Mbërrin në Shqipëri anija me grurë nga Ukraina

Tiranë, 10 gusht 2022 – Ka mbërritur nga Ukraina në pjesën e jashtme të portin e Durrësit anija “Jaohar Ranim” me 6 mijë ton grurë.

Anija u nis nga porti Izmail i Ukrainës disa ditë më parë, pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës që të lejohet eksportimi i drithërave të bllokuara në depotë e Ukrainës për shkak të agresionit rus.

Anija me grurë të importuar nga një kompani e miellit në Shqipëri do të ankorohet në kalatën nr. 2 të portit të Durrësit, të mërkurën paradite.

Në Ukrainë janë bllokuar disa miliona tonelata drithëra që presin të eksportohen në gjithë botën.

Bllokimi i porteve ukrainase shkaktoi probleme në furnizimin global me drithëra. Pas marrëveshjes Rusi – Ukrainë që u ndërmjetësua nga okB dhe Turqia, Ukraina ka nisur sërish eksportin e mijërave tonelatave drithëra.

Rusia dhe Ukraina së bashku mbulojnë gati një të tretën e eksporteve të grurit  në botë.

(r.m.)