Mbyllet përkohësisht Galeria Kombëtare e Arteve, nis rekonstruksioni i godinës

Tiranë, 18 tetor 2021 – Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë do të mbyllet përkohësisht, pasi godina e saj do t’i nënshtrohet rekonstruksionit.

Sipas projektit për rikonstruksionin e godinës së galerisë, të hartuar nga Ministria e Kulturës, ambientet e këtij objekti do të mbyllen prej sot (18 tetor 2021) deri në përfundimin e punimeve.

Galeria Kombëtare e Arteve ka marrë masa për transferimin e orendive, pajisjeve dhe arkivit administrativ në ambientet e Albafilm sh.a.

Por, aktiviteti i galerisë do të vazhojë.

Në bashkërendim me Muzeun Historik Kombëtar apo me entitete të tjera do të happen ekspozita të përkohshme dhe do tw organizohen programe publike.

Po ashtu, në bashkërendim me Ministrinë e Kulturës dhe me Drejtoritë Rajonale Arsimore, do të zhvillohen aktivitete kreative për edukimin e fëmijëve në institucione arsimore.

Periudha e realizimit të punimeve në godinën e GKA do të shfrytëzohet për restaurimin dhe digjitalizimin e fondit artistik dhe të arkivave, në bashkërendim me institucionet e specializuara të trashëgimisë kulturore.

Galeria Kombëtare e Arteve do t’i nënshtrohet rikonstruksionit total, si një investim i qeverisë shqiptare, duke ruajtur dhe evidentuar vlerat e projektit të prof. Enver Fajës.

Një godinë simotër do i shtohet asaj ekzistuese, në pjesën e pasme, me të njëjtat volume, duke zgjeruar hapësirat e fondit të ruajtjes së veprave të artit, ekspozimit, laboratorëve restaurues, aktivitetit edukues për të rinj e fëmijë e shërbime për vizitorët.

Nga 4.600 m2 që është sot, muzeu do të shtrihet në 10.100 m2. Sakaq vlera e investimit është rreth 1 miliard lekë.

Projekti është realizuar në vitin 2018 nga Studio Atelier4

Po ashtu projekti zbatohet nga bashkimi i operatorëve “4 A – M” sh.p.k., “K.A.E.XH.” sh.p.k., “IMAGE & COMMUNICATIONS DEVELOPMENT” sh.p.k., të përfaqësuar nga “4 A – M” sh.p.k

(r.m.)