Podgoricë, 22 shkurt 2024 – I ashtuquajturi “mbreti i kriptomonedhës”, Hyeong Do Kwon do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës , ku po ndiqet penalisht për vepra penale të kryera në fushën e operacioneve financiare, njoftoi Gjykata e Lartë e Podgoricës.
Vendimi për ekstradimin e Do Kwon-it në SHBA erdhi pasi Gjykata e Apelit urdhëroi Gjykatën e Lartë të vendosë nëse “mbreti i kriptomonedhës” duhet të ekstradohet në Korenë e Jugut apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vendimet e mëparshme, Gjykata e Lartë arriti në përfundimin se kushtet për ekstradimin e Do Kwon-it ishin plotësuar dhe ia la Ministrit të Drejtësisë, Andrej Miloviç, të vendoste se cilit prej vendeve kërkuese do t’i jepte përparësi.
“SHBA është partneri ynë kryesor i politikës së jashtme, ne duam të nënshkruajmë një marrëveshje dypalëshe ekstradimi sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të krijojmë një kornizë ligjore për ekstradimet e ardhshme”, tha Miloviç.
Komisioni amerikan i Letrave me Vlerë, i njohur si SEC, ka kërkuar nga autoritetet e Malit të Zi ekstradimin e të pandehurit Hyeong Do Kwon, shtetasit korean të akuzuar nga Shtetet e Bashkuara për mashtrim me kriptomonedha.
I akuzuari Do Kwon dyshohet se ka shkaktuar më shumë se 40 miliardë dollarë humbje si pasojë e falimentimit të kompanisë që themeloi kriptomonedhën Terra.
Ai u arrestua nga policia malazeze në aeroportin e Podgoricës derisa po udhëtonte për Dubai me pasaportë të falsifikuar. Ndaj tij kishte një urdhër-arrest ndërkombëtar.
Sipas Ministrisë malazeze të Drejtësisë, Komisioni amerikan po ashtu ka kërkuar nga zyrtarët malazezë që të marrin në pyetje të akuzuarin Do Kwon për të përmbushur procedurat civile në Shtetet e Bashkuara.
Komisioni amerikan i Letrave me Vlerë ka ngritur padi ndaj Do Kwon-it në gjykatën e Nju Jorkut.
Arrestimi i tij tërhoqi vëmendjen e publikut botëror, pasi ai është një nga personat më të kërkuar që akuzohet për një mashtrim përmes kriptomonedhave.
(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)