Mary Camaj, e lindur në Nju Jork, e promovon identitetin e saj kombëtar përmes xhubletës

Tiranë, 13 gusht 2024 – Në manifestimin kulturor “Logu i Bjeshkëve”, mbajtur në skajin më verior të Shqipërisë, në Kelmend, mes dhjetëra vajzave të veshura me xhubletën tradicionale të Malësisë ishte edhe vajza shqiptaro-amerikane Mary Camaj.

E lindur në New York nga prindër emigrantë nga Hoti dhe Kastrati i Malësisë së Madhe, Mary kërkon të njohë dhe ruaj rrënjët e saj shqiptare, nga Malësia e Madhe, një zonë kjo me tradita të shumta kulturore dhe atdhetare. Mes shumë vlerësimeve, në “Logun e Bjeshkëve” ajo u nderua me çmimin “Miss Xhubleta”, çmim të cilin ajo thotë se ja kushton të gjitha vajzave dhe grave, të cilat, duke ruajtur identitetin e tyre kombëtar, e veshën xhubletën gjatë rrugëtimeve të tyre nëpër botë.

“Kudo që jam në Botë, Malësinë e kam në zemër. Xhubleta është thesari jo vetëm i Shqipërisë, por i gjithë shqiptarisë. Kështu që, jam shumë krenare që erdha këtu sot. Te gjitha femrat, kudo në botë, të cilat kanë veshur xhubletën, sot unë jam duke e veshur xhubletën për ata”.

Pjesëmarrëse e disa grupeve kulturore të shqiptarëve në Amerikë, Mary u bë e njohur edhe në Shqipëri për paraqitjen e saj me xhubletë në ceremoninë e diplomimit në Universitetin e Kolombias, për të cilën ajo thotë se mori shumë mbështetje përmes rrjeteve sociale nga bashkëkombasit e saj, gjë që e ka bërë krenare për rrënjët e saj shqiptare.

Manifestimi kulturor “Logu i Bjeshkëve”, Kelmend

Manifestimi kulturor “Logu i Bjeshkëve”, Kelmend

“E bëra për të plotësuar një ëndërr që e kam pasur. Që në momentin që u pranova në universitet e dija që, kurdo që të diplomohem, do të veshi xhubletën e vajzërisë që e kam në shtëpi. Por, kur erdha këtu në Shqipëri, edhe përmes rrjeteve sociale, kam marrë vlerësim. Unë e them gjithmonë se nuk ka vlerësim më të madh se një vlerësim prej një shqiptari tjetër. Kështu që, të tanë jemi bashkë, të tanë jemi një. Jam shumë mirënjohëse dhe krenare dhe shpresoj që çfarëdo që të bëj unë në jetë të sjell krenari këtu, në tokën amë”.

E vetëdijshme për identitetin e saj kulturor, Camaj vlerëson, përmes manifestimit “Logu i Bjeshkëve”, trashëgiminë e pasur kulturore të Kelmendit dhe Malësisë së Madhe dhe fton bashkëmoshatarët e saj në diasporë që të vijnë dhe të marrin pjesë.

“Nuk ka gjë më të bukur sesa “Logu i Bjeshkëve” për Malësinë dhe, shpresoj që për çdo vit të bëhet edhe më mire. Dhe shpresoj që, sa më shumë vajza, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe diaspora, të vijnë dhe të marrin pjesë”.

E ndaluar gjatë periudhës së regjimit komunist, veshja më e hershme e shqiptarëve, xhubleta, është rishfaqur vitet e fundit duke tërhequr admirimin dhe vëmendjen e studiuesve dhe publikut për madhështinë, larminë e motiveve dhe mjeshtërinë punimit, duke u përfshirë në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s”.

(Zëri i Amerikës)