Ulqin, 16 maj 2021 – Masakra e Tivarit e vitit 1945 cilësohet ndër ngjarjet më tragjike të popullit shqiptar, kur forcat ushtarake të ish-Jugosllavisë vranë gati 4000 të rinj dhe burra nga Kosova.
Kjo ngjarje tragjike vazhdimisht kujtohet nga shqiptarët në Mal të Zi, kurse këto ditë doli nga shtypi libri i studiuesit Nail Draga “Masakra e Tivarit, gjenocid kundër shqiptarëve”.
Masakra e Tivarit është tragjedia më e madhe e regjimit komunist që u realizua me pabesi ndaj të rinjve kosovarë. Ky mobilizim tragjik i çoi drejt vdekjes rreth 4000 persona, të cilët besohet se u vranë në qytetin e Tivarit nga forcat e ushtrisë jugosllave.
Studiuesi Nail Draga vlerëson se kjo ngjarje ishte një strategji për të spastruar shqiptarët nga Kosova dhe për të instaluar pushtetin ushtarak atje.
“Masakra e Tivarit i 1 prillit 1945 është një rast i veçantë që dëshmon për një veprim strategjik të pushtetit ushtarak dhe politik të Jugosllavisë së asaj kohe dhe animoziteti i tyre ndaj shqiptarëve për arsye se nuk mund të arsyetohet me asnjë akt një veprim i tillë gjenocidal kundër shqiptarëve pasi në atë kohë nuk ka pasur operacione ushtarake në këtë vend. Andaj qytetarët nga Kosova, të cilët në një mënyrë janë marrë peng gjoja se do të luftohet armiku në pjesën veri-perëndimore të ish-Jugosllavisë. Kjo ishte një strategji perfide e tyre për ti spastruar shqiptarët nga Kosova dhe për të realizuar vendosjen e pushtetit ushtarak të Serbisë në Kosovë”, thotë zoti Draga.
Në përkujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, këto ditë doli nga shtypi libri “Masakra e Tivarit, gjenocid kundër shqiptarëve” i përgatitur nga studiuesi Nail Draga, i cili ofron të dhëna me interes për lexuesin shqiptar.
“Ky botim ofron të dhëna me interes dhe nga ana tjetër paraqet edhe përgjegjësinë e shtetit shqiptar lidhje me këtë ngjarje tragjike, përgjegjësi që shteti shqiptar asnjë herë nuk e ka trajtuar në mënyrë serioze dhe shkencore për arsye se ata ishin bashkëfajtorë dhe bashkëpërgjegjës për këtë masakër kundër shqiptarëve. Unë mendoj se në të ardhmen duhet të bëhen hulumtime në arkivat të ndryshme dhe sigurisht në arkivin ushtarak të ish- Jugosllavisë, por edhe në mjedise tjera për të gjetur materiale të mjaftueshme për këtë çështje”, shtoi zoti Draga.
Studiuesi Draga po ashtu vë në dukje se për Masakrën e Tivarit arkivat e shtetit në Beograd dhe Podgoricë janë të mbyllura. Megjithatë ai beson se Kosova, si shtet i pavarur, do të angazhohet në ndriçimin e kësaj ngjarjeje tragjike.
“Deri më tani në opinionin e Malit të Zi nuk ka të dhëna për këtë çështje, ndërkohë që arkivat janë të mbyllura për arsye se nuk do të pranojnë se kanë kryer krime. Sidoqoftë krimet mbesin krime dhe ato duhet të publikohen dhe duhet të zbardhën dhe të njihen opinione me ato të dhëna. Unë mendoj se në rrethana të reja kur Kosova është shtet i pavarur u takon atyre që të angazhohen drejtpërsëdrejti me qeverinë në Mal të Zi që në vendin e krimit të vendoset një pllakë përkujtimore ose të ndërtohet një memorial në kujtim të viktimave të kësaj masakre”, tha zoti Draga.
Zoti Draga thotë se vrasjet e djemve dhe burrave kosovarë u realizuan nga pjesëtarët e Brigadës së Dhjetë Malazeze. Të vrarët, sipas tij, nuk janë varrosur, por janë dërguar në vende të ndryshme për të humbur gjurmët e krimit, ku edhe sot varret mungojnë.
(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)