Ribotohen me rastin e përvjetorit të ditëlindjes
Nga Rozi Theohari
Shumë shqiptaro-amerikanë, që i përkasin brezit të dytë e të tretë të emigrantëve shqiptarë të shekullit të kaluar e kanë edhe sot si të gjallë fytyrën e Fan Nolit të madh, njërit prej “Patriarkëve” më të shquar të atdhetarizmit shqiptar.
Kujtimet për Fan Nolin, bisedat me të, takimet në sallat publike festive dhe në piknikët me këngë e valle, kontributi i penës së tij në edukimin patriotik të mërgimtarëve, dëgjimi i predikimeve të tij në kishë, në kurorëzimin e çifteve të reja, në pagëzimet e fëmijëve dhe në ceremonitë mortore… janë vlera të pashlyeshme që i mbart një komunitet i tërë shqiptaro-amerikan jo vetëm në Massachussetts, por edhe në mbarë Amerikën.
Në kujtesën time kalojne dhjetëra emra shqiptaro-amerikanesh të moshuar, të cilët i kam njohur në një periudhë kohe prej gjashtëmbëdhjete vjetësh të ardhjes sime në Amerikë.
Gjatë çdo bisede me ta ku kam mësuar aq të papritura nga jeta në emigracion kam drejtuar edhe pyetjen: “A e keni njohur Fan Nolin?”
Disa prej tyre jo vetëm e kanë njohur, por ruajnë edhe kujtimet më të mira. Ja njëra prej tyre.
Stërgjyshja e pagëzuar nga Fan Noli
E quajnë Sofia Mantho, e lindur dhe e rritur në Amerikë nga prindër shqiptarë me origjinë nga Përmeti. Kam shkruar disa herë për të. Jeta e saj është një “minierë” e pasur në ngjarje që kur ishte vajzë e vogël dhe e rritur, nënë, gjyshe, stërgjyshe… turiste në Shqipëri e në vende të tjera. Nga pamja të jep përshtypjen e një gruaje tipike amerikane, por kur të hap derën e shtëpisë, ajo të fton me një shqipe të pastër: “Mirësevini… Miq pres ngaherë”, – dhe sytë e saj njomen nga një ngrohtësi e brendshme. Atëherë tërë qenia e saj shkrihet e bëhet një me atë të mijëra e mijëra grave e nënave shqiptare, që të befasojnë me magjinë e pashpjegueshme të dashurisë e mirësisë.
Nje te diel, kur shkova t’i uroja ditëlindjen, shijova glikonë e limonit, të bërë nga duart e teto Sofisë.
“Jam e pagëzuar nga i përndershmi Fan Noli, këtu e 90 vjet të shkuar, – foli ajo ngadalë dhe e emocionuar. – Kishën shqiptare në Boston e kishim larg, nuk kishim atëherë automobila si sot. Pagëzimet e fëmijëve bëheshin nëpër shtëpi.
Shkojti Sokrat Totoni, djali i kumbarit, te stacioni i trenit të Lynn-it, e priti Fan Nolin dhe e solli në shtëpi”.
Sofia tregon se, kur ishte vajzë e vogël, i pëlqente të vizitonte shtëpitë e miqve kur bëhej ndonjë pagëzim fëmijësh nga Fan Noli, mbasi e imagjinonte këtë rit edhe kur u pagëzua ajo vetë. “Ajo ditë kthehej në një ditë feste të familjes, – thotë ajo, – dhe kulmi i gëzimit arrinte kur Fan Noli, i pritur nga kumbari tek stacioni i trenit, mbërrinte te pragu i derës së shtëpisë. Ai përshëndetej dhe i bekonte gratë, burrat e fëmijët shqiptarë që mbushnin dhomat dhe korridorin e banesës. Atë kohë Fan Noli ishte vetëm prift i thjeshtë, por ai pritej e nderohej si të ishte dhespot… I zoti i shtëpisë vendoste në “livingroom” një kazan të madh të bakërt e të kallajisur. Ne fëmijët e vegjël dilnim përpara të mëdhenjve dhe ia mbërthenim sytë lëvizjeve të shkathta të duarve të Fan Nolit.
Pasi bekonte me lutje njerëzit e familjes e gjithë të ftuarit, ai shpaloste bohçen, vishte rrobat e priftit, që i kishin aq lezet, ndizte temjanin, puthte kryqin e argjendtë dhe e vendoste me kujdes në tavolinë. Ndërkohë i zoti i shtëpisë sillte gjymet me ujë të vakët dhe e mbushte përgjysmë kazanin. Duke kënduar me zërin e tij që bënte të kumbonte tërë shtëpia, i përndershmi Fan Noli zbrazte në kazan një shishe të vogël me vajin e ullirit dhe e bekonte ujin. Ne mbanim frymën, jo vetëm të vegjlit, por edhe të rriturit. Qetësinë e prishte vetëm e qara e foshnjës, të cilën e mbante në krahë kumbari; sidomos, në çastin kur kumbari ia jepte në duar Fan Nolit, bebja qante më shumë nga rrobat e zeza të priftit. Ne të gjithë qeshnim dhe ndiqnim të përqendruar çastin kur duart e Fan Nolit fundoseshin në ujë tri herë bashkë me beben që përpëlitej nga frika. Me qarjet e fëmijës bashkohej zëri i lutjeve të Fan Nolit, të cilat i përsëriste kumbari dhe ne, sipas radhës”.
