Hagë, 13 korrik 2022 – Të mërkurën në Hagë u zhvillua konferenca e 13-të mbi ecurinë e çështjes kundër ish-drejtuesve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Avokatët e katër të akuzuarve për krime lufte dhe krime kundër njerësimit e kritikuab Zyrën e Prokurorit të Specializuar për vonesa në dorëzimin e materialeve shfajësuese për klientët e tyre. Ata thanë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka në dispozicion materialet shfajësuese për klientët e tyre dhe kërkuar që ajo t’ua dorëzojë edhe atyre këto materiale.
Avokati i Krasniqit, Aydan Elis, tha se dorëzimi i materialeve shfajësuese është detyrim i prokurorisë.
“Dorëzimi i materialeve shfajësuese është detyrim i vazhdueshëm i prokurorisë, kështu që ajo nuk duhet t’i bëjë bisht këtij detyrimi dhe duhet të dorëzojë materialet shfajësuese që në momentin që ajo ka në dispozicion një dokumentacion të tillë”, tha ai.
Avokatët e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit thanë se ZPS-ja duhet të dorëzojë materialet shfajësuese, pasi, sipas tyre, një pjesë e tyre mund të jenë të falsifikuara. Avokati i Veselit, Benedict Emmerson, tha se ai i ka pranuar nga ZPS-ja katër dokumente që mbetet të shqyrtohen dhe vlerësoi se për këto dokumente mund të diskutohet në shtator të këtij viti.
Avokatët e kritikuan ZPS-në edhe për vonesën e fillimit të procesit gjyqësor. Avokati i Veselit, Benedict Emmerson, tha se prokuroria ka ulur numrin e orëve të trajtimit të dëshmitarëve, por nuk e ka ulur numrin e dëshmitarëve që do të dëshmojnë.
“Prokuroria ka ulur numrin e orëve të trajtimit të çështjeve, ndërsa tani thotë se nuk ka hequr asnjë dëshmitar nga lista. Nëse numri i orëve është hequr, atëherë është zvogëluar edhe numri i dëshmitarëve”, tha ai.
Sipas tij, 107 dëshmitarët e parë apo 30 për qind e personave që do të dëshmojnë, duhet të dihen paraprakisht, në mënyrë që mbrojtja të përgatitet.
Por, përfaqësuesja e ZP-së mohoi akuzat e mbrojtjes. Ajo tha se lista e dëshmitarëve dihet tash e disa muaj.
Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, paralajmëroi se mbrojtja do t’ia dorëzojë ZPS-së disa dokumente për krimet serbe në Kosovë. Ai tha se ato dokumente do të kenë ndikim edhe në rrjedhën e procesit gjyqësor.
“Kemi ndërmend t’i dorëzojmë disa propozime ZPS-së për krimet që janë kryer nga serbët kundër popullatës shqiptare, që janë të shumta në numër, për krime e vrasje ndaj shqiptarëve. Kjo do të na shkurtojë shumë kohë”, tha Kehoe.
Të akuzuarit morën pjesë në konferencë përmes videolidhjes.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimit ishte konfirmuar më 26 tetor 2020. Por, më 29 prill 2022, ZPS ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar, ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
(r.m.)