjerë nga të mundnin dhe Shqipëria do të ishte vendi që do të kishte hebrenj më shumë pasi mbaroi lufta, sesa kur nisi.
Dhe pikërisht do të iknin si çifuti në shkretëtirë, personalitete të tjera të vendit, intelektualë…
VAZHDIM I DËNIMIT, KARTELË TJETËR
Eugjen Merlika
…që ka gjysh Mustafa Merlika – Krujën, e rëndë kjo për në burg, kryeministrin e dënuar, kaq duhej, se nuk i kujtonin më që ai ishte patrioti, albanalogu dhe gjuhëtari i shkëlqyer, i ikur nga regjimi, patjetër që familja e mbetur “në mëshirë të të pamëshirshmëve”, do të përfundonte internimeve e do të kërcënoheshin me burg.
Eugjenin e kisha parë kur vinte me biçikletë nga balta e internimeve në Lushnjë, isha gjimnazist, por do të na bashkonte burgu i Spaçi. Pastaj dhe Italia, ku ai mërgoi dhe unë punoja në ambasadë në Romë. Në burg i kërkoja fjalë italisht, tani shkëmbenim nga librat tanë,
Pasi botoi përmbledhjen me poezi “Muzg”, Eugjeni do të botonte memuaristikë dhe artikuj të shumtë në gazeta, vëzhgime politike, kritika letrare, ese, që do t’i përmblidhte në libra të ndryshëm, ndër më të fundit “Elegji për brezin tim” dhe pastaj do t’i hynte një pune të madhe, akademike, që duhej ta bënin akademitë, përgatiti gjithë Veprën e Mustafa Krujës, studime, histori, gjuhësi, polemika, letërkëmbim, etj, e cila, duke dalë në këto vite, plotësoi një vend bosh në studimet shqiptare, me një vlerë të rëndësishme kombëtare.
[…]
Kur i bënë atentat Luigj Gurakuqit në Bari në rrugën që mban emrin e tij, bashkë me të ra dhe një kukull, e kishte marrë t’ia çonte një vogëlusheje… që do të bëhej nëna e Eugjenit.
E lindur në Romë, Elena Gjika kreu studimet për letërsi me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Napolit dhe mes zgjedhjes për të mbetur pedagoge në Itali apo të shkonte në Shqipëri, parapëlqeu këtë të dytën, shkoi pas të shoqit, inxhinier Petritit, diplomuar në Francë, i biri i Mustafa Krujës.
Elena, e talentuar në gjuhësi, do të bashkëpunonte me vjehrrin për Fjalorin e madh të Shqipes. i shoqi merrej me ndërtimet në Shqipëri, por atë e arrestojnë dy vjet pas mbarimit të Luftës, se bënte pjesë në ata që donin të krijonin një parti liberale opozitare. E dënojnë me 15 vjet burg.
Eugjenin 6 vjeçar me nënën dhe gjyshen i dërgojnë në kampin-aushvic të Tepelenës Që fëmijë provoi qelitë. Pasi mbyllet, i çojnë në internim në Lushnjë, fshatrave. Po prisnin që Eugjenin të mbushte moshën për burg. Dhe e arrestojnë në vitin 1980, e dënojnë pa bërë gjë fare me 8 vjet burg…
Kështu deri sa bie Muri…
Nga Zonja Elena kanë mbetur dy sprova, një e shkruar për studentët në Itali, për personalitetin e të riut, dhe tjetra për dhunën në internim në Tepelenë, ku nëpërkëmbej edhe jetesa si qenie, por ja, që çuditërisht, një herë u arrit të kremtohej një Krishtlindje, megjithëse të ndaluara, me një prift të internuar dhe korin ilegal të të internuarave. Ishte liturgjia e ëndrrës.
Vuajtjet dhe dënimet bënë që të humbte vepra e saj, të mos shkruhej dot. U rikthye atje ku kishte lindur, në Itali, ku dhe mbylli sytë afër Romës në vitin e dytë të mijëvjeçarit të ri, por kërkoi të prehej në vendin, ku u lodh aq shumë, në Shqipëri. Emri i saj ndrit përzishëm në varrezën familjare në Krujë, ku ka dhe një shesh tani me emrin: Mustafa Kruja.
