Londër, 9 shtator 2022 – Mbreti Charles i Britanisë do t’i drejtohet të premten një kombi të trishtuar pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth, që qëndroi për shtatë dekada në fron. Mbretëria është në periudhë zie kombëtare për monarken e vetme që ka njohur ndonjëherë shumica e britanikëve.
Mbreti Charles, që nxitoi të enjten për të qenë në krah të mbretëreshës në shtëpinë e saj në Skoci, u kthye të premten në Londër me gruan e tij Camilla, tani Mbretëresha Bashkëshorte. Ai do të takohet me kryeministren Liz Truss dhe do të mbajë një fjalim televiziv para kombit.
Gjithë bota po dërgon ngushëllime për vdekjen e mbretëreshës, monarkes më jetëgjatë të Britanisë dhe një figurë qendrore në skenën botërore për 70 vjet.
Qytetarët britanikë filluan që në mëngjes të mblidheshin përsëri para Pallatit Buckingham dhe Kështjellës Windsor për të vendosur lule.
Tabela anembanë qytetit përmbanin mesazhe ngushëllimi dhe gazetat publikuan homazhe me foto në faqet e para për mbretëreshën.
Pallati Buckingham tha se familja mbretërore do të mbajë një periudhë zie deri një javë pas funeralit, data e të cilit ende nuk është konfirmuar, por pritet të mbahet brenda rreth 10 ditëve.
Qeveria shpalli një periudhë zie kombëtare e cila do të vazhdojë deri në funeralin shtetëror.
Elizabeth ishte kryetarja e shtetit e Mbretërisë së Bashkuar dhe 14 territoreve dhe vendeve të tjera, mes së cilave Australia, Kanadaja, Xhamajka, Zelanda e Re dhe Papua Guinea e Re.
(Zëri i Amerikës)