Mattarella në Tiranë: BE nuk është i plotë, pa vendet e Ballkanit Perëndimor

Tiranë, 8 shtator 2022 – Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka deklaruar të enjten në Tiranë mbështetjen e Italisë për rrugëtimin europian të Shqipërisë.

“Një lidhje mes Shqipërisë dhe Italisë që është rritur sikurse mes komunitetit të italianëve në Shqipëri dhe atij të shqiptarëve në Itali. E kemi pritur me kënaqësi të madhe arritjen e udhëtimit historik për hapjen e negociatave të Shqipërisë. Bashkimi Evropian me pak vonesë arriti të realizojë premtimin e dhënë popullit shqiptar. Vendet si Italia e kanë mbështetur hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe shpresojmë që kjo të ecë shpejt drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ka thënë Matarella, në konferencën e përrbashkët për medie me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Mattarella ka thënë se e arshmja e Shqipërisë dhe e gjithë Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

“E dimë mirë se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Pa vendet e Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian nuk është i plotë. Roli i Shqipërisë është vendimtar për rajonin”, ka thënë ai.

Presidenti italian është angazhuar për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes Italisë dhe Shqipërisë, si edhe për rritjen e investimeve italiane në Shqipëri.

“Jam i sigurt se puna që do të zhvillohet në kuadër të komitetit ekonomik do të jetë e çmuar për të shtuar këto perspektiva dhe investimet italiane në Shqipëri. Janë të gjitha kushtet për të rritur bashkëpunimin dhe investimet italiane në Shqipëri”, është shprehur ai.

Mattarella e ka mbështetur idenë e Presidentit Begaj edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushë të arsimit e të kulturës.

‘Siç nënvizoi Presidenti Begaj, shkëmbimet kulturore paraqesin një mundësi të mirë. Kontributi i komunitetit arbëresh në Itali është i madh, duke ruajtur me shekuj traditën e tyre. I rëndësishëm është edhe bashkëpunimi mes universiteteve tona. Ai po zhvillohet gjithmonë e më shumë”, ka thënë ai.

Presidenti i Italisë ka folur edhe për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.

“Italia mendon se ndaj Rusisë duhet të ushtrohet një presion i lartë për t’i hapur rrugë dialogut për paqe”, ka thënë ai.

Mattarella ka thënë se vendet e Bashkimit Evropian, sikurse edhe ato të Ballkanit Perëndimor, duhet të bashkëpunojnë ngushtë për t’u liruar nga varësia nga energjentët e Rusisë.

Presidenti Begaj ka thënë se e mirëpret mbështetjen e Italisë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Kemi qenë me fat që te Italia kemi gjetur një mike të vyer dhe mbështetëse të përjekjeve tona për integrim. Hapja e negociatave shënon një stacion të rëndësishëm të rrugëtimit tonë që kërkon përkushtim të shtuar. Me Presidentin Mattarella biseduam për vijimin e mbështetjes italiane, si në rrafshin politik ashtu edhe atë Teknik, për përshpejtimin e procesit të integrimit”, ka thënë Begaj.

Aikathënë se Presidentin Mattarella e kasiguruar se një prezencë e shtuar e biznesit Italian është shumë e mirëpritur në Shqipëri.

Begaj ka thënë se me presidentin Italian kanë rënë darkord që midis dy vendeve të arrihet sa më  parë marrëveshje për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore.

Ai e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm edhe thellimin e bashkëpunimit për luftimin e krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike.

“Të dyja palët e konsiderojnë shumë të rëndësishëm bashkëpunimin në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike, goditjen e organizatave kriminale, luftën kibernetike etj”, ka theksuar Presidenti Begaj.

(r.m.)