AFEDS – Medvegjë: Komunikatë per shtyp
Në fillim të muajit korrik 2021, Komiteti Serb i Helsinkit, udhëhequr nga Sonja Biserko, njëlloj “ndërgjegje kritike e shoqërisë serbe”, publikoi raportin me 86 faqe –“minoriteti shqiptar në pritje: Medvegja, Presheva, Bujanovci, si pengje të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë “.
Raporti për të cilën autorët, pjesë të një rrjeti më të gjerë organizatash të shoqërisë civile serbe, kanë punuar afro 2 vjet, është dëshmia më e fuqishme nga brenda Serbisë, për “spastrimin etnik me mjete administrative“ në dëm të popullit shqiptar në Serbi, posaçerisht në Medvegjë, që është një bankoprovë e zbatimit të këtyre praktikave dhe në shekullin 21-të.
Raporti flet për “qytetarë të padukshëm të Serbisë”; për praktika diskriminuese të intensifikuara posaçërisht pas nderhyrjes së NATO-s në Kosovë; për mite negativizuese të shqiptarëve konstruktuar nga qendrat e vendosjes; për marrëveshje ndërkombëtare që nuk zbatohen, premtime që nuk mbahen.
Raporti për të cilin OJQ-ja ,AFEDS ka qenë bashkëpuntore e rëndësishme si dëshmitare e besueshme e zhvillimeve negative në terren, i ka kushtuar 10 faqe vetëm skemave të “pasivizimit të adresave”, si praktika selektive për t’I marrë të drejtat popullit shqiptar në Serbi, ku Medvegja është më e prekura, me afro 6000 të larguar.Raporti lë të kuptohet se vemendja e Kosovës për popullin shqiptar në Serbi është zvogëluar me kalimin e kohës dhe po ashtu dhe e Republikës së Shqipërisë.
Në raport, me realizëm përsëritet disa herë se “është aspiratë e ligjshme që shqiptarët në Serbi, të presin reciprocitet në trajtimin e tyre njëjtë si serbet në Kosovë”, diçka që merr rëndësi të posaçme, ndërsa në Bruksel po zhvillohen raunde të reja bisedimi midis qeverisë së zotri Kurtit dhe Presidentit Vuçiq.Raporti është një këmbanë alarmi për një popullsi që po tretet, ndërsa politika po hesht.
Si thotë një gazetar i njohur, ndërsa politika shqiptare “vajton 8000 të vrarët e Srebrenicës 26 vjet më parë”, afro 8000 shqiptarë kanë humbur të drejtat themelore, pikërisht për shkak të këtij “spastrimi etnik me mjete administrative “, për të cilat flet raporti i zonjës Biserko.
Në betejat ndërkombëtare ku ka hyrë kombi shqiptar kanë shumë rendesi armët që përdoren. Ky raport, i financuar nga Perëndimi dhe ndihmuar nga AFEDS ,me realizmin e vet është një armë e besueshme, që na përkujton të merremi me problemet tona reale dhe jo me ato të botës; na përkujton të heqim dorë nga qasje megallomane irrealiste që po na pengojnë të shohim “elefantin në mes të dhomës”.
Nëse nuk reagojmë sot, si na përkujton raporti, pas dhjetë vjetësh, në 3 komunat shqiptare në Jug të Serbisë, nuk do të ketë më shqiptarë!
Medvegjë
Muharrem Salihu