MBRESA NGA NJË TAKIM KRIJUESISH

Shoqata Mbarëshqiptare Social-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadefia (Philadelphia) organizon një veprimtari me një grup krijuesish, që jetojnë në këtë qytet dhe në afërsi të tij.

                Salla në katin e dytë të bibliotekës në  625 Red Lion Rd, Huntigton Valley, PA 19006, kishte shumë kohë që nuk kishte parë një veprimtari ku të  ishin bashkë një grup kaq i madh krijuesish dhe dashamirës të librit. Është fjala për një veprimtari të organizuar nga Shoqata Mbarëshqiptare Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, me qendër në këtë qytet, me poet prozator dhe historianë, që jetojnë në Filadelfia dhe në afërsi të saj.

           Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre dhe zotërinjtë Nju Jorku, Konektikat dhe Nju Xhersi.

           Kjo shoqatë ka një traditë të pasur në këtë fushë të veprimtarive të saj. Ndër vite janë promovuar autorë dhe krijues të tjerë, jo vetëm nga Filadelfia dhe shteti i Pensilvanisë por edhe nga shtetet të tjera të  SHBA-ve. Por pastaj pasoi një “heshtje”, që kishte arsyet e veta të pakundërshtueshme, si pandemia e Koronavirusit, përqëndrimi pastaj i gjithë energjive dhe kohës në përfundimin e punimeve në ndërtesën madhështore  për qëndren e re kulturore të kësaj shoqate.

            Këto dhe të tjera arësye më të vogla, krijuan një boshllëk, në organizimin e veprimtarive kulturore të këtij lloji. Duket sikur humbi durimi që të pritej deri në përfundimin e këtyre punimeve, që janë në fazën e fundit dhe kryesia e shoqatës vendosi organizimin e një takimi të gjerë me krijues dhe dashamirës të fjalës së shkruar, të letërsisë dhe historisë.

      Dhe ja, më 18 Maj 2024, në orën 02.00 PM, në këtë bibliotekë, filloi veprimtaria më e gjerë që ka zhvilluar kjo shoqatë, përsa i përket numrit të krijuesve. Kryetari i shoqatës z. Dritan Matraku, e hapi këtë veprimtari duke theksuar se është e vërtetë që kemi shumë  autorë në këtë veprimtari, por qëllimi është që t’i njohim nga afër këta dhe botimet e tyre, për të mbushur sadopak boshllëkun e krijuar në vitet e fundit.

       Pastaj fjalën e mori bashkatdhetari ynë z. Lutfi Brami, që prezantoi vëllimin e tij të pare poetic “Erë e dalldisur”. Udhëtimi i penës së tij, vite të shkuara, është një bashkësi proze dhe poezie, gazetarie dhe historie, dhe ja më në fund, vendosi t’i mbledh poezitë në një vëllim që është pritur mirë nga lexuesit. Ai falenderoi bashkëshorten, fëmijët dhe shokët që e nxitën për botimin e këtij vëllimi.  

           Hatem Dervishaj ka një përvojë më të gjerë në krijimtarinë letrare, ku ndërthuret proza dhe poezia. Edhe në fushën e botimeve ka një përvojë të mirë. Mund të përmëndim nga botimet e tij “Mallkimi i hijeve”, “Eremiti”, etj. që janë pritur mirë nga lexuesit.

Gjithashtu, në këtë aktivitet ishte i pranishëm dhe pershendeti shkrimtari i njohur dhe autori i shumë botimeve për fëmijë, z. Gaqo Bushaka.

           Një autore e re afrohet tek mikrofoni dhe mes emocioneve flet për përvojën e parë si nënë e re, që e nxiti, frymëzoi të botoi një vëllim për fëmijë me mendimin dhe dëshirën se si mund t’i edukojmë më mirë fëmijët shqiptarë në Amerikë. Kjo është Ana Kasëmi. Urimet më të mira Ana!

