Londër, 17 mars 2022 – Mbretëria e Bashkuar do të vendosë sistemin raketor, Sky Sabre në Poloni, bashkë me 100 trupa ushtarake, ka thënë Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.
Ai ka thënë të enjten se ky vendim është marrë për të mbrojtur hapësirën ajrore polake nga “agresioni i mëtejmë i Rusisë”.
Polonia është anëtare e NATO-s dhe Mbretëria e Bashkuar edhe pjesë e saj po ashtu.
Çfarë është ky sistem?
I përshkruar nga Mbretëria e Bashkuar si “sistemi më i ri për mbrojtje ajrore”, ai besohet se ka kapacitet për të goditur një objekt me madhësi të topit të tenisit që niset me shpejtësinë e zërit.
Sipas ushtrisë britanike, sistemi përfshin tre komponentë: një radar mbikëqyrjeje 3D, menaxhim të betejës – inteligjencë, si dhe një lëshues raketash.
Ky sistem mund të lëshojë raketa 99 kilogramëshe.
Sistemi i mundëson Polonisë që ta mbrojë veten nga aeroplanët luftarakë, raketat dhe bombat.
Më herët gjatë javës, të paktën 35 persona janë vrarë, si pasojë e sulmeve ruse në një bazë për stërvitje ushtarake në Javoriv.
Kjo bazë gjendet afër kufirit të Ukrainës me Poloninë.
(REL)