Mazhoranca e miratoi projektin për Portin e Durrësit, opozita ngre akuza të rënda

Tiranë, 25 nëntor 2022 – Në Shqipëri, mbrëmë vonë, Kuvendi e miratoi projektin e ri për Portin e Durrësit. 74 deputetë votuan pro, kurse 35 votuarn kundër.

Kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në seancë, kur projekti u hodh në votim.

Debati për projektin dhe për kontratën zgjati disa orë dhe u karakterizua për përlasje të mëdha mes opozitës dhe pozitës. Opozita e kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama dhe zëvendës kryeministren Belinda Balluku për dëm të madh ekonomik dhe për korrupsion.

Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, foli me shifra për dëmet ekonomike të kontratës me kompaninë “Emaar’ nga Dubai, e cila është negociuar nga Zëvendës kryeministres Belinda Balluku.

“400 milion euro ne ia falim për shkak të truallit, 160 milion ne ia falim për shkak të taksave, 60 milion ne ia falim përsëri për shkak se nuk marrim ne ndërtimin që shkon për banesa sociale, plus edhe 390 milion të tjera dhe, në këmbim, çfarë marrim nëse ndodh 280 milion euro?”, tha Alibeaj.

Por, zëvendës kryeministrja Balluku e cilësoi kontratën me “Emaar” si kontratën më të mirë që ka bërë ndonjëherë shteti shqiptar.

“Si unë, si kolegia ime, e njohim shumë mirë kontratën. Kemi punuar me të dhe dimë se ku firmosim dhe mos na e qani hallin. Ju shikoni dhe qani hallin e qytetarëve, se jeni duke penguar me aq sa mundeni, me baltë se me gjë tjetër nuk pengoni ju, një nga projektet më të rëndësishme në republikën e Shqipërisë”, tha Balluku.

Deputeti I Partisë Demokratike, Edmond Spaho e akuzoi Ballukun se po e mbron kryeministrin Rama dhe e “këshilloi” që të mos i “zbatonte qorrazi” urdhërat e tij, siç i kishte zbatuar një “i afërm” i saj urdhrat e Enverit.

“Një i afërmi juaj e ka pasë një histori shumë tragjike, sepse i zbatonte qorrazi porositë e Enverit për të vrarë e prerë. Mos i zbato qorrazi porositë e Edit, edhe ti edhe ministria e financave”, u shpreh Spaho.

Ndërkaq deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, pas një sërë akuzash për afera korruptive, u kërkoi deputetëve socialistë të mos e miratojnë kontratën për portin e Durrësit.

“Duhet të jesh shumë i verbër apo shumë i korruptuar nëse e sheh pa asnjë skepticizëm këtë projekt 2 mld euro kur akuzat për korrupsion kanë rënë dhe për koncesione dhe tendera shumë herë më të ulëta”, tha Tabaku.

“Sot, shumica e deputetëve duhet të ishte në krahun tonë, duhet t’i kërkonte llogari, një më një, kësaj qeverie që duket se bashkëjeton me pasanikun më shumë se sa me qeverisjen. Duhet të kërkonte llogari, jo për hatrin tonë, as për hatrin e kushtetutës, as për hatrin e integrimit, por për hatrin e socialistëve që i votojnë. Çfarë fitojnë ata? Çfarë kanë fituar ata nga Durrësi që është kthyer në një eksperiment betoni deri më tani?”, tha ajo.

“Askush nuk mund të fshihet pas justifikimit se ne gjoja nuk duam zhvillimin ndërsa ju e doni. Kjo është alibia e atyre që janë zënë duke gënjyer, atyre që nuk kanë më asnjë argument në favorin e tyre”, theksoi Tabaku.

(r.m.)