Ceremonia merrte fund me përsëritjen e formulës së pagëzimit shqiptar. Formula e famshme e pagëzimit, që përbën dhe dokumentin e njohur, të parë, të gjuhës së shkruar shqipe e formuluar nga bashkëpunëtori i afërt i Skënderbeut, kleriku Palë Engjëlli, jehona e së cilës vinte nga shekujt e kallkanosur, nga kullat e gurta të malësisë, duke udhëtuar mbi Atlantik dhe mbërritur deri te pragjet e shtëpive të drunjta të Amerikës: “Un te paghesont…” Zëri tingëllues i Nolit përsëriste tri herë: “Unë të pagëzoj në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të shenjtë. Amin”.
“Më vonë shtroheshin tavolinat si për festë me gjithfarë lloje gatimesh shqiptare dhe të rriturit ciknin kupat e verës me të nderuarin Noli”.
“Vetëm për pagëzime vinte Fan Noli?”- e pyes.
“Jo, vinte sa herë ishin ditë festash fetare. Meshën e mbante në një holl të madh ku mblidheshin tërë shqiptarët e Lynn-it. Ndonjëherë mblidheshim edhe në kishën e protestantëve. Pas kishës nëna e babai e ftonin Fan Nolin për drekë në shtëpinë tonë. Gëzonim të gjithë, por më tepër gëzoja unë kur i tregoja fletoren time shkruar me fjalë anglisht e përkthyer në shqip, por me alfabetin anglisht”.
Ndërsa në ditën e shënuar të Pashkës së Madhe, Sofia dhe familja e saj udhëtonin për në kishën e Shën Gjergjit, në Boston. “Na mbeteshin sytë, – thotë ajo, – kur e shikonim të përndershmin Fan Noli me rrobat e bukura të dhespotit, të cilat shkëlqenin si ar. Por ar e shkuar arit ishte shpirti i tij i rrallë, që rridhte si ujë burimi bashkë me predikimin, me lutjefaljet dhe këngën fetare që na pataksnin e na mbërthenin!…
Para se të kungoheshim nga duart e tij, thoshim emrin tonë, të cilin e përsëriste edhe ai. Pastaj, duke ndenjur në radhë, afroheshim përsëri para të madhërishmit Noli, të na jepte nga një copë bukë-nafore dhe ne ia puthnim dorën me nderim e na dukej sikur puthnim dorën e një shenjti.
At Noli kishte bërë zakon, – thotë ajo, që, në fund të shërbesës të na shpërndahej nga një karafil i kuq, si shenjë nderimi për bijtë e mëmëdheut që kishin dhënë gjakun për lirinë, si shenjë për të mos harruar nënën Shqipëri”.
Pas shërbesës kishtare Fan Noli takohej me të gjithë bashkatdhetarët, sidomos me ata që vinin nga qytetet e largëta për të ndjekur shërbesat që bënte ai për Pashkët. Vinin shqiptarë nga shtetet fqinje: Nju Empsher (New Hampshire), Konektikat (Connecticut), Maine e deri nga larg, nga qyteti Albany dhe Detroit.
Sofia kujton disa piknikë ku ishte i ftuar edhe Fan Noli, i cili ulej në shesh tok me burrat e ku ziente muhabeti. “Sa këngë të bukura këndoheshin, – kujton ajo, – e sa valle hidheshin. Dilte tabakaja me qerasje të ndryshme, piqej mishi në skarë, bëheshin shishqebapet… gjëmonin sazet. Ca djem kishin violinë, buzuk e gërnetë… Babai qante nga gëzimi e mallëngjimi… Fan Noli, edhe ai i mbushte sytë me lot, dhe, kur të shikoje, disa ditë më vonë lexonim te gazeta “Dielli” për fjalën aq të paqme dhe të mbarë që mbante i përndrituri Fan Noli përpara shqiptarëve. Babai im, Kiriako Damati, nga Novosela, bashkëpunonte me “Vatrën”, por atëherë isha e vogël e nuk më kujtohet mirë veprimtaria e tij”.
Sofia më afrohet e më tregon një libër me kapakë të vjetruar.
