MDR: Vuçiq nxitoi t’i shpallte zjedhjet e parakohshme dhe për shkak të Kosovës

Berlin, 7 nëntor 2023 – Mediumi publik gjerman MDR shkruan se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nxitoi t’i shpallë zgjedhjet e reja nën presionin e skandaleve, rënies së popullaritetit të partisë së tij dhe çështjes së Kosovës.

“Të jesh apo të mos jesh. Kështu i konsiderojnë partitë në pushtet dhe opozita zgjedhjet e parakohshme parlamentare, lokale, të Beogradit dhe të Vojvodinës më 17 dhjetor”, shkruan MDR.

“Aleksandar Vuçiqi, i cili nuk është zyrtarisht në listën e kandidatëve, po bën xhiro nëpër televizione dhe zgjedhjet i paraqet si betejë mes të mirës dhe të keqes. E mira – është ai, shpëtimtari që e çon Serbinë në një të ardhme të lavdishme, me rroga të majme dhe me hekurudha më të shpejta. E keqja – është opozita, e cila do ta shkatërronte vendin për interesa egoiste”, shkruan korrespondenti i MDR-së nga Beogradi, Andrej Ivanji.

“Por, diçka ka ndryshuar”, shkruan ai dhe kujton se në shtypin perëndimor po shtohen shkrimet për lidhjet e regjimit (të Vuçiqit) me krimin e organizuar, se SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj ish-kreut të BIA-s, Aleksandar Vulin dhe ndaj “biznesmenit” Milan Radoiçiq, i cili e udhëhoqi grupin e armatosur që e kreu sulmin terrorist në pjesën veriore të Kosovës.

DMR shkruan se diçka ka ndryshuar edhe te opozita.

“Ka kohë që shihet pafuqia e opozitës grindavece e të copëtuar, të cilën qeveria dhe mediet besnike të saj e cilësojnë si të dëmshme. Por, dy javë më parë, partitë pro-evropiane arritën të bashkohen, më në fund”, shkruan autori.

“Sipas sondazheve, opozita e bashkuar ka një shans të mirë ta fitojë kryeqytetin, gara është e hapur edhe në Vojvodinë dhe SNS (partia e Vuçiqit) mund të dobësohet ndjeshëm në parlamentin e Serbisë”, shkruan ai.

“Pra, shtrohet pyetja përse Vuçiqi shkoi në zgjedhje të reja?… Sepse tani ai i ka gjasat më të mëdha t’ia sigurojë SNS-t të tij edhe katër vjet pushtet. Sepse kjo parti ka kohë që nuk është në zenitin e saj, ndërsa funksionarët e saj janë përfshirë në afera të shumta dhe popullariteti i tyre po bie vazhdimisht”, thekson autori.

MDR shkruan se një tjetër arsye për shpalljen me nxitim të zgjedhjeve në Serbi është çështja e Kosovës.

“Presioni nga SHBA-ja dhe BE-ja për zgjidhjen e çështjes së Kosovës po rritet. Serbia pritet ta njohë ‘de fakto’ pavarësinë e saj, siç e tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së fundit në rajon. Kjo do të ishte vdekje politike për populistin kombëtar Vuçiq, i cili formalisht e udhëheq vendin në drejtim të BE-së. Por, kundërshtimi i vullnetit të politikanëve më të fuqishëm në botë do të ishte problem i njëjtë”, shkruan MDR.

“Kjo është arsyeja përse ai kërkon ta bëjë përsëri atë që e bën më së miri – të hyjë në luftën zgjedhore, të fitojë kohë dhe të fshehet pas vullnetit të popullit. Kushedi. Ndoshta do të ketë sukses edhe një herë”, shkruan mediumi gjerman.

(r.m.)