Nga Dritan Matraku
Eshtë bërë traditë që dita e fundit e vitit shkollor tek shkolla;”Gjuha Jonë” në Filadelfia, të kthehet në një ditë festive. Pa dyshim është edhe dita më e bukur për fëmijët e kësaj shkolle.
Fëmijët mbasi mbaruan kohën e rregullt të mësimit, kur ata të vitit të parë, të dytë e të tretë u testuan në diktim, kurse ata të vitit të katërtë e të pestë në hartima, vazhduan me programin e organizuar nga mësueset e shkollës dhe këshilli drejtues të shoqatës për të festuar mbylljen me sukses të këtij viti shkollor. Këtë vit, ambjentet e shoqatës ishin plot, më shumë se vitet e tjera. Kryetari i shoqatës, zoti Sadik Elshani hapi ceremonin duke folur për arritjet dhe sukseset e kësaj shkolle. Ai përgëzoi fëmijët dhe mesueset për punën e palodhshme, për sakrificat e tyre, që çdo të dielë lënë familjet e tyre dhe vijnë japin mësim. Ato ja dedikojnë kohën e tyre fëmijëve dhe shkollës shqipe. Gjithashtu, Ai falenderoi edhe prindërit dhe inkurajoi ata që të flasin shqip me fëmijët e tyre, ti sjellin ata në shkollë, të flasin me bashkatdhetarët e tjerë, të përhapin fjalën dhe t’u bëjnë të ditur se ekziston shkolla shqipe, ekziston mundësia që femijët të mësojnë shqip, të mësojnë më shumë për Shqipërinë dhe për atdheun tonë të dashur.
Më pas, ishin fëmijët dhe mësueset e tyre që e morën në dorë situatën. Ishte një atmosferë shumë emocionuese dhe mbreslënse. Gezimi dhe kënaqësia shikohej qartë tek fëmijët, prindërit, dhe tek të pranishmit e tjerë. Duartrokitjet nuk mungonin për çdo femijë. Ishte diçka e veçantë dhe shumë magjepse të shikoje dhe të dëgjoje fëmijët që recitonin poezi të rilindasve tanë, t’i këndonin atdheut, gjuhës shqipe dhe nënës Shqipëri. Fëmijët në grup ose një nga një tregonin gjeagjeza, fjalë të urta, thënie nga e madhja Nene Tereza, dhe nga Heroi tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Shumë nga këta fëmijë kur filluan shkollën nuk dinin të flisnin shqip, ose flisnin shumë pak. Ka fëmijë që kanë lindur në Greqi ose në Itali, dhe kur erdhën këtu dinin greqisht apo italisht, por jo shqip. Ardhja tek shkolla “Gjuha Jonë“ i bëri të mësojnë, të flasin dhe të shkruajnë gjuhën tonë të bukur, të mësojnë për historinë tonë, për traditën tonë të pasur, dhe zakonet e popullit shqiptar. Këtë ceremoni e pasuroi më shumë programi me këngët e kënduara nga grupi muzikor i fëmijëve të shkollës nën drejtimin e maestros, zoti. Hamdi Gjana. E veçanta e këtyre këngëve ishte se i këndohet atdheut, tokës mëmë dhe gjuhës shqipe. Gjithashtu, ky grup fëmijësh i drejtuar nga zoti. Gjana mori pjesë në festivalin e fëmijëve në Neë York, me 1 Qershor 2013. Fëmijët me maestro Gjana punuan për muaj të tërë, çdo të dielë për tu prezantur sa më mirë në këtë festival.
Momenti i shumëpritur nga fëmijët, sidomos nga klasa e parë, erdhi. Personeli drejtues filloi shpërndarjen e dëftesave, si zakonisht me klasën e parë. Fëmijët mezi prisnin të dëgjonin emrin e tyre dhe me të shpejt vinin për të marrë dëftesat e tyre. I madh dhe shumë prekës ishte momenti kur çdo fëmijë para se të merrte dëftesën, përulej në gjunjë para flamurit kuq e zi, i falej, e puth atë dhe e vinte në ball. Pastaj ngrihej në këmbë, merrte dëftesën dhe ulej tek vendi i tij, ose i saj. Jam më se i sigurtë se ky moment kaq i veçantë, do ngelet i paharruar për fëmijët dhe prindërit e tyre.
Mbas shpërndarjes së dëftesave, me vendim të këshillit drejtues të shoqatës, grupit që u përfaqësua denjësisht në Festivalin e Parë të Fëmijëve në Nju Jork, iu shpërnda vlerësimi “Certifikatë Mirënjohje”.
Si gjithmonë, çdo veprimtari tek shoqata jonë pasohet më koktejl. Çdo gjë sipas mundësive, e pregatitur nga vetë familjet shqiptare, apo e porositur tek ndonjë piceri. Ushqimet dhe pijet bëhen gati dhe cilido merr nga ato që serviren. Të tjerët venë në kafenë, ulen sipas grupeve, ose si ta sjelli momenti. Bisedat janë nga më të ndryshmet, për punët, hallet dhe problemet e përditshme, patjetër edhe me tema nga Shqipëria. Shqipëria është tema kryesore, atje është vendi jonë, atje janë të afërmit tanë, atje rri dhe zemra jonë.
Dritan Matraku është Anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë ë Shqipes”
Filadelfia, Qershor 2013