Mbajtja e kontaktit me qendrën kombëtare të vizave (NVC)

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both (Na shkruani në shqip, adresa: [email protected])

 

Që prej 23 majit, 2022 qendra kombëtare e vizave National Visa Center (NVC) ka pezulluar shërbimin publik i cili nëpërmjet telefonit, u jepte përgjigje personave që interesoheshin për çështjet e tyre të emigracionit.  NVC-ja  vazhdon të pranojë pyetje nga personat e interesuar nëpërmjet shërbimit të ofruar në internet Public Inquiry Form në ato raste kur përgjigja nuk mund të gjendet në faqet e internetit të NVC-së apo në qendrën e aplikimeve elektronike konsullore Consular Electronic Application Center (CEAC).

Nëse nuk keni marrë përgjigje brenda afatit kohor të postuar në faqen e internetit e NVC-së, atëhere duhet të paraqisni një tjetër kërkesë për marrje informacioni, por këtë radhë, në hapësirën e lënë për komente duhet të shkruani “Attn PI Supervisor” në mënyrë që kërkesa t’i kalojë mbikqyrësit, bashkë me një përmbledhje të shkurtër të fakteve si dhe numrin e tentativave të bëra nga ana juaj për të kontaktuar NVC-në. Kini parasysh se në rast urgjence mënyra më e mirë për të arritur të komunikoni me NVC-në lidhur me caktimin e një takimi është në adresën [email protected]  Kur të shkruani në këtë adresë elektronike duhet të siguroheni që keni shkruar të gjithë informacionin e rëndësishëm që ka të bëjë me çështjen si dhe të dokumentoni qartë arsyen pse po kërkoni përshpejtim të çështjes. Në të kaluarën, NVC-ja ka vënë në dukje që paraqitja e një kërkese për përshpejtim nëprmjet Public Inquiry Form, ka të ngjarë ta vonojë procesin.

NVC-ja ka qenë shumë e ngarkuar vitet e fundit. NVC-ja ka deklaruar se në vitin 2020 ka procesuar 321,274 çështje të cilat kualifikoheshin nga pikëpamja e dokumentacionit dhe 343,392 çështje në vitin 2021. Mesatarisht në një muaj, NVC-ja “krijon” pra fut në sistemin e saj të dhëna nga 18,000 peticione si dhe shqyrton formularët dhe dokumentacionin në mbështetje të 87,000 çështjeve të paraqitura. Mesatarisht në një muaj, NVC-ja fut në sistemin e saj të dhëna nga 1,900 peticione I-129F Alien Fiancé(e). Mesatarisht, afro 30% e çështjeve të plotësura me gjithë dokumentacionin e nevojshëm janë çështjet e paraqitura nëpërmjet një avokati. 

Aktualisht, NVC-ja komunikon me aplikantët në fazën fillestare kur po hedh të dhënat e çështjes në sistem ose kur ka ndonjë problem me dokumentat e gjendjes civile. Çështjet e prapambetura të grumbulluara për shkak të pandemisë vazhdojnë të kenë pasoja qoftë në shqyrtimin qoftë në procesimin e çështjeve dhe diçka e tillë do të vazhdojë dhe për ca kohë. Në momentin që NVC-ja vendos që çështja i përmbush kriteret nga ana e dokumentacionit për procesim paraprak të aplikimit, aplikantit i dërgohet një njoftim për ta vënë në dijeni për këtë gjë. Gjithashtu, është e mundur që aplikantët që e kanë kryer procesimin përmes internetit, të mund të marrin konfirmim që çështja e tyre i ka përmbushur kriteret e dokumentacionit duke u futur në CEAC dhe duke parë faqen përmbledhëse.  Ka disa vende në këtë faqe ku mund të shihen vendi dhe statusi i çështjes. Në pjesën e sipërme në të djathtë të faqes ka një vend ku thuhet “Your case is currently at.” Këtu pra shënohet se kush e ka marrë çështjen NVC-ja, ambasada apo konsullata. Në fund të faqes përmbledhëse ka një tabelë ku gjendet informacioni për statusin e secilit aplikant për vizë si dhe sponsori financiar. Nëse kudo thuhet “Paid” (e paguar) ose “Complete” (e plotësuar) kjo do të thotë që NVC-ja e ka kryer shqyrtimin e çështjes.

Kërkesa për të mbajtur në kontakt NVC-në gjatë një viti:

NVC-ja ndërmerr hapa për t’i dhënë fund një peticioni I-140/I-130 në ato raste kur, brenda një viti nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga ana e aplikantit. Egzistojnë disa mënyra për të mbajtur në kontakt NVC-në dhe për të shmangur kështu mbylljen e çështjes: 

  1. Paguani tarifën (kjo mund të gjurmohet në CEAC në rastet e aplikimeve nëpërmjet internetit) si dhe brenda vitit në vijim, kryeni të gjitha veprimet e tjera të nevojshme për të aplikuar për vizë,
  2. Paraqisni një dokument që mund të gjurmohet në CEAC, në rastet e çështjeve të paraqitura nëpërmjet internetit,  
  3. Shfrytëzoni Ask NVC Public Inquiry Form, formularin në internet përmes së cilit mund t’i bëni pyetje NVC-së,
  4. Futuni në llogarinë CEAC dhe
  5. Plotësoni formularin DS-260.

Lexuesit tanë kanë raportuar raste kur gjatë javëve të fundit kanë marrë njoftime paralajmëruese që do t’u mbyllet çështja pavarësisht se ata janë interesuar dhe kanë paraqitur kërkesë për informacion në faqen e NVC-së në internet në më pak se një vit nga hera e fundit që kanë patur kontakt me NVC-në.  Siç mund ta merrni me mend, një paralajmërim i tillë u shkakton habi dhe shqetësim qoftë avokatëve qoftë klientëve të tyre. Në një nga rastet, NVC-ja e ndreqi situatën e krijuar nga njoftimi i dërguar gabimisht, por në shumë raste të tjera problemi ka mbetur pa u zgjidhur. Për zgjidhjen e këtyre çështjeve kontaktimi i NVC-së përmes Public Inquiry Form mbetet mekanizmi më i mirë. Për t’i dhënë shtytje të mëtejshme çështjes, avokati mund t’i dërgojë e-mail nëpërmjet Public Inquiry Form dhe të shtojë shënimin e larpërmendur ‘ATTN: PI Supervisor’ në hapësirën në fund të formularit. Gjithashtu duhet paraqitur dhe dëshmi dixhitale që provon se NVC-ja është kontaktuar nëpërmjet internetit (PIF) duke bashkangjitur në fund të formularit dhe dokumentat përkatës. Për shkak të pirgut të çështjeve të prapambetura, kohët për procesimin e çështjeve nga NVC-ja vazhdojnë të mbeten të gjata. Ju këshillojmë t’i drejtoheni faqes Timeframes në internet, të NVC-së në www.travel.state.gov për të parë kohën që i nevojitet NVC-së për t’iu përgjigjur një pyetjeje përmes internetit. 

Në vitin 2020, NVC-ja arriti të “rihapë” 52 përqind të rasteve të paraqitura në mënyrë elektronike dhe 75 përqind të rasteve të paraqitura në rrugë të zakonshme, ku aplikantët i ishin përgjigjur në fakt NVC-së brenda vitit, kurse në vitin 2021 u “rihapën” 51 përqind të rasteve elektronike dhe 79 përqind të rasteve me postë normale. 

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]