Berlin, 18 dhjetor 2021 – Rregullatorët gjermanë kanë nisur procedura kundër medias të financuar nga Rusia, RT, për transmetim pa licencë në Gjermani.
RT DE, një kanal në gjuhën gjermane i RT-së, nisi transmetimin satelitor në Gjermani më 16 dhjetor, duke E përdorur një licencë të dyshimtë serbe, tha rregullatori për media në Berlin, MABB.
Gjermania nuk u jep licenca për transmetim mediave të huaja që financohen nga shteti, edhepse RT DE lejohet të ketë byro në Berlin.
RT, e cila njihej me emrin “Russia Today”, është një media që vazhdimisht është kritikuar në Perëndim dhe është cilësuar si burim i Kremlinit për propaganda. Megjithatw, një kohë të gjatë ajo mundohet të zgjerohet me kanale televizive në gjuhën gjermane, por nuk ka marrw licencë për transmetimin e sinjaleve tokësore dhe satelitore për transmetim në Gjermani.
Megjithatë, kjo media publikon artikuj në ueb-faqen e saj dhe aty ka edhe shërbime të transmetimit online.
Në muajin gusht, Luksemburgu refuzoi t’i japë RT DE licencë për të transmetuar në Gjermani, pasi ky shtet argumentoi se kjo media ka operacione që kanë seli në Berlin.
Megjithatë, partneri i RT DE-së, TV Novosti, ka marrë një licencë në Serbi, pasi ka dështuar të marrë licencë në Luksemburg. Për këtë licencë autoritetet u njoftuan më 16 dhjetor, kur RT DE e nisi transmetimin në Gjermani.
“Për këtë program, nuk është aplikuar për licencë për transmetim dhe as nuk është dhënë një licencë e tillë nga MABB”, tha rregullatori për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se kanë nisur procedurat ndaj RT DE dhe kjo media ka kohë deri në fund të vitit që të përgjigjet.
Procedura të tilla mund të çojnë në ndalimin e këtij kanali apo gjobë deri në 500,000 euro.
RT DE është përgjigjur përmes një artikulli, duke argumentuar se ka marrë licencë për transmetime kabllore dhe satelitore në Serbi dhe sipas Konventës Evropiane për Televizion Ndërkufitar, kësaj media i lejohet që të transmetojë në Gjermani.
Megjithatë, MABB tha se për shkak se RT DE ka seli në Berlin, transmetimi i kësaj media bie nën juridiksionin gjerman.
Licenca me të cilën po transmetonte RT DE u dha nga Rregullatori serb për Media Elektronike (REM). Kryetarja e këtij rregullatori, Olivera Zekiq tha për mediat serbe se licenca ishte dhënë në bazë të Konventës Evropiane për Televizion Ndërkufitar.
Por, Judita Popoviq, një anëtare e Këshillit të REM-it, tha për REL-in se Serbia po ia mundësonte kësaj media ruse që të shmangë rregulloret gjermane. Ajo tregoi se kishte votuar kundër dhënies së licencës, duke shtuar se TV Novosti kishte aplikuar për licencë ku thuhej se programi do të transmetohej nga Rusia në gjuhën gjermane.
“Në këtë mënyrë, Serbia lejon sinjalin e transmetimit për një zonë më të gjerë, përmes satelitit” tha Popoviq, duke theksuar se programet televizive nuk janë të destinuara për shikuesit në Serbi, por për vendet gjermanishtfolëse.
(REL)