Uashington, 22 shtator 2023 – Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal pranoi të premten fajësinë se kishte marrë 225,000 dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj, i cili sipas dokumentave në gjykatë, u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.
Pranimi i fajësisë u bë në gjykatën federale në Uashington, në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Ai pranoi fajësinë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera të akt-padi.
Çdo pikë e aktpadisë përmban disa akuza.
Zoti McGonigal pranoi të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin të Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka.
I pyetur nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama’, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.
Zoti McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga zoti Duçka.
Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.
Gjatë seancës zoti McGonigal pranoi se i kishte krijuar lidhjet dhe kontaktet në Shqipëri përmes një mikut të tij, duke iu referuar Nezës, me synimin për të përgatitur terrenin që pasi të largohej nga FBI-ja të ndiqte mundësi biznesi dhe përfitimesh në Shqipëri.
(Zëri i Amerikës)