“Këtë libër që ma ka falur Imzot Fan Noli e ruaj si pare të vyer për të kujtuar peshkopin tonë të përndritur. Me këtë libër unë mësova të shkruaj shqip vetë me veten time. Dëshiroja të mësoja shqip për nder të Fan Nolit që më pagëzoi”.
Dorëzuar prift nga At Noli
Ne kishën shqiptare të Shën Mërisë në Worcester predikon prifti i nderuar me origjine dardhare, Spiro Paze.
Zoti Spiro është shqiptari i fundit në Amerikë i dorëzuar prift nga peshkopi Fan Noli, në vitin 1962. Spiroja më tregonte mbresat nga ajo e diel e paharruar plot emocion, gëzim, por dhe krenari, kur po kurorëzohej nga duart e bekuara dhe zëri lumturues i të përndriturit imzot Nolit.
“Gjatë veprimtarisë sime si prift, – thotë zoti Spiro, – jam përpjekur të predikoj e të kryej shërbesën kishtare sipas mësimeve dhe shëmbëllesës së të paharruarit tonë imzot Nolit”. Ai kujton e tregon me humor kur At Noli dorëzonte priftërinj të rinj shqiptarë që nuk e kishin arsimin e nevojshëm.
I përndritshmi Noli i mësonte: “I këndoni lutjet ashtu si dini, shqip, po pastaj lart i rregullon perëndia”. Peshkopi Noli i zgjidhte priftërinjtë e rinj ndër njerëzit e ndershëm e patriotë.
Në rolin e mësuesit ai u jepte mësimet e nevojshme teorike dhe si predikues, si të zhvillonin meshën e të lexonin liturgjinë.
Zoti Spiro tregon se ishte 35 vjeç kur u dorëzua prift, në vitin 1962. Ai përfundoi shkollën një -vjeçare të teologjisë dhe Fan Noli i propozoi të bëhej prift, mbasi nevojitej një i tillë në kishën shqiptare ortodokse të Filadelfias.
“Para se të vinte dita e shugurimit, bëra përgatitjen e duhur, – thotë zoti Paze. – Ditën praktikoja shërbesën kishtare me dy priftërinj shqiptarë, Harallamb Dode dhe at Sotir Dillogjika, kurse natën takohesha me Fan Nolin në apartamentin e tij në Boston, për të studiuar më thellë shërbesën kishtare.
“Çfarë të bëri përshtypje, – e pyes, – në vizitën e parë tek Fan Noli?”
“Librat… një dynja me libra që të zinin frymën…, një piano, fletore me nota muzikore…, përsëri libra… Dhe, e dyta, s’më harrohet humori i imzot Fan Nolit. Unë jam rritur në Amerikë dhe gjuhën shqipe nuk para e dija mirë. Fan Noli u llahtaris kur më dëgjoi në fillim, “Ti llafosesh shqip si një çoban, o Spiro!”, – më tha.
Kaluan shumë net kur Noli, si një mësues i mirë i shpjegonte Spiros me durim historinë e gjeografinë e Shqipërisë, i diktonte rregullat e gramatikës shqipe, i jepte për të lexuar librat e shkruar ose të përkthyer nga ai vetë, i tregonte përralla shqiptare deri tek aventurat e Nastradin Hoxhës. Po ashtu i tregonte ngjarje të jetuara kur Noli ishte në Shqipëri.
Arriti dita e fundit e vizitës tek apartamenti i Nolit. Ishte e shtunë në darkë.
“Tek i ngjitja shkallët e shtëpisë së Nolit, – kujton Spiroja, – më dridheshin këmbët. Apo, nga që vija i dobët nga shëndeti, i uruari, ma kishte ngjitur dhe nofkën “Cirimingo” e qeshte me lot sa herë më emërtonte me këtë fjalë”.
Por atë natë Noli i madh ishte serioz, nuk bëri shakara me dardharin trup-imët. U takuan si burri me burrin dhe Spiroja bëri “konfeshën”—rrëfimin para peshkopit. “Gjatë rrëfimit Noli i madh më dha një këshillë: “ Dëgjo, Spiro, kur nga disa besimtarë nuk do të dëgjosh fjalë të mira, gëlltiti!…
Kur të të shajnë…, gëlltiti!… Mos lufto me njerëzit dhe “continue working”—vazhdo punën tënde”.
Sigurisht, atë të shtunë mbrëma Spiroja nuk fjeti mirë dhe kur erdhi e diela në mëngjes, ai e ndiente trupin e trurin të ngrirë. Por emocionet e tij u shkrinë sapo peshkop Noli hapi ceremoninë. Kisha ishte mbushur plot e përplot me shqiptarë e amerikanë dhe Spiroja dalloi të ulur në rreshtin e parë Anton Athanasin dhe zonjën e tij, Esterin.
