Çështje të Emigracionit: Për ju Kieran Both
Në vitin 2021, ICE (Agjencia federale amerikane që merret me zbatimin e ligjeve të emigracionit dhe kontrollin e doganave) nxorri disa udhëzime për nëpunësit e saj lidhur me viktimat e krimit që nuk kanë nënshtetësi amerikane. Këto udhëzime marrin një rëndësi të veçantë, veçanërisht tani kur ka kaq shumë njerëz që nuk janë të pajisur me dokumente të cilët kanë frikë nga një zbatim më agresiv i ligjeve të imigracionit, sidomos nëse do të ketë ndryshime në administratë pas zgjedhjeve. Statusi joemigrues U (viza U) është krijuar për ata persona që kanë rënë viktima të krimeve të caktuara, janë abuzuar nga ana mendore ose fizike dhe kanë qenë të dobishëm në zbatimin e ligjit ose kanë ndihmuar nëpunësit e qeverisë në hetimin ose ndjekjen penale të veprimtarisë kriminale. Ligji synon të forcojë aftësinë e agjencive që merren me zbatimin e ligjit për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e dhunës në familje, sulmeve seksuale, trafikimit të personave që nuk janë nënshtetas amerikanë si dhe krimeve të tjera, duke mbrojtur njëkohësisht dhe viktimat e krimeve, të cilat kanë pësuar abuzime të konsiderueshme mendore ose fizike për shkak të krimit dhe janë të gatshëm të ndihmojnë autoritetet përkatëse në hetimin ose ndjekjen penale të veprimtarisë kriminale. Legjislacioni u vjen gjithashtu në ndihmë agjencive që merren me zbatimin e ligjit që të mund t’iu ofrojnë shërbim dhe ndihmë më të mirë viktimave të krimit. Akti ligjor për dhunën kundër grave i vitit 1994 (VAWA) u siguron jo-nënshtetasve të cilët janë abuzuar nga nënshtetas amerikan ose persona që kanë green card, mundësinë për të paraqitur në mënyrë të pavarur një kërkesë për status emigracioni për veten e tyre (vetë-peticion) pa dijeninë, dhe pa patur nevojë për bashkëpunimin apo lejen e personit dhunues gjatë procesit të emigracionit. Kjo bën të mundur që viktimat të kërkojnë mbrojtje dhe pavarësi nga abuzuesit e tyre.
Për të inkurajuar viktimat që nuk kanë nënshtetësi amerikanë që të kërkojnë ndihmë dhe të raportojnë krimet e kryera kundër tyre, pavarësisht se nuk kanë dokumenta apo status emigracioni, Kongresi amerikan ka vënë në dispozicion mundësi për të përfituar status emigracioni, bazuar pikërisht në faktin e të qenit viktimë. Për këtë qëllim Kongresi ka përdorur një qasje të ngjashme me atë të agjencive federale që merren me zbatimin e ligjit, e cila ka në qendër pikërisht viktimat. Qëllimi është që gjatë hetimit dhe ndjekjes penale, vëmendja t’i kushtohet viktimave duke u shmangur sa më shumë që të jetë e mundur çdo stres, dëm apo traumë e panevojshme. Sipas ICE-it, një qasje e tillë e cila vë në qendër të vëmendjes viktimën, rrit sigurinë publike, bashkëpunimin me organet e zbatimit të ligjit si dhe besimin në sistemet e imigracionit dhe atyre të luftës kundër krimit.
ICE-i nuk do të ndërmarrë veprime të zbatimit të emigracionit civil kundër personave që kanë përfituar ndihmë nga emigracioni si viktima të krimit si dhe kundër atyre që dihet se kanë paraqitur një aplikim, për përfitim të tillë, që pritet të shqyrtohet nga Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) – kjo gjithnjë nëse nuk ka rrethana të jashtëzakonshme që diktojnë ndryshe. Direktiva gjen zbatim për viktimat e krimit, që nuk kanë nënshtetësi amerikane si dhe për anëtarët e familjeve të tyre që përmbushin kriteret përkatëse. Në aplikimet për këto raste përfshihen ato për vizat T dhe U, peticionet VAWA dhe peticionet për status të posaçëm për emigrantët e mitur (SIJS). Kur e sheh të nevojshme dhe të përshtatshme, ICE-i koordinon veprimet me USCIS-in për të përshpejtuar marrjen e vendimit lidhur me aplikimin që ka për bazë faktin që aplikanti është viktimë e krimit.
Me përjashtim të rasteve kur rrethanat e jashtëzakonshme diktojnë ndryshe, një jo-nënshtetasi të cilit i është dhënë urdhër deportimi, por ka paraqitur një aplikim si viktimë krimi dhe është në pritje të një vendimi, si rregull i pezullohet urdhri i deportimit. Për individët që janë në proçes deportimi, zyra përkatëse e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) duhet të shqyrtojë nëse do të bjerë ose jo dakort me një shtyrje të çështjes gjyqësore. Kur USCIS-i ka miratuar aplikimin, ka aprovuar shtyrjen e masës së dëbimit ose ka rënë dakort që çështja e paraqitur ka baza reale, DHS-i duhet të marrë në konsideratë mundësinë për mbylljen e proçedurave të deportimit. Si rrethana të jashtëzakonshme që diktojnë marrjen e masave ligjore kundër viktimave të krimit, mund të përmendim rastet kur vetë viktimat që nuk janë nënshtetas amerikanë përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare ose kërcënim për jetën e dikujt si dhe rrezik ushtrimi dhune ndaj dikujt. Nëse USCIS-i hedh poshtë aplikimin e dikujt që ka kërkuar status si viktimë e krimit, agjencia për zbatimin e operacioneve të dëbimit nga vendi (ERO) ka të drejtë të ndërmarrë masat për dëbimin e personit në fjalë. ICE nuk do të ndërmarrë masa kundër viktimave dhe dëshmitarëve të një aktiviteti kriminal sa kohë që hetimi dhe ndjekja penale janë ende pezull, kjo gjithnjë nëse nuk ka rrethana të jashtëzakonshme që diktojnë ndryshe. ICE-i është një agjenci që ka autoritetin e duhur për të mundësuar shtyrjen e dëbimit nga vendi të dikujt.
Të qenit ose jo viktimë përbën një faktor që merret parasysh kur vendoset nëse ndaj jo-nënshtetasit duhen ndërmarrë masa ligjore të caktuara apo duhet bërë një zgjedhje tjetër. Tek masat ligjore, mes të tjerash, përfshihet vendimi nëse do të lëshohet urdhër paraburgimi, do të ndalohet dikush, do të lëshohet/anulohet njoftimi për t’u paraqitur (Notice to Appear), lirimi i dikujt nga paraburgimi, aprovimi i shtyrjes së masës së dëbimit apo lirimi me kusht, ose ekzekutimi i një urdhri përfundimtar dëbimi. ORE gjithashtu do t’i ofrojë viktimës informacione rreth shërbimeve ligjore dhe përfitimeve që bazohen në të qenit viktimë e krimit.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]