Nga Gazmend Mullahi, kompozitor
Kjo stinë që në vitin 1987 kur Albano erdhi për herë të parë në Shqipëri pak javë sapo kishte përfunduar Festivali i San Remos dhe Albano e Romina kishin fituar çmimin e Parë me këngën hit “Nostalgia Canaglia“, tingujt e së cilës gjëmonin që kur arritën në Kakavijë tek dilnin nga makina e tyre “Range Rover” …
Bëja pjesë në grupin që i pritëm dhe shoqëruam gjatë gjithë kohës prindërit e tij për të vizituar vendet ku ai akoma mbante mend me detaje ku ai kishte kaluar rininë gjatë luftës, Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Sarandë ….
I jati, Carmelo, babaxhan njeri, ndonëse i rënduar nga mosha dhe shikimi, kishte një nostalgji të jashtëzakoneshme për vendin tonë, veçanërisht njerëzit bujar që i ra rasti të njihte.
Njeriu i thjeshtë, popullor, fshatar me origjinë nga jugu i Italisë që porosiste gjithmonë në restorant “cozze crudo” që kamarieri ynë i pamësuar se duhej t’i shërbente të gjalla çuditej dhe s’e kuptonte porosinë dhe i sillte të ziera, por që detyrohej t’i kthente përsëri.
Carmelo i hapte me maje thike e duar duke i përpirë ashtu të gjalla plot kënaqësi duke shijuar me aromë deti dhe kripën jodè.
Muhabetqar gjithë kohës, më tregonte copëza kujtimesh që i mbante mend fare mirë nga koha e rinisë së tij përgjatë asaj periudhe të shkurtër që i ra për pjesë ta kalonte në Shqipëri gjatë luftës.
Njëra nga këto rrëfime më bëri shumë përshtypje dhe m’u fiksua edhe mua për ta rrëfyer.
…Fillim viti 1943.
Toga e tij ishte disllokuar buzë lumit në Tepelenë. Aty kishin ngritur çadrat dhe prisnin urdhëra për t’u kthyer mbrapsh. Kishte javë që kishte nisur çorientimi nga kapitullimi i tyre i pa shpresë, por edhe të trembur nga perspektiva e zymtë që sillte situata me gjermanët që u ra rruga në terheqje.
Carmelo atëherë djalë fare i ri, të rraskapitur e të çorientuar por me shumë “dezertues” vendosi t’i largohej dhe të arrinte sa më shpejt në portin e Durrësit për t’u kthyer në shtëpi.
Një arësye më shumë, Jolanda, e shoqja imcake, zeshkane, në muajt e fundit të shtatëzanisë priste për të lindur fëmijën e parë që më pas mori emrin Albano.
Ushtari i këmbësorisë i quajtur Carmelo u “vodh” nga çadrat e kampingut në mbrëmje dhe në terrin e natës në një kohë të keqe me shi u detyrua të kalonte natën jashtë, fare pranë disa shtëpive përdhese pranë në hyrje të kalasë në Tepelenë.
Trokiti në një nga shtëpitë e veçuara të saj që u hap nga dy të moshuar tmerrësisht të varfër që ngroheshin të rreckosur pranë një vatre që njëkohësisht bënte dhe dritë atij mjedisi. E pranuan menjëherë duke e futur brenda, ngrohur dhe tharë rrobat dhe këpucët e qullosura, të lagura nga lumi.
-Më ulën pranë zjarrit, kujtonte Carmelo, isha i paarmatosur dhe pa kapele e rripa. Unë flisja me gishta e shenja ata s’kuptonin asgjë.
-Më afruan për të ngrënë diçka që ata i thonin “kaçamak” me bukë të thekur misri mbi mashën e zjarrit.
Ishin dy pleq të mrekullueshëm, bujarë që nuk dinin asnjë fjalë italisht, por që kuptoheshin nga zemra e bardhë e tyre… më përcollën që në mëngjes herët dhe më dhaneë edhe bukë me vehte….
Bëmë çmos për të rënë në gjurmët e këtij çifti plak, pyeten kur arritën në Tepelenë, por kishin kaluar gati 45 vite nga ajo kohë dhe sigurisht ata nuk jetonim më, por dhe s’patën mundësi të kishin lënë ndonjë gjurmë trashëgimtarësh. Të vetmen gjë që nuk ia realizuam dot babait të Albanos për t’i takuar ndonjërin prej tyre dhe për t’i shprehur mirënjohjen e tij të asaj nate të paharruar që kaloi në atë kohë të vështirë.…
U mërzit shumë i gjori që s’mundi dot t’ua shprehte, por edhe t’ua shpërblente këtyre njerëzve të mirë që në atë “natë të shenjtë fati” i hapën derën për ta kaluar atë natë që ruante në kujtesë edhe në vitet e plëqerisë. Ndaj, ishte kthyer si një amanet dhe deshirë e zjarrtë për të vizituar edhe njëherë këtë vend të bekuar dhe që i kishte gdhendur thellë në gji respektin dhe konsideratën e këtij vendi magjik si Shqipëria.
Dhe Albano, i biri, ia realizoi për të vijuar të njejtën dëshirë dhe konsideratë ndaj këtij vendi siç ëshëe Shqipëria!
Jemi takuar dhe herë të tjera me këngëtarin famoz italian me emer shqiptar, Albano, por takimi i parë dhe i fundit për prindërit e tij ka qenë i rrallë dhe shumë prekës e mbresëlënës edhe për shumë episode të tjera gjatë kësaj vizite.