Vepra “Merlika-Kruja” përmbledh kohë të tre brezave, kohë të përjetësisë së Shqipërisë.
DY LIBRAT E DIJETARIT:
I kam ndër duar dy librat më të fundit të tij si festë e datëlindjes. Vepra të kujtesës kolektive dhe të mbijetesës, “Lashtësi shqiptare” – 2021 dhe “Historij’ e vonë” – 2023, botimet “Berk”, emërtimi i së cilës më emocionon: “një formë gjuhësore arkaike e shqipes, që shenjon librin, gjurmët tashmë të humbura…” në mesjetën shqiptare dhe të rishfaqura po në atë mesjetë, më saktë me rilindjen e vonuar. I shkon shumë dhe misionit të Mustafa Merlika – Krujës.
“Lashtësi shqiptare” përmbledh shkrime historike dhe përkthime të tij, të përgatitura nga nipi, Eugjeni, me një parathënie nga arkivisti Sokol Çunga, studiues dhe kritik letrar, përkthyes dhe ai, ku thotë se “ky është një tekst i historisë së Shqipërisë… por në të njëjtën kohë është dhe histori e vetë autorit të tij.”
Tematikë enciklopedike, që nga parahistoria, legjendat, pellazgët, epoka ilirjane, helenët, thrakët, maqedonët, Aleksandri i Madh, Pirro, Roma, kryqtarët, Bullgaria e Dytë, Beteja e Fushë Kosovës, Arbëreshët, Histori e Skënderbeut, etj…
Libri tjetër, “Historij’ e vonë”, me “Kapituj të randsishëm të historisë së shtetit shqiptar”, ka po atë enciklopedizëm, por kombëtar, nis me Gjomarkajt, Ali Tepelena, Lidhja e Prizrenit, revolucioni Xhon-Turk, kryengritjet, 1912, Kosova dhe Vlora, Toptani, Bajram Curri, Kongresi i Durrësit, Konferenca e Parisit, Fan S. Noli, Luigj Gurakuqi, etj, Balli Kombëtar, Konferenca e Mukjes… Konferenca e Parisit… çfarë i duhet shkollës shqipe dhe deri “Pse Enver Hoxha asht në krye”… “në skenën tragjike të revolucionit komunist shqiptar”.
Botimi është përgatitur nga Anna Shkreli, me parathënie nga Eugjen Merlika, të cilën e titullon “Rilindasi i brezit të fundit”.
Barra i ka rënë atij, prurësit dhe përkujdesësit të gjithë Veprës së Mustafa Merlika – Krujës, një ish i burgosur politik, ai i bën të gjitha, madje me paratë e tij nga dëmshpërblimi i mangët i burgut. Si bashkëvuajtës me mua, më dërgoi dhe dy botimet e fundit këtu, jo shumë larg nga vendi, ku gjyshi i tij si i mërguar politik mbylli sytë përgjithmonë, në Niagara Falls, në një dimër në SHBA.
Bashkohemi me atë që shkruan shkrimtari themeltar Ernest Koliqi: “Veprat e Mustafa Krujës mbesin dëshmimi i shkëlqyeshëm i kontributit që ai i solli naltësimit moral e kulturor të botës shqiptare.”
Botimi i tyre duhej të ishte detyre dhe punë e akademive dhe katedrave të historisë, gjuhësisë dhe albanologjisë, e Lidhjes së Shkrimtarëve si për një akademik dhe historian të shquar, gjuhëtar, albanalog dhe stilist të shqipes, e Ministrive të Kulturës për një autoritet të kulturës, e Kryeministrisë për një kryeministër.
Mustafa Merlika – Kruja tashmë është një institucion. Nëse Shqipëria nuk do të dijë që përvojën dhe arritjet e tij ashtu si dhe humbjet t’i bëjë pjesë të përvojës, arritjeve dhe humbjeve të saj, do të dëmtojë kështu historinë dhe kujtesën e popullit, por dhe kritikën e ardhmërisë.