Tiranë, 3 prill 2023 – Anëtarët e PS-së në Këshillin e Legjislacionit vunë në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi mandatin e Ministres për Punët e Jashtme dhe kërkuan më shumë kohë, ndërsa deputetët e opozitës këmbëngulën që këto vendime janë të detyrueshme për tu zbatuar.
Socialistët kërkuan të hënën në Këshillin e Legjislacionit mendimin e ekspertëve për praktikën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo gjykatë shfuqizoi si antikushtetuese dy vendime të Kuvendit për të bllokuar dërgimin në këtë gjykatë të mocionit për papajtueshmëri të mandatit për ministren e Punëve të Jashtme Olta Xhaçkën.
“Ligjvënësi është Kuvendi, jo Gjykata Kushtetuese apo ndonjë gjykatë tjetër”- tha nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, duke arsyetuar se ata kishin detyrimin që vendimet t’i analizonin.
Ajo theksoi se kishte “pikpyetje” për vendimin dhe se do të duhej një konsultim me ekspertë konstitucionalistë para se Kuvendi të vendoste për praktikën e zbatimit të tij.
Relatorja e çështjes, Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit të Ligjeve, e përfundoi po ashtu analizën e saj mbi vendimet e GJK-së duke ngritur pyetjen nëse Kuvendi ishte para rastit kur do të duhej të zbatonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vendimin apo të diskutonte për ndryshime në legjislacionet përkatëse në bazë të argumentimeve të dhëna në vendimin e zbardhur të Kushtetueses.
Sipas saj në rregulloren e Kuvendit nuk është rregulluar procedura që duhet të ndjekë Kuvendi në këto raste.
“Po kërkojmë që të thellohemi se këto ndryshime mund të implikojnë edhe ndryshime kushtetuese”- tha ajo duke shtuar se do ishte e nevojshme ndihma e ekspertëve për pikpyetjet e ngritura.
Për anëtarët e opozitës qëndrimi i mazhorancës ishte një “avokati mbrojtëse” ndaj koleges së tyre deputete dhe binte në kundërshti me të gjithë praktikën e mëparshme të ndjekur në raste të ngjashme.
“Nuk jemi këtu për të komentuar vendimet e GjK-së, por për t’i zbatuar ato”- tha Gazmend Bardhi duke këmbëngulur se këto vendime janë të detyrueshme për Kuvendin.
Bardhi iu referua një vendimi të vitit 2016 për ish-deputetin Koço Kokëdhima, kur sipas tij, GJK ka bërë një interpretim të nenit 70 të Kushtetutës dhe të rolit të Kuvendit për të dërguar në këtë gjykatë mocionet për papajtueshmëri mandati.
“Nuk ka inkoherencë në vendimet e kësaj gjykate”- tha ai, duke kërkuar që si në rastin e Kokëdhimës Kuvendi duhet t’ia lërë në dorë GJK-së të vendosë në se ka shkelje të Kushtetutës në sjelljen e deputetes Xhaçka.
Por, sipas Felajt, vendimet e gjykatës për mandatet ishin të ndryshëm dhe kësisoj kërkonin analizë të veçantë.
Opozita kërkoi që Këshilli t’i kërkonte kryetares së Kuvendit futjen në seancën më të parë plenare votimin e raportit të pakicës në Këshillin e Mandateve duke ia dërguar gjykatës interpretimin e papajtueshmërisë, por kërkesa nuk u pranua nga socialistët.
Opozita, ndërmjet 1/10 së deputetëve, ndërmori në qershor të vitit të shkuar një mocion për t’i hequr mandatin e deputetes Ministres së Jashtme Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall “investitor strategjik” nga qeveria.
Mocioni mbeti peng e zvarritjes me procedura për disa muaj në Këshillin e Mandateve deri në nëntor, kur Kuvendi me votat e PS-së rrëzoi raportin e pakicës dhe detyroi atë që t’i drejtohej GJK-së për zgjidhje të kompetencave mes Kuvendit dhe të drejtës së 1/10 së deputetëve.
Kushtetuesja i dha të drejtë opozitës duke u shprehur se “Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi”.
Por, kjo gjykatë rrëzoi një tjetër kërkesë të 1/5 së deputetëve të opozitës për shqyrtim në themel të çështjes, duke ia atribuar të drejtën për ta bërë këtë vetëm Kuvendit.
(Reporter.al)