Pas dorëzimit prift e pasi u përshëndet me të gjithë besimtarët, në shoqërinë e Fan Nolit, dy priftërinjve të sipërpërmendur dhe Anton Athanasit me Esterin, zoti Spiro shtroi një drekë në restorantin e dëgjuar “Pier 4”. “Por Fan Noli hëngri vetëm zarzavate, – shton Spiroja, – e mua më dukej sikur gjithë shpenzimet shkuan kot. Sepse e doja si baba dhe e respektoja si zotni atë deli burrë që quhej Theofan”.
Në kryekishën e Shën Gjergjit
Me kujtohet Mesha e 13 marsit 2005, qe u mbajt në kryekishën Shqiptare Ortodokse të Bostonit, me rastin e 40-vjetorit te vdekjes se Fan Nolit.
Shumë besimtare dhe shqiptaro-amerikanë, të ardhur apostafat për këtë ditë të shënuar ndoqën me nderim dhe emocion shërbesën përkujtimore të drejtuar nga i përndershmi At Arthur Liolin. Ate dite mblodha mjaft kujtime prej besimtarëve.
Pas sherbeses, ne kafeterine e kishes u ula ne tavoline me disa zonja te moshuara.
Një gjyshe e moçme po fshinte lotët. “Më kujtohen të gjitha, – tha ajo, – sikur të kishte ndodhur sot, ditën kur vdekja na e rrëmbeu Nolin tonë”.
Ajo filloi të recitojë disa vargje nga elegjia për Imzot Nolin: “Dita u ngrys dhe për ne bota u përmbys, Imzot Si shkove përtej, na le kishën pa Zot,”.
“E qamë me lot dhe e vajtuam me kujë e ligje, – tha ajo, – ashtu siç është zakoni shqiptar. Ne ishim nënat e motrat e tij, sepse i mungonte familja. Të shihje ç’nur i kishte rënë veshur me rrobet e dhespotit dhe me mitrën mbi kokë. E kishin mbuluar me flamurin kombëtar. Qirinj dhe lule pa hesap! Nënat tona dhe gjyshet e ruajtën natën, siç e ka zakonin vatani. E mbajtën arkivolin para altarit tri ditë. Kisha ishte e hapur ditë e natë… Erdhën e i dhanë lamtumirën shqiptarët nga të gjitha viset e Amerikës, aty dhe Governatori i Massachusettsit.…” Duke përfunduar ajo kujtoi ceremoninë e përmortshme, të cilën e drejtuan 15 priftërinj veshur në të zeza. E nderuan dhe ligjëruan dhe Imam Vehbi Ismaili e Baba Rexhepi. Ndërsa korit të kishës së Shën Gjergjit i ishin shtuar koret e kishave të Usterit e të Netikut. Kurrë ndonjëherë kisha nuk kishte kumbuar aq shumë nga himnet fetare të kënduara në gjuhën shqipe.
Tek tavolina jonë u afrua një mesoburrë gjysmë i thinjur, i ndrojtur, por i buzëqeshur, zoti Lame Prifti. Ai kishte kohë që po ndiqte bisedën tonë nga larg.
“Shto edhe këtë, – tha ai. – Vajtëm me at Liolinin te varri i Fan Nolit. At Liolini kishte marrë me vete dhe e shtroi para gurit të varrit një qilim të vogël të kuq ku ishte endur shqiponja e zezë dy krerëshe. U ulëm të dy mëgjunjazi, u lutëm për shpirtin e Nolit, pastaj bisedonim, kujtonim ditët që kishim kaluar me peshkopin.
Na dukej sikur edhe ai merrte pjesë në bisedë me ne”.
Ajo ditë ishte e diel 13 mars 2005. Fan Noli, vdekur me 13 mars 1965 kishte ardhur mes dëborës e stuhisë sërish mes nesh për të kuvenduar me ne në të gjitha kishat shqiptare të globit, ku ai u përkujtua me madhështi. Shpesh diskutohet për varrin e tij. Ai gur varri që u përkëdhel nga flatrat e flamurit shqiptar, i cili u valvit në qiellin e Bostonit për herë të parë në nëntor të vitit 2004:
O Flamur gjak, o Flamur shkabë,
O vend e vatër, o nënë e babë,
Lagur me lot’, djegur me flagë,
Flamur i kuq, Flamur i zi.
Ku i shkroi Noli këto vargje? Amerika, ku ai zhvilloi 90 për qind të aktivitetit të tij politik, kulturor, qytetar e fetar thotë se i shkroi këtu. Vendlindja pohon të kundërtën. Dy forca të barasvlerëshme me kahe të kundërta e tërheqin gjeniun Noli, kush e kush ta ketë në gjirin e vet.
Koha thotë: “Noli ka qenë, është e do të mbetet Ikona e kombit shqiptar”.
Shpirti i tij udhëton, qëndron e pagëzon çdo qelizë të shqiptarizmës: “Un të paghezont…”
BOSTON, 2010