Frankfurt, 23 janar 2023 – Michael Martens, gazetar i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitunge” (FAZ), ka analizuar përpjekjet për shtyrjen përpara të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.
“Të premtën e kaluar, një delegacion i rangut të lartë amerikan dhe europian vizitoi Prishtinën dhe Beogradin. Ai përbëhej nga këshilltarët e politikës së jashtme të Emmanuel Macron, Olaf Scholz, kryeministrit italian plus përfaqësuesit special të BE-së dhe SHBA-së për rajonin”, shkroi Martens në Tëitter.
“Të mbështetur nga SHBA, Gjermania, Franca dhe BE-ja në shtator 2022 i propozuan Serbisë dhe Kosovës që ta zgjidhin konfliktin e tyre sipas linjave të traktatit bazë gjermano-gjerman të vitit 1972. Kuptimi: Prano palën tjetër, pa njohje formale. Pranoni të mos pajtoheni. Ecni përpara”, shtoi ai.
Martens shkruan se gjithë diskutimet në takimin e fundit të emisarëve të SHBA-së dhe BE-së me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, shte fokuusuar në pyetjeje themelore: “A janë Serbia dhe Kosova gati ta pranojnë propozimin perëndimor si bazë për zgjidhje?”.
“Thuhet se kryeministri i Kosovës Kurti ka vënë një kusht: Për ta pranuar propozimin e Perëndimit për zgjidhje, atij i duhen garanci se 5 shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, do ta bëjnë këtë. Kurti dyshohet se ka kërkuar që kjo të përfshihet në propozim”, shkruan Martens.
Sipas tij, këtë kërkesë s’mund ta plotësojnë Brukseli, Berlini e Parisi.
“Kjo është padyshim një kërkesë që as BE-ja, as Gjermania apo Franca nuk mund ta përmbushin, pasi nuk mund të flasin (e lëre më të japin garanci) në emër të Spanjës, Rumanisë, Greqisë, Sllovakisë dhe Qipros. Të gjitha këto vende kanë arsyet e tyre të brendshme për të mos njohur Kosovën”.
“Duket se Perëndimi përpiqet ta përfytyrojë Kurtin si një egomaniak kokëfortë që nuk e kupton potencialin e ofertës perëndimore. Por, kur i shikoni 10 vitet e fundit të politikës së BE-së për Ballkanin, ngurrimi i Kurtit (edhe i presidentit serb, Vuçiq) për t’u besuar premtimeve perëndimore është i kuptueshëm”, shkruan ai.
“Në thelb, të dërguarit perëndimorë vijnë në Prishtinë dhe Beograd si shitës me duar bosh ose, më mirë, ashtu si shitësit që përpiqen ta shesin një produkt që nuk e ka magazinë. Nuk është çudi që klientët e tyre të mundshëm janë në dyshim”, thekson Martens.
Ai kujton se Perëndimi premton qysh prej viteve 1990 anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, por nuk ka bërë asnjë lëvizje përpara, prandaj e ka humbur besimin e liderëve të rajonit.
“Kurti dhe Vuçiq sigurisht që e dinë këtë. Pra, pse duhet ta rrezikojnë kapitalin politik? Për një biletë për në Neverland? Kosova nuk po merr as ndihmën e rëndësishme perëndimore në përpjekjen e saj për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës. Pse duhet të presë trajtim më të mirë në rrugën e saj drejt BE-së?”, pyet Martens.
(r.m.)