“MBAHU NENE E MOS KI FRIKE , SE KE DJEMTE NE AMERIKE…”

Mesazhi i veprimtarise te sotme tek Restaurant AMICI ne Cherry Hill, New Jersey,  me pronar atdhetarin Alex Shefit Daku.

Nga Tajar Domi

Titulli i shkrimit janë vargjet e këngës që janë kënduar e këndohen më së shpeshti në gëzimet e manifstimet tona në vendlindje , por edhe në diasporë. Ato kanë ngritur peshë zemrat tona duke sjellë emocione të mëdha , dashuri e bashkim. Por jo vetëm kaq . Ato sjellin shpresë , fuqi e përparim të viseve shqiptare kudo brenda e jashtë Shqiperisë tonë të ndarë. 

Këto vargje shprehin historikun e trojeve tona , të mbështjellë me emrin e atyre që na mbrojten nga çbërja kur ne sa kishim lindur si shtet . Dhe mbështetja amerikane na shoqeroi pa kursim në cdo hap e moment tjetër kur shqiptarët ngriheshin për emrin e lirinë e tyre. Tashmë ne e dimë , se kjo nuk ka qenë një mbështetje e thjeshtë por dicka vendimtare që ka përcaktuar fatet e Shqiperisë në historinë e saj , që nga luftërat e I-rë dhe e II-të botërore , deri tek pavarësia e Kosoves e shtet-formimi i saj. E megjithatë ne duhet të themi se një faktor i rëndesishëm për sigurimin e kësaj mbështetje përvec dashamirësisë pa kushte të udhëheqesve e popullit në SHBA , ka qenë dhe është kontributi i madh i Diasporës shqiptare këtu që nëpermjet emrave e figurave patriotike të njohura punuan e luftuan pa u lodhur për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve që akoma janë të pa bërë bashkë . Me plotë gojën mund të themi se Diaspora shqiptare e hershme apo dhe e re në Amerike , ka kontribut sa “ një  Mal “  në cështjen tonë kombëtare , por misioni vazhdon . 

Tashmë kanë kaluar vite e dekada dhe Diaspora shqiptare jo vetëm është rritur në numër e cilësisht kudo , por vecanërisht këtu në Filadelfia po shkohet drejt një “ Shqipërie të vogël “. Sigurisht jo fizikisht , por me bashkatdhetarët që përbëjnë komunitetin e këtushëm nga të gjitha trojet shqiptare prej rreth 30 mijë personash , me shkollën shqipe “ Gjuha Jonë “ prej 20 vitesh , me Qendrën social – kulturore që gumëzhin në cdo kohë prej rreth 22 vitesh , me brezin e ri që avancon cdo ditë në shkollim , shkencë , bisnes etj , kemi sjellē Shqipërinë tonë në Amerikë.

Shoqata Mbarëshqiptare Atdhetare – Kulturore “ Bijte e Shqipes “, prej rreth 22 vitesh po punon intensivisht cdo vit e më mirë , që ky komunitet të ndjehet sa më i bashkuar e i lumtur edhe këtu larg atdheut , të ndjehet krenar me gjuhën , historinë  e kulturën tonë kombëtare , duke i trashëguar ato ndër brezat e ardhshem. 

Për t’i shërbyer sa më mirë këtij qëllimi , me ndjeshmërinë e mbështetjen e më shumë se 500 familjeve shqiptare që patën mundësi të kontribonin , u ble para pesë vitesh një ambjent i ri për Qendër të komunitetit , i bukur , i  bollshëm e me histori mbresëlenëse 250 vjecare . Shumë pengesa objektive e subjektive patëm gjatë këtyre viteve për ta restauruar këtë ambjent , ndërsa pak muaj më parë janë plotësuar të gjitha kërkesat ligjore dhe tashmë ka filluar edhe puna . 

Por projekti i restaurimit të  kësaj Qendre të re ku do të funksionojë edhe shkolla shqipe në përmasa më të mëdha në numër të nxënësve , kërkon përsëri kontribut financiar e punë nga bisneset e familjet shqiptare , të cilëve u është bërë thirrje nga këshilli drejtues i shoqatës që ta vleresojnë këtë proces duke shprehur bujarinë e humanizmin si deri më tani . Përvoja jonë është shumë konkrete .

