Nga Ruben Avxhiu
Marrëveshja e Ohrit është nga më interesantet në mënyrën se si është qendisur. Nga një anë refuzimi i Presidentit Vuçiq për ta nënshkruar e bën të duket si e pavlerë. Serbia nuk ka zbatuar marrëveshjet që ka nënshkruar. Si mund të presësh prej saj që të zbatojë ato që nuk ka nënshkruar. Kjo duket si marrëveshje me gojë, nga ato që në Ballkan injorohen e harrohen kur gdhin dita tjetër.
Nga ana tjetër, çelësi gjenial (ose naiv) i marrëveshjes është se zbatimi i saj është i lidhur jo me nënshkrimin apo me rënien dakord të palëve. Marrëveshja është e qendisur në atë mënyrë që do të zbatohet në kuadër të anëtarësimit në BE.
Palët mund t’i injorojnë pjesët e marrëveshjes që nuk u pëlqejnë si kanë bërë deri tani me të gjitha marrëveshjet. Mirëpo, çdo hap që do të hedhin në drejtim të integrimit dhe anëtarësimit në BE, sa herë që të kërkojnë fonde e ndihma, ata do të duhet të zbatojnë së pari marrëveshjen e Ohrit.
Në këtë kuptim, më shumë se marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, Ohri përfaqëson një seri pikash e etapash, që Bashkimi European ia ka vënë si kush Kosovës dhe Serbisë për bashkëpunimin e ardhshëm me të.
E nënshkruajnë, nuk e nënshkruajnë, ia shesin dot apo jo publikut të tyre, duan apo nuk duan ta bëjnë, BE-së dhe SHBA-së nuk u intereson më që ta debatojnë në pafundësi. Mirëpo, zbatimi i kësaj marrëveshjeje është domosdoshmëri e procesit. Nëse integrimi në BE ka faza me reformat e detyrueshme, me kushtet që duhen përmbushur, me njësimin e ligjeve, praktikave e rregulloreve, tani këtyre do t’u shtohet edhe kjo marrëveshje.
Sigurisht Kosova apo Serbia nuk janë të detyruara teknikisht që të hyjnë në BE. As kanë europianët më oreks që të pranojnë vende të tjera në bllok, sepse tani të gjitha vijnë me defiçite e me nevoja për investime e me krah të lirë pune, ndërkohë që vendet ekzistuese kanë problemet e tyre. Nga ana tjetër, as BE-ja nuk mund të lejojë një vrimë të zezë në Ballkan, e as Kosova e Serbia mund të injorojnë realitetin e sotëm politike, ekonomik e të sigurisë. Kjo është një botë globale dhe shumica e sfidave nuk përballohen dot më vete. Serbia prej vitesh është munduar të gjejë një alternativë, duke ia hapur dyer e kanate Rusisë, Kinës, e kujtdo vendi joperëndimor në mos antiperëndimor, por realiteti gjeopolitik dëshmon se BE është e vetmja fuqi që është gati të investojë e ka një interest ë drejtpërdrejt real për të mbajtur mbi ujë Ballkanin Perëndimor. Intersat e fuqive të tjera janë kalimtare. Jo më kot, Serbia nuk guxon të hedhë poshtë tërësisht procesin, por luan e vërtitet e përpiqet që të shmangë të pashmangshmen.
Sigurisht, një marrëveshje që varet tërësisht nga zbatimi në procesin europian ka nevojë për një BE të fortë, jetëgjatë, të besueshme, e të vëmendshme.
E kam pritur me qetësi këtë proces negocijimi sepse pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Në këtë kuptim, Kosova e ka fituar përplasjen e madhe historike me Serbinë. Tani po debatohen vetëm detajet e fitores. Sigurisht, duam që të çimentohen sa më shumë epërsi e garancira në këto marrëveshje, por asnjë lëshim apo cungim nuk do të jetë thelbësor.
Refuzimi për të pranuar një Bashkësi Komunas Serbe ka buruar edhe nga një besim se Serbia e serbët nuk e meritojnë një lëshim bujar në organizimin e Kosovës, po aq sa edhe nga bindja se do ta keqpërdorin për të krijuar kriza të ardhshme.
Është interesant përmbysja me disa faza e gjuhës së marrëveshjes, zhveshja e termit vetëqeverisje për ta reduktuar në vetëmenaxhim të serbëve të Kosovës. Ndoshta një sinjal se kundërshtimi këmbëngulës i kryeministrit Albin Kurti ka dhënë fryte. Ai duket se e ka gjetur deri diku atë rrugën e vështirë mes kundërshtimit të Aleatëve pa sjellë prishjen me ta.
Nga ana tjetër, për vetë mënyrën se si është qendisur skajet e lëshimit nga secila palë mund të duken më mirë me kalimin e kohës. Disa aspekte mund të rinegociohen disa herë. Uroj që drejtuesit e Kosovës në vite të përqendrojnë energjitë në prodhimin e argumenteve me imagjinatë dhe bindës për leximin e drejtë të marrëveshjes sesa në gjetjen e justifikimeve për të shpallur njëri-tjetrin hipokrit e tradhëtar.
Në ditët që vijim, marrëveshja do të paraqitet në forma të ndryshme në Bruksel, Prishtinë e Beograd. Vuçiqi është në krye të garës për të shpjeguar se çfarë është dhe çfarë nuk është marrëveshja. Në fund të fundit, një tekst që nuk është nënshkruar mund të jetë çfarëdo. Gjenia dhe naiviteti i marrëveshjes si e përmenda më lart është palët janë të lira ta riinterpretojnë. Zbatimi konkret dhe vlera e vërtetë e marrëveshjes do shihet kur të hetohet zbatimi i saj përgjatë rrugës së integrimit europian. Koha do ta tregojë nëse historia do të qeshë me këtë mekanizëm apo do ta vlerësojë për fantazinë e besimin e treguar.
I dashtuni Ruben,
Perseri, falenderimet e mia per kete analize profesionale dhe optimiste e substances saj..
LEXUESI I ILLYRIA-S DO TE GJEJ KETU NJI ANALIZE QE MERITON VEMENDJEN EDHE TE UDHEHEQJEVE POLITIKE TE DY VENDEVE SI DHE NJI INKURAJIM ME GJETE NJI RRUGE DALJE QE PREMTON ÇLIRIMIN E PLOTE TE KOSOVES SIDOMOS ANETARSIMIN E KOSOVES NE ORGANIZATAT NDERKOMBETARE PA NDERHYMJE ANMIQSORE TE SERBISE.
DO TE DESHROJSHE QE EDHE TE TJERE LEXUES TE KETIJ SHKRIMI/ANALIZE TE ANALIZOJNES OPINIONE TE NDRYSHME JANE NJI PASUNIM I DIALOGUT QE NE KETO DITE ASHTE ME RANDESI ESENCIALE PER TE ARDHMEN E KOSOVES SONE DHE TE ATYNE QE E DUEN PA MBRAPASKENE. PERSERI; “URIME, RUBEN, E TE LUMTE DORA E MENDJA E NDRITUN! Sami