Media shtetërore iraniane raporton për ekzekutimin e një britaniko-iraniani

Teheran, 14 janar 2023 – Media shtetërore iraniane, ka thënë se është ekzekutuar britaniko-iraniani, Alireza Akbari, i cili ka qenë i dënuar me vdekje.

Familjes së Akbarit i është kërkuar që ta vizitojë atë për herë të fundit ditën e mërkurë.

Gruaja e tij ka thënë më pas se Akbari është zhvendosur në qeli.

I njohur dikur si zëvendësministër i Mbrojtjes në Iran, ai është arrestuar më 2019 dhe është dënuar se ka spiunuar në Mbretërinë e Bashkuar, diçka që Akbari e ka hedhur poshtë.

Mbretëria e Bashkuar i ka bërë thirrje Iranit që të ndalë procesin e ekzekutimit dhe ta lirojë atë menjëherë.

Ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly, e ka përshkruar dënimin me vdekje si “vendim të motivuar politikisht nga regjimi barbar, që nuk respekton aspak jetën e njeriut”.

Shtetet e Bashkuara u janë bashkuar thirrjeve ndaj Iranit që të mos ekzekutojë Akbarin.

Diplomati amerikan, Vedent Patel ka thënë se “ekzekutimi i tij do të jetë i pandërgjegjshëm”.

Në disa audio-incizime të publikuara më parë të Akbarit, ai ka thënë se ka qenë duke jetuar jashtë shtetit dhe ndërkohë i është bërë ftesë për të vizituar Iranin, me arsyetimin e përfshirjes në bisedimet për marrëveshjen bërthamore, që ka Irani me fuqitë botërore.

Kur ka arritur në Iran, ai është akuzuar për ofrim të inteligjencës sekrete shtetërore “në këmbim të një shisheje parfumi dhe një këmishe”.

Akbari pati thënë se “është marrë në pyetje edhe është torturuar” nga agjentë të inteligjencës “për më shumë se 3.500 orë”.

“Përmes metodave psikologjike, ata më kanë thyer besimin, më kanë çuar drejt çmendurisë dhe më kanë detyruar të them gjithçka që kanë kërkuar”, ka thënë ai.

“Me anë të armëve dhe kërcënimeve, ata më kanë detyruar të dëshmojë pretendime të rreme”.

Sipas tij, Irani “synon t’i hakmerret Mbretërisë së Bashkuar, përmes ekzekutimit tim”.

Lidhjet në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Iranit janë përkeqësuar në muajt e fundit, prej kur Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj Policisë iraniane të moralit, dhe figurave kyçe të sigurisë, si përgjigje ndaj shtypjes së protestave kundër qeverisë.

Protestat kanë shpërthyer në shtator të vitit të kaluar, pas vdekjes së 22-vjeçares, Mahsa Amini, sa ka qenë në mbajtje policore, me arsyetimin se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

Irani ka arrestuar dhjetëra iranianë me shtetësi të dyfishtë apo leje-qëndrime të përhershme në shtetet tjera, sidomos nën akuzat e spiunimit apo çështjeve tjera të lidhura me sigurinë kombëtare.

Shtetasit britaniko-iranianë, Nazanin Zaghari-Ratcliffe dhe Anoosheh Ashoori, janë liruar vitin e kaluar dhe u është mundësuar largimi prej Iranit, pasi Mbretëria e Bashkuar ka paguar një borxh që i ka pasur Teheranit.

Megjithatë, të paktën dy britaniko-iranianë tjerë mbesin në mbajtje, përfshirë Morad Tahbaz, i cili ka edhe shtetësi amerikane.

(REL)