Londër, 5 shtator 2024 – Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, FCDO. u ka bërë thirrje qytetarëve btitanikë që të shmangin udhëtimet në katër komunat veriore të Kosovës, veçanërisht në zonën pranë Urës së Ibrit, në Mitrovicë.
FCDO e ka vendosur pjesën veriore të Kosovës ndër vendet dhe destinacionet ku nuk rekomandohet të udhëtohet nëse nuk është e domosdoshme, për shkak të rreziqeve nga incidentet dhe tensionet e mundshme.
“FCDO këshillon që të mos udhëtohet në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit dhe në zonat e Mitrovicës në veri të lumit Ibër, përveç rasteve të domosdoshme. Kjo për shkak të incidenteve të dhunshme dhe tensioneve të shtuara në këto zona”, thuhet në rekomandimin e FCDO.
FCDO këshillon britanikët sit ë veprojnë për të shmangur rreziqet e mundshme në pjesën veriore të Kosovës.
“Që nga dhjetori 2022 ka pasur përplasje të dhunshme dhe incidente me granata dhe shpërthime automjetesh. Jini të kujdesshëm dhe shmangni tubimet publike, veçanërisht rreth zonës së Urës së Austerlitzit (Ura kryesore e Ibrit) që ndan Mitrovicën veriore dhe jugore”, thuhet në rekomandim.
FCDO thotë se “ekziston rreziku i protestave në komunat veriore të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit dhe në zonat e Mitrovicës në veri të lumit Ibër”, të cilat, siç thuhet, “kanë potencial të bëhen të dhunshme”.
“Ju duhet t’i shmangni tubimet publike, mitingjet politike dhe protestat, kontrolloni mediat lokale, konsultohuni me recepsionet e hoteleve për këshilla, regjistrohuni për të marrë njoftime me email kur kjo këshillë përditësohet”, i këshillon FCDO britanikët.
FCDO u bën thirrje shtetasve britanikë që të shmangin edhe udhëtimet ndërmjet Kosovës e Serbisë përmes pikave kufitare në Jarinjë, Leposaviq dhe Zubin Potok.
“Ju duhet të gjeni rrugë alternative për udhëtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në rekomandimin e FCDO-s.
(r.m.)