Uashington, 24 dhjetor 2022 – Më shumë se 200 milionë amerikanë ishin të paralajmëruar ose u ishte bërë thirrje për kujdes më 23 dhjetor, tha Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS).
I ftohti ekstrem dhe kushtet e këqija atmosferike ndërprenë trafikun në pjesën më të madhe të vendit në prag të Krishtlindjeve, dhe anuluan mijëra fluturime.
Kushtet janë shumë të rrezikshme për të vozitur në një numër shtetesh, paralajmëruan autoritetet, pasi miliona amerikanë udhëtojnë për festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Më shumë se një milion amerikanë kanë mbetur pa energji elektrike mesditën e 23 dhjetorit në shtetet e Karolinës së Veriut dhe Jugut, dhe Teksasit.
Presidenti amerikan, Jose Biden, u bëri thirrje të gjithëve që ta marrin shumë seriozisht stuhinë dhe të dëgjojnë paralajmërimet e autoriteteve lokale.
Sipas faqes “Flightaware” janë anuluar më shumë se 4.000 fluturime në SHBA dhe më të prekurit ishin aeroportet në Seattle, Nju Jork, Çikago në veri dhe Detroit.
Një total prej rreth 112 milionë njerëz pritet të udhëtojnë të paktën 80 kilometra ndërmjet 23 dhjetorit dhe 2 janarit, tha Shoqata Amerikane e Motoristëve (AAA).
Disa shtete kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, duke përfshirë Nju Jorkun, Oklahoma, Kentaki, Xhorxhia dhe Karolinën e Veriut.
Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin në rrugë. Ai tha se për shkak të borës dhe erës së fortë, shumë shpejt mund të krijohen kushtet e stuhive.
Ai konfirmoi se tre persona u vranë në rrugët e Kentakit. Në shtetin e Oklahomas, të paktën dy persona humbën jetën në rrugë.
Reshje të dendura bore janë regjistruar në veri të vendit, veçanërisht në rajonin e Liqeneve të Mëdha.
Një mot i tillë shtrihet nga kufiri kanadez në veri deri në kufirin meksikan në jug dhe nga bregu i Paqësorit në veriperëndim deri në bregun e Atlantikut në lindje, thanë meteorologët amerikanë.
Kanada po përgatitet gjithashtu për temperatura jashtëzakonisht të ftohta.
Paralajmërimet për të ftohtin ekstrem dhe stuhi janë lëshuar të premten në pjesën më të madhe të Kanadasë, sipas Agjencisë Meteorologjike Kanadeze.
Në shtetin perëndimor kanadez të Albertës dhe Saskatchevan në qendër të vendit, u regjistruan temperatura midis minus 40 dhe minus 50 gradë Celsius.
Në Kanada, WestJet ka anuluar të gjitha fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar Pearson i Torontos.
(REL)