MBI LIBRIN E LEONORA LAÇIT “SKENDER IMER THAÇI MES SHQIPËRISË, KOSOVES DHE MALIT TË ZI”


Nga Fatbardha Mulleti Saraçi
Duke lexuar librin me titull “Skender Imer Thaçi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi”, pata mbresat nga ky libër që tregon për humanizëm, për heronj njerëzor. Në libër përshkruhen shumë ngjarje dhe shumë linja por unë do ndalem në disa prej tyre. 

Të bën përshtypje figura madhështore e nënë Bades, që mbeti e ve në një moshë të re, me dy binjakë, e cila provoi burgosjen së bashku me familjen.

Kjo veçori e nënës Bade gjendet tek shumë nëna shqiptare, ato mbeten shembulli i përkryer i humanizmit njerëzor, sepse AJO mbetet baza e familjes që edukon e rrit fëmijët duke i dhuruar shumë dashuri. Dashuri e transmetuar tek gjenerata e re afirmon një të ardhme më të mirë.

Të lindësh të rritësh njeriun është mrekullia më njerëzore sepse “Njeriu u krijua që të bëhet një fillim, siç ka thënë Shen Agustine, dmth nëna rrit breza të rinj, që janë e ardhmja…

Një nënë stoike, sakrifikoi jetën e saj për shkollimin e edukimin e binjakëve të saj.. Formoi tek ata ç’është ndershmëria, u mësoi që vlerat më të mira arrihen vetëm me anë të punës, përcoi humanizmin dhe tregoi që me shembullin e saj si prindi duhet të punojë dhe sakrifikojë për fëmijët.

Tjetër linjë është ajo e veprimtarisë humanitare të Skender Thaçit. Nuk kishte sesi të ishte ndryshe, rritur me dashuri për kombin për shqiptarinë. Ai si Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Shqipëri Austri ku puna dhe ideali i përbashkët e bashkoi me znj.Graf, të dy bashkë punuan pa u ndalur për zbutjen e dhimbjeve të popullit shqiptar. Për 29 vite kjo shoqatë do ishte shpresa, frymëzimi, besimi për shumë qytetar shqiptar, për një jetë më të mirë në Shqipëri e Kosovë. Duke lexuar këtë libër mbushesha me krenari se si punohet për të ndihmuar shtresat në nevojë.Linja tjetër, familja e tij e shendetshme. Skenderi i ka vendos qellime të qarta vetes dhe suksesi që ka pasur në jetë, familja e shëndosh, rrugët e drejta në të cilat ka orientuar fëmijët e vet e bëjnë atë një prind shembullor e të kujdesshme.

Më ka bërë përshtypje kapitulli mbi takimet e Skender Thaçit për të rënë në gjurmët e të atit, Takimi me miqtë e babait të tij Imerit është një vepër madhështore. Është njohja me të kaluarën, me disa zotërinj që kishin provuar burgjet e kampet e punës së detyruar.Të kuptosh në biseda me ta se sa e rrezikshme ishte errësira dmth mosdija, mosnjohja e së vërtetës. Ballafaqimi me diktaturën totalitare dhe si duhet të punosh për reflektimin. Kjo për mua është kujtesa, të tregosh të vërtetat. Ata miq të babait të tij nuk i moren me vehte, dëshmuan, rrefyen perjetimet e veta.

Prania ime këtu nuk është rastësore, jam këtu sepse autorja e librit është mike imja për pothujse një dekad, studiuesja Leonora Laçi autore e disa librave. Bashkëpuntorja e palodhur dhe e pandashme e imja. I mbetëm mirënjohëse për ndihmesën që ka dhënë në librat e mijë.  Kam një kërkesë që ky botim të mos ngelet me kaq, kjo dëshmi e një pune kolosale të bamirësisë të vihet sa më në pah përmes artit e pikturës, por dhe kalvari i familjes të bëhet frymëzim për aktorë e regjisorë për ta realizuar në film për ta përjetsuar e ngrirë në kujtesat njerëzore përjetësisht.