           Pastaj e merr fjalën Vlashi Fili që ka botuar këtë një çerek shekulli 26 libra, në gjini të ndryshme, histori, poezi, prozë e shkurtër, roman dhe publicistikë. Është pritur ngrohtë nga lexuesi dhe organet dhe organizmat e specializuara e kanë vlerësuar me disa çmime letrare. Ai nuk ka qenë në krijimtari të lirë në të gjithë këto vite, se për gati 22 vite ka qenë i “punësuar” pranë Shoqatës Atdhetare-Kulturore Shqiptare-Amerikane “Bijtë e Shqipes”. E them të “punësuar” se të rralla kanë qenë ditët kur nuk i ka kushtuar kësaj shoqate 2-3 orë. Për 20 vite ka qenë sekretar i kësaj shoqate. Por ora në jetën e Vlashit ka vlerë të plotë, falë ndërgjegjes, disiplinës, vullnetit dhe talentit të tij. Për këtë, veç të tjerave, dëshmonë krijimtaria letrare e tij. Pra, siç thamë: 26 vepra letrare. E theksojmë këtë, jo vetëm si numër, por edhe për nivelin artistik të tyre. Vulën e vlerësimit të kësaj veprimtarie letrare ia dha “The Mundus Artium Press”, një organizatë jo fitimprurëse që ka si mision evidentimin dhe vlerësimin, e shkrimtarve bashkëkohës ndërkombëtar.Të  themi të drejtën ky është një nder dhe vlerësim jo vetëm i Vlashi Filit por edhe për letërsinë shqipe në tërësi dhe shoqatën tonë në veçanti. Është vlerësim për rigjallërimin e letersisë që kemi nevojë, të letërsisë që sjellë jetën në faqet e librit.

           Për krah Vlashi Filit për numrin e librave të botuar është autori Hys Hasa që ka botuar 26 libra të karakterit historik, social dhe edukativ.  Është një punë shumë e madhe që vetëm një intelektual dhe atdhedashës e këmbëngulës mund ta realizoi. Me mijëra orë  pune kërkuese, studiuese dhe realizuese për tema që kryesisht vërtiten në të shkuarën e largët dhe të afërt, në aktualitetin e jetës së një njërzve që i do, që i njeh e që i bashkojnë vlerat njerëzorë, intelektuare dhe atdhetare të  Kukësit të tij dhe më gjerë .

           Mozaikun e autorëve pjesëmarrës në këtë veprimtari e plotësuan më poshtë autorë si Neil S. Zebib, që vjen në këtë takim me një libër modest për fëmijë  (nga 1-100 vjeç) në anglisht me titullin: “Plant a Tree”, por me vlerë mjaft edukuese e kuptimplotë për brezin e ri.

           Edhe Haki Ҫollaku, Sami Zaimaj, Sotir Goxhaj erdhën në këtë takim me nga një libër të botuar dhe për të cilët kemi folur në takime të mëparëshme.

           Peshën më të  madhe në numër në këtë veprimtari kushtuar jetës letrare në Filadelfia zënë një vend nderi zonjat. Mund të përmendim këtu Premisa Kërthin me vëllimin poetik të saj, Mirjana Kina me vëllimin “Jeta në vargje”, Suzana Vangjeli libri me perralla per femije “Aventurat e Lulit”. Midis tyre mund të veçojmë zonjën Majlinda Paja me pesë botime në poezi dhe prozë, Eva Dori me tre botime, Erlinda Pysqyli që ka botuar dy libra dhe ka në përgatitje librin e tretë.

Në fund të paraqitjes së krijuesve kryesia e shoqatës shtroi një koktejl për të gjithë  pjesëmarrësit.

Nje pershendetje e vecante shkon per sponsorizuesit dhe kontribuesit, Solly Pizza z. Andi Goxhaj, Sofika’s Bakery, znj. Sofika Sota Dushi, Anila’s Kitchen, znj. Anila Tahiraj, z.Eduart Zeneli (dhurues i buqetave me lule), z. Lutfi Brami per dhurimin e librave, znj. Majlinda Pajaj (embelsira) dhe znj. Manjola Korriku (embelsira & dekori). Falenderojme Kryesine e Shoqates “Bijte e Shqipes” qe e organizuan kete veprimtari!

Filadelfia, 5/20/2024

Llazar Vero anëtar i KD të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe ish kryetar i shoqatës.