Prishtinë, 6 shtator 2024 – Grupe qytetarësh nga Serbia bllokuan të premten në mbrëmje pjesërisht rrugët që çojnë në vendkalime kufitare me Kosovën, duke kërkuar tërheqjen e forcave të policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimin e institucioneve serbë të mbyllura nga autoritetet e Prishtinës.
Protestuesit vendosën makina në mes të rrugës afër vendkalimit në Merdarë, duke i kthyer prapa udhëtarët me dokumente të Kosovës.
Organizatori i protestës Dragisha Miriç tha se bllokimi është përgjigje e ndërsjellë ndaj masave të vendosura nga autoritetet e Prishtinës për serbët e Kosovës.
“Ashtu siç bëri kryeministri (Albin) Kurti kur deklaroi se letërnjoftimet serbe nuk do të pranohen në Kosovë. Edhe ne tani kërkojmë të njëjtën gjë: që personat me letërnjoftime të Kosovës të mos kalojnë e të hyjnë në Serbi”, tha ai.
Autoritetet në Kosovë mbyllën vendkalimin kufitar në Bërnjak në veri të vendit, për shkak të pengesave me të cilat po përballen qytetarët.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se grupe ekstremistësh të maskuar në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe i kanë kontrolluar udhëtarët.
”Para pak çastesh, një familjeje e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore”, shkroi ai në rrjetet sociale duke theksuar se këto veprime janë të papranueshme.
Bllokimi pasoi operacionin e 30 gushtit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në veri, në një veprim që nxiti kritika nga diplomacia perëndimore.
Autoritetet në Kosovë thanë se komunat paralele serbe në veri, “kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Operacioni nxiti reagimin e Beogradit dhe përfaqësuesve politik serbë në veri.
Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme. Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.
(Zëri i Amerikës)