Mazhoranca refuzon hetimin parlamentar për Portin e Durrësit

Tiranë, 23 dhjetor 2024 – Mazhoranca socialiste refuzoi të hënën kërkesën e opozitës për hetim parlamentar për projektet e qeverisë për shndërrimin e Portit të Durrësit në një port jahtesh dhe ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt kontravers që pritet t’i kushtojë taksapaguesve shqiptarë qindramilionë euro.

Projekti për ndërtimin e një “Dubai”, me pallate dhe një port jahtesh në sipërfaqen ku është Porti i Durrësit u votua me debate dhe kundërshtimin e opozitës dy vite më parë në Kuvend, ndërkohë që pronarët përfitues të njërës prej kompanive u mbajtën të fshehtë nga qeveria.

Kërkesa e firmosur nga 35 deputetë të opozitës synonte; kontrollin e ligjshmërisë në procedurat e miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”; shitjen e koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d.o.o. dhe ndërtimi i portit të ri të mallrave.

Por zyrtarët socialistë në Konferencën e Kryetarëve e kundërshtuan kërkesën me argumentin se nuk është në përputhje me ligjin për ngritjen e komisioneve hetimore dhe i shërben qëllimeve politike të opozitës.

Sipas kryetari i grupit socialist, Niko Peleshi, Parlamenti nuk mund të ngrejë një komision hetimor për të kontrolluar vetveten dhe se ligji kufizon ngritjen e këtyre komisioneve para zgjedhjeve parlamentare.

“Ngritja e komisionit hetimor në këtë rast shkel hapësirën kontrolluese të Gjykatës Kushtetuese dhe tejkalon kompetencat e Kuvendit. Ky duket si një veprim politik në prag të zgjedhjeve, për të krijuar një situatë të pavërtetë dhe të paqëndrueshme,” tha Peleshi në mbledhje, sipas një njoftimi të shpërndarë nga zyra e tij.

Homologu i tij demokrat, Gazment Bardhi,  iniciator i kërkesës, e cilësoi anti-kushtetues refuzimin e mazhorancës.

“Një mazhorancë që ka bindjen se projekti është në interes të zhvillimit, pse ka frikë nga transparenca, pse ka frikë nga hetimi parlamentar, pse pengon ushtrimin nga opozita të të drejtës së saj për kontroll parlamentar? Pengimi ka vetëm një qëllim: Të fsheh për pak kohë aferën korruptive të Portit të Durrësit, edhe pse ajo po del në sipërfaqe dita ditës,” tha Bardhi në një reagim në platformën X.

Opozita pretendon se kontrata e qeverisë shqiptare për zhvendosjen e Portit të Durrësit është një aferë qindra-milionë euro dhe hetimi i saj i shërben interesit publik.

“Aty mund të jenë para të pista që po investohen dhe Kuvendi ka të drejtë të hetojë, siç ka të drejtë të kontrolloje prishjen e te gjitha marrëdhënieve kontraktuale të mëparshme apo se çfarë po ndodh me ndërtimin e portit të ri”, – argumentoi Bardhi në mbledhje, sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e tij e shtypit.

Projekti për Portin e Durrësit u miratua si investim strategjik në dhjetor 2021 me subjekt aplikues “Symphony Real Estate Development sh.p.k”, por më pas Komiteti i Investimeve Strategjike vendosë të transferojë statusin “investitor strategjik” tek shoqëria e posaçme që do të krijohet me përbërjen e shoqërive “Albanian Seaports Development Company (ASDC)” sha, dhe “Eagle Hills Real Estate Development”.

Nga ana tjetër ndërtimi i një porti të ri në zonën e Porto Romanos po has në vështirësi pasi dështoi tenderi me vlerë afro 400 milionë euro që synonte të gjente kontraktorë për të kryer punimet e fazës së parë.

Një çështje e tretë është largimi në verën e këtij viti të kompanisë gjermane “EMS Shipping and Trading GMBH” nga koncesioni i menaxhimit të kalatës lindore të portit të Durrësit, pasi ia shiti aksionet kompanisë kroate “SCAPHA D.O.O”  për një vlerë të paguar prej 13 milionë eurosh

Kompania gjermane e menaxhonte kalatën lindore përmes kompanisë së themeluar në Shqipëri, EMS APO që prej vitit 2013,  kur fitoi një koncesion 35-vjeçar nga qeveria në largim e ish-kryeministrit Sali Berisha. Një dekadë më pas, vazhdimësia e koncesionit u vendos në pikëpyetje nga planet për zhvendosjen e portit dhe zëvendësimin e tij me “Durrës Port Yachts and Marina”.

(Reporter.al)

Comment

*