Mbi 300 afganë vazhdojnë të strehohen në Kosovë

Prishtinë, 23 gusht 2022 – Afganët e strehuar përkohësisht në Kosovë mund të qëndrojnë edhe për një vit, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara më 25 gusht të vitit të kaluar nënshkruan një marrëveshje për strehimin e përkohshëm prej një viti të afganëve që u evakuuan pasi talibanët u rikthyen në pushtet në Afganistan.

Por, për shkak se disa afganë ende nuk kanë kaluar procedurat e verifikimit, që më pas të transferohen në SHBA dhe shtete tjera, Kosova dhe SHBA-ja janë dakorduar për vazhdimin e qëndrimit të tyre në vend.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë se janë 351 shtetas afganë, të cilët mund të qëndrojnë në Kosovë deri në vitin 2023.

“Sipas legjislacionit në fuqi për azil, ndaj këtyre personave parashihet që në rastin e vazhdimit në vendin e prejardhjes së personit të mbrojtur mund të zgjatet për një periudhë kohore maksimale prej dy vjetësh”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MPB-së.

Prishtina dhe Uashingtoni, në qershor të këtij viti, arritën një aneks-marrëveshje për vazhdimin e lejimit të qëndrimit të shtetasve afganë në Kosovë, të cilët aktualisht ndodhen në kampin Boondsteel të ushtrisë amerikane.

Deri më tani, nga Kosova janë larguar 1.163 shtetas afganë për në shtete të tjera.

MPB tha transferimi i këtyre personave bëhet në koordinim me shtetet e treta të cilat i pranojnë.

Përveç Boondsteel-it, afganët ishin strehuar edhe në kampin e Bechtel-Enkas, që gjendet po në Ferizaj, komunë rreth 40 kilometra larg Prishtinës dhe më pak se tri kilometra larg kampit ushtarak amerikan.

Kampi i Bechtel-Enkas tashmë është mbyllur, konfirmuan për REL-in nga NATO-ja.

“Të gjithë afganët e lidhur me NATO-n që ishin të strehuar në Kosovë janë rivendosur në shtetet e NATO-s ose në shtetet partnere, Finlandë dhe Suedi. Kampi në Bechtel u mbyll në fund të marsit”, thotë për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i NATO-s.

Afganët e strehuar në Kosovë janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikane, apo aleatët e tjerë të NATO-s, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

Më 16 gusht të vitit 2021, Kosova miratoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar një numër afganësh që kishin punuar me forcat e huaja, pasi talibanët morën Kabulin në mes të gushtit.

Grupi i parë i shtetasve afganë arriti në Kosovë më 29 gusht të vitit 2021. Ata ishin transportuan nga Gjermania me një avion të forcave ajrore amerikane.

(REL)