“Toleranca është besimi më i mirë.” (Viktor Hygo)
Nga Fuat Memelli
Në rrugën e gjatë të jetës, kam qënë disa herë në kishë në kohën e Pashkëve si dhe për Krishtlindje, siç kam qënë edhe në xhami festat myslimane. Në Pashkët ortodokse të sivjetme, isha në një kishë në Toronto. Aty jetojnë dy djemtë e mi, Eltoni dhe Erjoni me bashkëshortet dhe vajzat e tyre. Theksoj se dy djemtë i kanë gratë orthodokse. I pari e ka me origjinë greke, por e lindur dhe rritur në Toronto, ndërsa tjetri e ka me origjinë nga Berati. Me ata dhe njerëzit e tjerë të afërt, shkova dy herë në një kishë greke. Po ndalem në disa mbresa që përjetova ato ditë.
BESIM I MADH NË FENË E TYRE
Ndër mbresat e para ajo që më ra në sy ishte besimi i madh fetar i familjeve greke që jetonin në Toronto si dhe qytete të tjerë të Kanadasë. Këtë e vura re në javën e Pashkëve që kulmoi me ditën e ringjalljes së Krishtit. Kisha ku shkuam ne, kishte rreth njëmijë vende. Në ritualin e ringjalljes së Krishtit, kishte njerëz që rrinin edhe në këmbë. Në orën 12 të natës, kur u fikën dritat, u ndezën njëri pas tjetrit 1000 qirinj që ngjanin si 1000 yje të zbritur në tokë. Me qirinj të ndezur në dorë, pjesëmarrësit vazhduan ritualin në oborin e kishës. Edukata e tyre fetare, është rrënjosur brez pas brezi. Para Pashkëve, i moshuari George Diolitsis dhe gruaja e tij Irini, të dy njerëz të mrekullueshëm, kishin mbajtur 40 ditë kreshmë. George, sa herë ulej për të ngrënë bukë, bënte kryqin e pas tij e bënin edhe të tjerët. Edukimi fetar i fëmijëve, veç familjes, bëhej ditën e dielë në kishë. Ky edukim mbahej gjallë pastaj me frekuentimin e kishave, ku në Toronto kishte 15 kisha greke. Edukimi i fëmijëve për gjuhën dhe kulturën greke, bëhej një herë në javë, ditën e shtunë në mjedise të veçanta. Veç gjuhës aty mësonin edhe traditat e tyre për veshjet, këngët, vallet, etj. Për disa vjet në këto shkolla ka qënë mësuese nusja e djalit, Maria Diolitsis, grua e thjeshtë e dashur e që ka mësuar ca shqipen e ne kënaqemi kur na flet në gjuhën tonë.
DREKA E PASHKËVE, NJË FESTË E VEÇANTË
Dreka e Pashkëve, ashtu si në Shqipëri, ishte një festë e veçantë. Disa familje mblidhen e festojnë së bashku. Ne u mblodhëm në familjen e Nikos dhe Chrissa Chilakos, i cili ishte daja i Maries, nuses së djalit të madh. Kjo ishte një familje e njohur mikpritëse në Toronto. Atë ditë në shtëpinë e tij numëroheshin rreth 50 veta. Sipas traditës së Pashkëve, i zoti i shtëpisë kishte blerë një qingj të madh të cilin e poqi në hell. Kishte bërë edhe kukurec, ndërsa miqtë e ftuar kishin sjellë pije, ushqime, ëmbëlsira, etj. Dreka vazhdoi disa orë me urime për njëri-tjetrin, për Krishtin që u ngjall (Kristos Anesti) me humor si dhe me këngë e valle. Në fund u bë një fotografi e gjithë pjesëmarrësve.
DISKUTIME PËR ÇËSHTJEN BEJLERI
Natën e ringjalljes së Krishtit, ishim për darkë në familjen Diolitsis, ku Irini, e zonja e shtëpisë një grua shumë e dashur dhe nikoqire, krahas të tjerave kishte përgatitur edhe një supë të veçantë që bëhet për atë natë. Aty bëhej edhe rituali i çukitjes (thyerjes) së vezëve me njëri-tjetrin. Nisur nga fakti që unë isha shqiptar, u hap tema e Fredi Bejlerit, aktualisht i dënuar nga drejtësia shqiptare. Njerëzit e thjeshtë që kishin dëgjuar versionin zyrtar nga mediat greke, ishin në një mendim me to se burgosja e tij ishte e padrejtë. Unë i shpjegova variantin zyrtar shqiptar se ai ishte kapur me armë në Greqi dhe ishte dënuar atje. Gjithashtu siç thuhet në Shqipëri ai kishte qënë edhe në grupin që bëri vrasjen e dy ushtarakëve në postën kufitare shqiptare të Peshkëpisë, si dhe për blerje votash gjatë zgjedhjeve të vitit 2023 në bashkinë e Himarës. I thashë gjithashtu se minoriteti grek në Shqipëri, ka kuadro shumë më të mira se ai për të qënë kryetar bashkie. Në bisedë mori pjesë edhe historiani grek që jetonte në Toronto, PhD. Sakis Gekas, me origjinë nga fshati Kastorias, profesor në “York University”. Ai kishte ndjekur lajmet dhe opinionet e dhëna për Fredi Bejlerin në shtypin grek, në radio e televizion. Mendimi i tij i përmbledhur ishte afërsisht i njëjtë me mendimin tim, se Fredi ishte dënuar në Greqi për armëmbajtje pa lejë dhe nuk ishte i përshtatshëm për t’u propozuar për kryetar bashkie si dhe deputet për Parlamentin Europian. Sipas profesorit, Fredi Bejleri ishte mbështetur edhe nga qarqet ekstremiste greke dhe kjo i vlente për vota partisë në pushtet. U ndala këtu pasi si shqiptarët edhe grekët, nuk shkëputen dot nga politika.
NË VEND TË MBYLLJES
Desha të theksoj dy momente. Së pari, populli shqiptar dhe ai grek, si popuj fqinjë që në rrugën e gjatë të historisë kanë dhënë e marrë nga njëi-tjetri, duan të jetojnë në harmoni. Shpesh politika i ka ndarë. Së dyti dua të theksoj se te ne shqiptarët, harmonia fetare është një vlerë e çmuar. Siç ka thënë Gjergj Fishta :”Festojmë Bajram e Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë.” Po e konkretizoj këtë harmoni edhe në familjen time. Ne festojmë Bajramin dhe dy Pashkët, ato Katolike, pasi vajza e madhe Gledisi e ka burrin katolik e ne mblidhemi e festojmë me njerëzit e tij. Siç theksova më lart, festojmë edhe Pashkët Orthodokse. A ka më bukur! Siç ka thënë Viktor Hygoi “toleranca është besimi më i mirë.”