Mbreti Charles III diagnostikohet me kancer

Londër, 5 shkurt 2024 – Mbreti Charles III është diagnostikuar me kancer, njoftoi Buckingham Palace.

Lloji i kancerit nuk është zbuluar, por Mbreti filloi trajtimet e rregullta të hënën. Mbreti u diagnostikua me kancer pasi mori trajtim për një zmadhim beninj të prostatës. Mjekët vunë re një problem dhe kryen analizat.

“Gjatë procedurës së fundit spitalore të Mbretit për zmadhimin beninj të prostatës, u vu re një çështje e veçantë shqetësuese. Testet e mëvonshme diagnostikuese kanë identifikuar një formë kanceri”, thuhet në deklaratën e pallatit mbretëror, ku nuk specifikohet faza e sëmundjes.

“Mbreti i është mirënjohës ekipit të tij mjekësor për ndërhyrjen e shpejtë, e cila u bë e mundur falë procedurës së tij të fundit spitalore. Ai mbetet plotësisht pozitiv për trajtimin e tij dhe pret që të kthehet në detyrën e plotë publike sa më shpejt të jetë e mundur. Lartmadhëria e tij ka zgjedhur të ndajë diagnozën e tij për të parandaluar spekulimet dhe me shpresën se mund të ndihmojë mirëkuptimin publik për të gjithë ata që janë të prekur nga kanceri në mbarë botën”, thuhet në deklaratë.

Mbreti Charles ishte diagnostikuar me tumor beninj më 17 janar, në spitalin në Birkhall, Aberdeenshire, ku kishte shkuar për një kontroll.

Të dielën, Mbreti, së bashku me Camillan, mori pjesë në një shërbesë fetare në kishën e Shën Marisë Magdalene në Sandringham, për herë të parë që nga trajtimi i tij në spital.

(abcnews.al)