Prishtinë, 6 mars 2024 – Policia e Kosovës i ka gjetur të mërkurën pesë raketahedhës dore (Zola) në afërsi të Manastirit të Banjskës, në komunën e Zveçanit. Policia dyshon se këto armë i përkisnin grupit të armatosur të serbëve që kryen sulmin terrorist në këtë fshat më 24 shtator të vitit ta kaluar.
“Në afërsi të Manastirit të Banjskës në Zveçan janë gjetur pesë ‘zolla’. Mjetet ushtarake dyshohet se i përkasin ngjarjeve të shtatorit të vitit të kaluar”, ka deklaruar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Ai ka thënë se hetimet janë duke vazhduar dhe nuk ka dhënë më shumë detaje.
Më 24 shtator të vitit 2023, në Banjskë të Zveçanit, një grup terrorist nga Serbia në krye me kriminelin Millan Radoiçiq, e kishin sulmuar Policinë e Kosovës, duke e lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku.
Policia e Kosovës ishte kundërpërgjigjur, duke i vrarë tre pjesëtarë të grupit terrorist.
Pak ditë pas sulmit, në Manastirin e Banjskës dhe në objektet e shtëpitë në afërsi ishin gjetur e sekuestruar sasi të mëdha armësh të kalibrave të ndryshme, si edhe mjete e pajisje të ndryshme logjistike. Ndër të tjera, policia kishte e gjetur e sekuestruar edhe 29 raketahedhës të paspërdorur dhe 7 raketahedhës të përdorur.
Përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjkë e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që kontrollohet nga Beogradi zyrtar. Por, ai u la i lirë, ndonëse pranoi se ishte udhëheqës i grupit të armatosur që e kreu sulmin në Banjkë.
Radoiçiq, i cili është njëri ndër njerëzit e afërt të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjë që nuk është mohuar aasnjëherë nga ky i fundit.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar që Radojçiqi dhe pjesëtarët tjerë të grupit të armatosur që e kryen sulmin të ekstradohen dhe të gjykohen në Kosovë. Por, autoritetet serbe e përjashtojnë çdo mundësi që kjo të ndodhë.
Shtetet e Bashbkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje që të kryhet një hetim i detajuar lidhur me sulmin dhe të konstatohet nëse Beogradi zyrtar ka pasur rol në planifikimin dhe organizimin e sulmit, si edhe në armatosjen e grupit që e kreu sulmin.
Ka pasur raportime se një vend i BE-së ka kryer hetimet, por deri më sot nuk është publikuar ndonjë raport me gjetjet e hetimit.
(r.m.)