ALEX  DAKU gjithmonë në vijën e parë  

I lindur në Radomirën rrëzë Korabit dhe i rritur në Tiranë , Alexi pasi mbaron shkollën e mesme në vendlindje , emigron për disa vite në Itali dhe përmes vështërsish arrin të futet në SHBA . Punoi si shef guzhine në një restaurant prestigjioz në Nju Jork për 5-6 vite dhe prej 11 vitesh udhëheq bisnesin e tij të ushqimit e Realstate në Cherry Hill të Nju Xhersit , në AMICI Resaturant  dhe në Filadelfia. Pasuria e tij nuk është e madhe sa e disa bashkatdhetarëve ketu , por Alexi ka zemrën e shpirtin e madh. Kështu kanë qenë edhe paraardhësit e tij . Gjyshi Selim Daku, ish partizan në luftën për clirim e ushtarak për disa vite pas clirimit , shquhej për zgjuarsi , zotësi e xhymert . Po ashtu edhe babai i Alexit , Shefiti , i tillë e mbylli jetën . Efektin e dominimit të trashëgimisë , populli e ka perjetësuar me shprehjen shumë domethënëse : “ Në mos rrjedhtë , do të pikojë “. Dhe kjo është shumë e dukshme edhe në rastin e këtij bashkatdhetari. 

Ai na mblodhi sot në restaurantin e tij të bukur “AMICI“  në Cherry Hill , nëpërmjet një Ftese publike të shpërndarë nga shoqata “Bijte e Shqipes “ në FB , për një drekë me qëllim mbledhje fondesh për nevojat e punës në Godinën e re . 

 Pasi uroj mirëseardhjen e qëllimin e kësaj dreke nëpërmjet të cilës e gjithë shuma monetare që do të grumbullohet nga pagesa e biletave të pjesëmarrësve do të kalojnë  në llogarinë e  shoqatës Bijte e Shqipes, z. Daku premtoi edhe një tjeter  takim të tillë pas pak kohe , dhe ja kaloi  fjalën kryetarit të kësaj shoqate z. Dritan Matraku . Pasi falenderon Alexin për këtë ftesë e organizim domethënës e kuptimplotë , z. Matraku i njohu pjesëmarrësit me bujarinë , mbështetjen e atdhedashurinë e dukshme të tij të shprehura ndër vite në nevojat e thirrjet e ndryshme për kontribute në komunitet. Aleksi është një emër i njohur në këto drejtime , vazhdoi ai , ndërsa na ka bërë krenar të gjithëve ne bashkatdhetarët e tij , vecanërisht gjatë periudhës të Covid 19 kur hapi dyert e këtij restauranti duke u shërbyer ushqim falas atyre që kishin nëvojë në atë kohë tepër të vështirë , apo duke dërguar e shpërndarë ushqimin në institucione të tilla si spitale , rajone të policisë etj. Prandaj në atë kohë emri i bisnesit të tij “ AMICI Restaurant “ u bë i dukshëm e i falenderuar nga gazetat e stacionet televizive të ndryshme si këtu në NJ ashtu edhe në vendlindjen tonë , Shqipëri. 

Për të gjitha këto cilësi , mbështetje e kontribute të vazhdueshme zotit  Alex Daku , iu akordua nga këshilli drejtues i shoqatës  “ CERTIFIKATE MIRENJOHJE ” , e cila u dorëzua nga kryetari z. Dritan Matraku.

Në vazhdim ai i njohu pjesëmarrësit me ecurinë e punimeve të deritanishme në Qendrën e re apo punime që janë marrë përsipër nga bisnese të ndryshme , por edhe nevojat që kemi për të tjerë mbështetës për të përfunduar rindërtimi i objektit . Ai evidentoi kompaninë “ Ferko Plumbing “ që zotërohet nga Ferhat Ferko e cila përfundoi instalimin e sistemit te shkarkimit të ujrave nga jashtë objektit ( ku vlera e shpenzimeve ishte mbi $30 mijë) , dhe z. Altin Rrapushaj për fillimin e këtyre punimeve brenda tij. Gjithëashtu, Z. Mexhit Koboci , z. Roland Ismailanji dhe z. Albert Sula kanë marrë përsipër instalimet elektrike dhe kostoja tejkalon $25 mijë. 

Më pas u ftua sekretarja e re e shoqatës , zonja e nderuar Julida Çepele e cila i dorëzoi bisnesmenit Ajet Pajollari Certifikatën e Mirënjohjes që këshilli drejtues i ka akorduar atij për mbështetjen e kontributet ndaj shkollës shqipe. Ndërsa zv. kryetari i shoqatës, z. Mexhit Koboçi ftoi z. Albert Sulaj dhe i dorëzoi atij vlerësimin nëpërmjet Certifikatës së Mirënjohjes që i ka akorduar gjithashtu ky këshill për kontribut të vecantë e marrje përsipër të punëve në Godinën e Re.

