Prishtinë, 28 dhjetor 2022 – Vendkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë në Merdar vazhdon të jetë edhe më tutje i mbyllur për qarkullim, njoftoi Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar.
Ky vendkalim është mbyllur të martën në mbrëmje, për shkak se një grup serbësh e kanë vendosur një barrikadë në rrugë, rreth dy kilometra,nga vendkalimi,në territorin e Serbisë.
Mediet në Serbi raportuan se barrikada është vendosur nga 20 serbë, në shenjë solidariteti e mbështetjeje për serbët në pjesën veriore të Kosovës, të cilët i kanë bllokuar me barrikada venbdkalimet kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjakë.
Vendkalimi kufitar në Merdar është ndoshta vendkalimi kryesor kufitar midis Kosovës e Serbisë dhe lidhja kryesore e Kosovës me vendet e Evropës.
Mediet e Kosovës raportojnë se një numër mjaft i madh kosovarësh që po vinin për festat e fundvitit në Kosovë nga vendet e Evropës janë bllokuar për disa orë në rrugë. Ata që kanë komunikua rme telefon metë afërmit e tyre në Kosovë kanë treguar se kolona e automjeteve deri te barrikada ishte më e gjatë se dy kilometra. Sipas dëshmitarëve,udhëtarët janë detyruar të kthehen prapa dhe të udhëtojnë drejt vendkalimeve tjera kufitare,në pjesën lindore të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, përmes rrjetit social Facebook, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi që të kalojnë në dy vendkalimet tjera kufitare, Mutivodë dhe Dheu i Bardhë, ose përmes Maqedonisë së Veriut, nëpër vendkalimin kufitar afër Preshevës.
“Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
(r.m.)