Tiranë, 5 janar 2022 – Disa deputetë të të PD-së në Kuvendin e Shqipërisë, mbështetës t ëish-kryeministrit Sali Berisha, të mërkurën, nuk arritën të hyjnë në selinë e partisë, sepse atje i gjetën të mbyllura të gjitha dyert, raportojnë mediet në Tiranë.
Ish-kryeministri Berisha dhe mbështetësit kishin deklaruar se Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij, të cilët janë larguar nga strukturat drejtuese të partisë në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, duhet t’i lirojnë zyrat deri më sot, më 5 janar.
Deputeti Flamur Noka, anëtar i Komisionit për Rithemelimin e PD-së, i akuzoi Lulzim Bashën dhe Edi Ramën se e kanë kthyer PD-në në “një burg të sigurisë së lartë”.
“Erdhëm në seli, në shtëpinë tonë, për të zhvilluar një takim dhe një mbledhje në lidhje me agjendën që do të ketë grupi parlamentar dhe PD-ja për vitin 2022. Sot, PD-ja do të duhet të ishte një ambient festiv ku të gjenin veten të gjithë demokratët. Për fat të keq, Edi Rama e ka kthyer me pengun e tij, në një Alcatraz të kohëve moderne. Të gjitha dyert e mbyllura, gjithçka e blinduar, a thua se e ka kthyer PD-ja në një burg të sigurisë së lartë. Kjo është e turpshme, e neveritshme”, ka thënë Noka.
“Pengu i Edi Ramës mund të rrijë i vetëburgosur, si mënyra më e mirë që Rams t’i zgjatet jeta në pushtetit. Por Rama e ka gabim. Kurrë nuk mund të burgosë shpirtin e lirë të demokratëve. Në datën 8, demokratët do të marrin frymë lirisht”, ka theksuar Noka.
Ndërkohë, deputeti Dashnor Sula, njëri ndër mbështetësit e Bashës, ka thënë se çdo përplasje Brenda PD-së e dëmton partinë dhe opozitën në Shqipëri. Ai ka thënë se të dy palët duhet të presin vendimin e gjykatës lidhur me statutin e partisë
“Unë u them Berishës dhe mbështetësve të tij se duhet të presim vendimin e gjykatës. Unë jam i bindur që me një vendim të tillë është tjetër histori, ndërsa ultimatumi dhe dhuna janë të panevojshme. Por, nuk besoj se do të ketë përplasje. Basha kurrë nuk ka thënë dhe nuk ka deklaruar se nuk do të njohë vendimet e gjykatës”, është shprehur ai.
Sula e ka komentuar edhe situatën e krijuar të mërkurën para selisë së PD-së, ku një grup i deputetëve, mbështetës të Berishës, nuk janë lejuar të hyjnë brenda. Ai ka thënë se është e papranueshme që deputetët të mos jelohen të hyjnë në selinë e partisë së tyre.
“Për mua nuk është normale që grupi i deputetëve të PD-së, edhepse i përkasin grupit të mbështetësve të Berishës, të mos futen në seli, për sa kohë ata janë anëtarë të grupit të PD-së”, ka thënë ai.
“PD-ja është e hapur për gjithë grupin parlamentar dhe për funksionarët e lartë të PD-së, por nëse është bërë riorganizim i ri për hyrje në PD është gjë tjetër”, ka thënë deputeti Sula.
(r.m.)