Media gjermane: Ngjarjet në veri shkallëzim i rrezikshëm

Berlin, 29 dhjetor 2022 – Jo vetëm politika gjermane ka reaguar lidhur me ngritjen e tensioneve në veri të Kosovës. Edhe mediat gjermane i kushtojnë vëmendje zhvillimeve në këtë pjesë të Kosovës.

Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në analizën e saj pas ashpërsimit të situatës në veri, shkruan se ajo që po ndodh aktualisht në veriun e Kosovës është një shkallëzim i rrezikshëm, të cilin perëndimi duhet ta marrë seriozisht.

“Për shkak të konfliktit në Ukrainë […] shumë kanë harruar, se lufta nuk është rikthyer këtë vit në Europë. Fuçia e parë e barutit, që shpërtheu pas Rënies së Murit ishte ish-Jugosllavia. […] Por shumë më tepër se në Ukrainë, Brukseli dhe Uashingtoni kanë mundësi direkte të ndikimit në Ballkan. […]Prandaj duhet këtë herë të jetë parimisht e mundur, që ta vendosin gjendjen sërish nën kontroll. As Serbia dhe as Kosova nuk kanë interes për dhunën apo kthime serioze pas në marrëdhënien me perëndimin. Për Moskën […] kjo nuk vlen. Vetëm për këtë arsye është kaq urgjente, që europianët të kujdesen më fort për Ballkanin”,shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Kurse gazeta “Märkische Zeitung” reagon në lidhje me politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe Rusisë.

“Megjithatë Vuçiqi pritet gati me përulje nga përfaqësues të Bashkimit Europian. Kjo politikë ‘appeasement’ e qetësimit ka bërë që gjendja të shkallëzohet. Prandaj ka ardhur koha për ndryshim të politikës: Faktorët perëndimorë duhet të kërkojnë qartë nga presidenti serb t’u japë fund provokimeve dhe dëshirës për fuqinë e madhe serbe dhe të kontrollojnë kanalet e rrjedhjes së parave nga Rusia. Përveç kësaj BE duhet që ta kushtëzojë dhënien e parave tek Serbia dhe të kuptojë më në fund që Vuçiqi as nuk do të hyjë në BE”, shkruan “Märkische Zeitung”.

Ndërsa “Welt”, në shkrimin me titull “Loja e ndezjeve e Serbisë mund të përhapë zjarrin”, shkruan se shumë të le të kuptosh se në sfond është Rusia që e nxit konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës, edhe për të shkaktuar pasiguri në Perëndim.

“Presidenti Putin e përdor presidentin serb, Aleksandar Vuçiq si ndihmësin e tij.[…] Në rastin më të keq grindja mund të dalë jashtë kontrolli dhe të shkaktojë një konflikt të zgjeruar në Ballkanin e brishtë, megjithë prezencën e NATO-s dhe këtë para derës së BE”, shkruan “Welt”.

Ajo thekson se përplasjet aktuale tregojnë se marrëveshja e ndërmjetësuar nga BE nuk ishte me shumë vlerë.

“Marrëveshja ishte shumë miqësore ndaj serbëve kundrejt Serbisë  dhe nuk i zgjidhi problemet me detyrimin për qeverinë kosovare për të lejuar një asociacion të komunave serbe- Nuk është e kuptueshme pse BE këtë marrëveshje deri më sot e nxjerr atë kudo përpara”, shkruan “Welt”.

(DW)