Podgoricë, 12 gusht 2022 – Të paktën 10 persona janë vrarë në një incident me armë në Cetinjë të Malit të Zi, të premten, më 12 gusht. Mediet malazeze raportojnë për dhjetë të vdekur, përfshirë sulmuesin, dhe për gjashtë të plagosur. Mes të plagosurve është edhe një pjesëtar i policisë.
Sipas raportimeve, një burrë 34 vjeçar ka qëlluar me armë familjarët e tij dhe disa persona të tjerë.
Policia ka reaguar menjëherë dhe ka vepruar për neutralizmin e të dyshuarit, i cili nuk ka pranuar të dorëzohet dhe ka qëlluar me armë edhe ndaj punonjësve të policisë. Policia është kundërpërgjigjur me zjarr dhe i dyshuari ka mbetur i vrarë.
Sipas dëshmitarëve, sulmuesi po qëllonte ndaj të njerëzve që po ecnin në rrugë, përfshirë fëmijët. Ai ka penguar autoambulancën që të transportonte në sotal të plagosurit.
Katër nga të plagosurit janë dërguar në spitalin e Cetinjës, ndërsa dy të tjerë që kanë marrë plagë të rënda janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike në Podgoricë.
Në vendngjarje ndodhet prokurori i lartë i shtetit, forcat e emergjencës dhe policia.
Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili me anë të një mesaazhi në rrjetin social Telegram ka shprehur keqardhjen dhe ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave.
“Ka ndodhur një tragjedi që Mali i Zi nuk e mban mend. Ftoj të gjithë qytetarët e Malit të Zi që të luten për familjet e viktimave të pafajshme, të afërmit, miqtë e tyre dhe të gjithë qytetarët e kryeqytetit historik të Cetinjës”, shkruan Abazoviq.
(r.m.)