Por shoqata “Bijte e Shqipes “ sic thamë më sipër, ka 22 vite jetë . E në këtë morì vitesh janë evidentuar e vlerësuar shumë bashkatdhetar të tjerë të fushave e moshave të ndryshme , të cilët jo vetëm kanë lartësuar veten e familjet me arritjet e tyre , por të gjithë komunitetin e shqiptarinë anë e mbanë.  Në veprimtarine e sotme ishin të  ftuar edhe trashegimtar të familjes Risilia që falë asaj ne kemi sot qendrën ekzistuese të komunitetit por edhe shkollën shqipe , të cilët i kemi falenderuar e vlerësuar në cdo rast . Por sot kishim edhe një emër tjetër , që e rrit edhe më shumë frymën e deritashme të bashkimit e besimit për të cuar më tej misionin tonë :

Dr. Neurokirurg GENTIAN  TOSHKEZI    

Njeriu i ditur është edhe i thjeshtë . Prandaj Dr. Gentin e gjen gjithmonë pas punës , me miqtë e shokët e tij, me pjestar të komunitetit , në kafe e biseda ndihme për to. Ai ka lindur në Lushnje ndërsa ka mbaruar me Medalje Ari , Universitetin Shteteror në Tirane për mjekësi në vitet ’90 -të dhe është specializuar për Neurologji . Ne studimet e specializimet e mëpastajme në Paris, Vjenë , Bruxel e Amerikë , fiton specialitetin si Neurokirurg. Ka punuar në spitale me emër në Boston e Nju Jork , ndërsa para 7-8 vitesh vendoset në Filadelfia me familjen pasi fiton të drejtën për të punuar në specialitetin e tij në spitalin më të madh këtu “ Jefferson Hospital “ , ndër më të njohurit në Amerikë. Duke vlerësuar aftësitë e tij profesionale e njerëzore , në vitin 2020 shpallet në dhjetëshen e mjekëve më të mirë të këtij spitali në të gjithë Amerikën.  Para pak muajsh është përzgjedhur si Drejtor i Departamentit të Neurokirugjisë në spitalin e Merylandit .

Eshtë vlerësuar para një viti  nga shoqata “Bijte e Shqipes”me Certifikatën “ Nderi i Komunitetit “ , ndërsa nga Presidenti i Republikes të Shqiperise mban Medaljen : “Kalorësi i Skenderbeut “. Vleresimet në shqip janë më të pëlqyeshme për Dr. Gentin. 

Në përshendetjen e tij në drekën e sotme tek Restaurant Amici , ai shtoi krenarinë shqiptare duke përmendur emrat e këngëtarëve të mëdhaja shqiptare në Amerikë : “ Operacionet  neuro – kirurgjikale që ne zhvillojmë , zgjasin zakonisht 4-5 ore , thotë Dr. Genti . Prandaj vendosim radion në emisionet muzikore, per te punuar më qetësisht. Një ditë me rastisi dicka e rrallë . Në emisionin muzikor në radio dolën për të kënduar tri këngëtaret tona të mëdhaja Dua Lipa Bebe Rexha e Rita Ora . Pjestaret e ekipit po habiteshin kur unë po thoja për të parën “ Eshtë shqiptarja ime “ , pastaj për të trea radhazi të njëjtën shprehje , por me krenari të madhe …”

Ishte një atmosferë e bukur e krijuar pas kësaj përshendetje të doktorit , pasi cdo ditë e me shumë po shohim që geni shqiptar i përhapur në të gjithë botën , po rritet e shkëlqen më së miri , duke qenë një garanci e zhvillimit , konsolidimit e trashëgimisë tonë kombëtare.

Duke u kthyer në këtë shkrim tek ai që na ftoi në këtë drekë fondmledhëse , z. Alex – Astrit- Shefit Daku  , mu kujtua një burrë i mencur shumë vite të shkuara nga i cili mbaj mend thelbin e bisedës me të : “ … Lutu e dhuro për paraardhësit tuaj . Dhe ne se nuk ke mundësi ti ndjekësh në veprën e tyre , të paktën mos i bëj pis me jetën tënde …” . Alexi dhuroi sot për “Bijte e Shqipes “ , përvec $ 7,300 dollar të grumbulluar nga dreka , edhe $200 të tjera dhuruar nga nëna e tij Lavdija. 

Të lumtë Astrit !

Shpresojmë që shumë të tjerë si ju , ti japin frymë unitetit e besimit ashtu si më parë , për të përfunduar Qendren e Re dhe Shkollën Shqipe të komunitetit tonë , duke i dhënë më shumë jetë “ Shqipërisë së Vogël “ në Filadelfia.

     Filadelfia, me 1 Tetor 2023

Tajar Domi është ish-kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”