Tiranë, 13 dhjetor 2024 – Mbi 19 mijë refugjatë sirianë, që hynë kryesisht nga kufri me Greqinë, kaluan tranzit në Shqipëri në pesë vitet e fundit, duke udhëtuar më pas në mënyrë të paligjshme kryesisht përmes kufirit të Malit të Zi drejt vendeve europiane.
Sipas të dhënave të Institutit shqiptar të Statstikave (INSTAT) refugjatët e larguar nga Siria për t`i shpëtuar regjimit të Bashar al-Assadit përbënin vitet e fundit numrin më të madh të emigrantëve të huaj të parregullt të futur në Shqipëri së bashku me shtetasit nga Afganistani.
Sipas të dhënave të INSTAT, që i referohen policisë kufitare shqiptare, numri më i madh i refugjatëve sirianë që hynë në Shqipëri në pesë vite e fundit u shënua në vitin 2020 me 6224 persona dhe në vitin 2021 me 5366 persona.
Sipas të dhënave zyrtare shqiptare një pjesë e refugjatëve sirianë kërkoi azil në Shqipëri, por duket se kjo ishte një praktikë për t’u dhënë atyre kohë që të largoheshin nga vendi drejt vendeve europiane.
Pjesa më e madhe e kërkesave për azil të shtetasve sirianë në Shqipëri, sipas të dhënave kufitare, e lidhnin kërkesën me largimin për t`i shpëtuar regjimit të Asadit në Siri.
Tani që regjimi i Asadit ka rënë, sipas ekspertëve të emigracionit pritet një ripërcaktim i shqyrtimit të kërkesave për azil nga shtetasit sirianë në Shqipëri nga qeveria shqiptare, në përputhje me rrethanat e reja dhe me me qasjet që vendet e Bashkimit Europian do të ndjekin.
Sipas të dhënave të INSTAT rrreth 1034 shtetas sirianë aplikuan për leje qëndrimi në Shqipëri në pesë vitet e fundit, duke u vendosur kryesisht në Tiranë.
Pas rënies së regjimit në Siri autoritetet kufitare shqiptare nuk kanë evdientuar ditë e fundit shtetas sirianë të futur nga territori grek.
Autorietet greke të emigracionit, vendi nga ku hyjnë refugjatët sirianë në Shqipëri, kanë njoftuar se këto ditë disa qytetarë sirianë në Greqi tashmë kanë hequr dorë nga kërkesat e tyre për azil.
Sekretari i Përgjithshëm i Politikës së Migracionit në Greqi, Manos Logothetis deklaroi për mediat greke se procesi i paraqitjes dhe shqyrtimit të kërkesave për azil për shtetasit sirianë nuk është pezulluar në Greqi , por është pezulluar vetëm nxjerrja e vendimeve për dhënien e azilit.
Qeveria greke mblidhet sot për të shqyrtuar qëndrimet që do të merren për këtë cështje deklaroi zyrtari grek i politikave të emigracionit .
(Zëri i Amerikës)